Lajme

EULEX dhe UNICEF në Kosovë mbajnë tryezën e rrumbullakët për adresimin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve

05 shkurt

Më 5 shkurt 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në partneritet me UNICEF-in në Kosovë, organizoi një tryezë të rrumbullakët me titull “Adresimi i dhunës seksuale ndaj fëmijëve” duke mbledhur së bashku përfaqësues nga institucionet e Kosovës, ofruesit e shërbimeve, shoqëria civile dhe palët përkatëse të interesit, me qëllim forcimin e angazhimeve për njohjen, parandalimin dhe raportimin e abuzimit ndaj fëmijëve.

Duke e hapur aktivitetin, Zëvendës Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, iu drejtua pjesëmarrësve duke e theksuar rëndësinë e krijimit të një rrjeti sigurie rreth fëmijëve dhe duke rikujtuar se një reagim i duhur ndaj rasteve të dyshuara ose të vërtetuara të abuzimit mund t’i japin formë rrugëtimit të fëmijës drejt shërimit, drejtësisë dhe rimëkëmbjes.

Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronica Vashchenko, theksoi urgjencën e adresimit të një sfide kaq të ndjeshme dhe të vazhdueshme, duke vënë në dukje nevojën e jashtëzakonshme për t’i rritur investimet në programet parandaluese, për ta forcuar zbatimin e ligjit dhe për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat, krahas financimit të qëndrueshëm të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve.

Gjatë këtij paneli pati diskutime të ndryshme në grupe të fokusuara për adresimin dhe reagimin ndaj rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, identifikimin e boshllëqeve kritike të kapaciteteve dhe rekomandimin e intervenimeve specifike për t’i mbrojtur më të cenuarit.

Në veçanti, pjesëmarrësit diskutuan nevojat e fëmijës-viktimë gjatë fazave të intervenimit, hetimit dhe ri-integrimit, si dhe masat parandaluese, falë kontributeve domethënëse të ofruara nga prezantimet mbi: të dhënat për fëmijët viktima të dhunës seksuale të ofruara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML); Protokolli i Kosovës për Trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, standardet dhe praktikat më të mira evropiane; si dhe modeli Barnahus - Shtëpitë për Mbrojtjen e Fëmijëve - një model i dobishëm shumë-disiplinor që ofron mbështetje të përshtatshme për fëmijët e mbijetuar dhe dëshmitarë të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

Të shtyrë nga vizioni i përbashkët se çdo fëmijë meriton të rritet në një botë pa frikë dhe abuzim, përmes këtij partneriteti, EULEX-i dhe UNICEF-i synojnë të nxisin një qasje më të koordinuar dhe më me ndikim për mbrojtjen e fëmijëve, duke siguruar që fëmijët e cenueshëm jo vetëm të dëgjohen, por edhe të mbështeten në rrugëtimin e tyre drejt drejtësisë dhe rimëkëmbjes.

Ky aktivitet ishte pjesë e projektit të EULEX-it në shkallë të vogël “Mbështetje për institucionet e Kosovës në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve”.