04 shkurt
Më 3 shkurt 2025, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të tij për rritjen e efektivitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i bëri një donacion të rëndësishëm Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Ky donacion përfshin një automjet dhe 229 pajisje të IT-së ku përfshihen, ndër të tjera, video- kamera, kamera, tavolina për përkthim, monitorë, regjistrues portativë dhe altoparlantë, dhe synon ta lehtësojë regjistrimin me audio-video të seancave gjyqësore, takimeve dhe video- konferencave online, si dhe përkthimin simultan gjatë trajnimeve, seminareve dhe konferencave.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Zëvendës Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, shprehu mirënjohjen e saj për Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, për bashkëpunimin e vazhdueshëm me KGJK-në dhe ritheksoi përkushtimin e Misionit për ta vazhduar mbështetjen e efektivitetit, llogaridhënies dhe transparencës së punës së KGJK-së.
Një gjyqësor transparent dhe llogaridhënës është çelësi për të ndarë drejtësi për të gjithë.