Lajme

Mbështetja e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit në adresimin e krimeve mjedisore

31 janar

Më 31 janar 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi seminarin “Analiza SWOT – një mjet i vlefshëm për identifikimin e pikave të forta, të dobëta, mundësive dhe kërcënimeve në adresimin e krimeve mjedisore”.

Ky aktivitet i bëri bashkë një grup të ndryshëm të palëve të interesuara, duke përfshirë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe kishte për qëllim të nxiste një qasje të koordinuar dhe të informuar për parandalimin e krimeve mjedisore.

Në fjalën e saj hyrëse, Zëvendës Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, theksoi se: "Forcimi i institucioneve të sundimit të ligjit për t’i luftuar efektivisht krimet mjedisore është bërë prioritet për BE-në. Duke e pasur parasysh ndërlidhjen e krimeve mjedisore me format e tjera të veprimtarisë kriminale, sigurimi i qarkullimit të pakufizuar të informatave dhe i veprimeve të koordinuara janë thelbësore për reagime efektive institucionale". Ajo në fund theksoi nevojën urgjente për t’i shtuar angazhimet në luftën kundër krimeve mjedisore – jo vetëm për ta mbrojtur jetesën dhe të drejtat e njeriut të popullsisë së sotme, por edhe për të siguruar prosperitet për brezat e ardhshëm.

Monitoruesi Kryesor Tematik për Krimet Mjedisore në Njësinë e EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Vesa Satamo, paraqiti një përmbledhje të hollësishme të gjendjes aktuale të krimeve mjedisore në Kosovë, duke përfshirë të dhënat për numrin e rasteve, dëmtimin e ekosistemit, kostot dhe trendet e monitoruara nga Misioni.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, e paraqiti statusin e rasteve të ndërtimeve pa leje në rajonin e saj, i cili, për fat të keq, është një nga më të prekurit nga krimet mjedisore. Ndërsa theksoi se Prokuroria Themelore në Pejë ka trajtuar qindra raste, ku shumë prej tyre kanë rezultuar me gjykime pozitive, ajo pranoi se mbetet shumë punë për t'u bërë, pasi ka ende sfida të rëndësishme në zbatimin e sundimit të ligjit, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit.

Vuçetaj theksoi në veçanti se prokurorët kanë një përgjegjësi të rëndë dhe duhet të punojnë pa u lodhur për ta thyer ciklin e krimeve, veçanërisht ato që e dëmtojnë mjedisin.

Në paraqitjen e tij, Monitoruesi Kryesor Tematik i EULEX-it për Veprat e Korrupsionit, Albert Effendi van Nunen Karioen, dha një shpjegim të hollësishëm të metodologjisë së analizës SWOT dhe aplikimet e mundshme të saj brenda institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit. Ai e përfundoi fjalën e tij duke theksuar se analiza SWOT nuk është një proces i njëhershëm, por një mjet i vazhdueshëm për monitorimin dhe përshtatjen e strategjive, ndërsa institucionet ligjore të Kosovës evoluojnë në reagimin e tyre ndaj ndryshimeve të brendshme dhe të jashtme.

Gjatë gjithë këtij seminari, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime kuptimplote lidhur me atë se si mund të koordinohen më mirë institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë për t’i adresuar krimet mjedisore. Konsensusi ishte i qartë: trajtimi i kësaj çështjeje kërkon më shumë se sa thjeshtë masa reaktive; ajo kërkon një qasje proaktive, strategjike të udhëhequr nga institucionet për zbatimin e ligjit dhe prokuroria, si dhe mbështetje të fuqishme institucionale, shkëmbim efektiv të informatave dhe bashkëpunim.

Me mbështetjen e vazhdueshme nga EULEX-i për institucionet e Kosovës për Sundimin e Ligjit, Kosova është e gatshme që ta forcojë reagimin e saj ndaj krimeve mjedisore, duke siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të sigurt. Në luftën kundër krimit mjedisor, një përgjigje e unifikuar është çelësi për ruajtjen e mjedisit të Kosovës për gjeneratat e ardhshme.

Ky seminar ishte pjesë e projektit në shkallë të vogël të EULEX-it "Krimet mjedisore", i zhvilluar në kuadër të Platformës Multidisiplinare Evropiane kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT). Në prill të vitit 2024, Misioni e nisi projektin me organizimin e një konference të nivelit të lartë me rastin e përfundimit të Javës së Tokës.