Lajme

Mbi 100 Studentë nga Kampusi Global i të Drejtave të Njeriut – Programi Master Evropian në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA) vizituan EULEX-in.

21 janar

Më 21 janar 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mirëpriti mbi 100 studentë nga Kampusi Global i të Drejtave të Njeriut – Programi Master Evropian në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA).

Grupi, i shoqëruar nga profesorët e tyre, u mirëprit nga Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, i cili paraqiti një përmbledhje të përgjithshme mbi mandatin, arritjet dhe sfidat e EULEX-it në Kosovë.

Studentët gjithashtu dëgjuan prezantime të hollësishme nga Zyrtarja për Shtyp dhe Informim Publik i EULEX-it, e cila ua shpjegoi kornizën operacionale të Misionit dhe mbështetjen e ofruar institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë. Për më tepër, Këshilltarja për të Drejtat e Njeriut e EULEX-it mbajti një diskutim të thelluar mbi rolin e Misionit në monitorimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut ndaj të gjithë individëve brenda juridiksionit të tyre, pavarësisht nga gjinia, etnia, feja, mosha, orientimi seksual apo ndonjë karakteristikë tjetër. Diskutimi u përqendrua në mënyrë të veçantë te e drejta për një gjykim të drejtë, e drejta për liri, liria nga tortura dhe keqtrajtimet tjera, liria nga dhuna në baza gjinore, e drejta për mjete juridike efektive, të drejtat e të burgosurve dhe të drejtat e fëmijëve në drejtësinë për të miturit, e drejta për ta ditur të vërtetën për familjet e personave të zhdukur dhe e drejta për siguri.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të bëjnë një sërë pyetjesh për të thelluar kuptimin e tyre mbi Misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) dhe evolucionin e mandatit të EULEX-it në Kosovë. Ata gjithashtu u njohën me programin ndërkombëtar të punës praktike të EULEX-it, i cili ofron një mundësi unike për të diplomuarit e rinj që të fitojnë përvojë praktike në terren.