Lajme

Panairi virtual i EULEX-it për punë: Eksplorimi i drejtimeve të karrierës për profesionistët e rinj

07 shkurt

Më 7 shkurt 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një panair virtual për punë, duke u ofruar profesionistëve të rinj mundësinë për t’i eksploruar perspektivat e karrierës në fushën e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Ky aktivitet jo vetëm që ofroi këshilla për karrierë, por gjithashtu shërbeu si një portë direkte drejt menaxhimit ndërkombëtar të krizave, duke u ofruar pjesëmarrësve njohuri të vlefshme mbi jetën brenda një misioni të CSDP-së dhe mundësitë e ndryshme të karrierës në kuadër të EULEX-it.

Panairi u hap nga Zëvendës Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, dhe Shefi i Personelit të Misioneve në kuadër të Kapacitetit Civil për Planifikim dhe Zbatim (CPCC), Mirco Kreibich, të cilët e prezantuan mandatin e Misionit dhe theksuan drejtimet e ndryshme të karrierës që i ofron ai. Fjalët e tyre hapën rrugën për një diskutim të frytshëm mbi rolin strategjik që e luajnë profesionistët e rinj në misionet ndërkombëtare, duke e theksuar vlerën që ata e sjellin përmes perspektivave të reja, përvojave të larmishme dhe ideve të reja.

Duke u përqendruar te zhvillimi i karrierës, Shefja e Divizionit të Burimeve Njerëzore të EULEX-it, Anita Janassary, nënvizoi se suksesi i misioneve ndërkombëtare varet nga tërheqja e profesionistëve dinamikë dhe të motivuar, veçanërisht të rinjve, të cilët janë të gatshëm të mësojnë dhe të përballen me sfida të ndërlikuara globale.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit morën pjesë në sesione interaktive, të ndara sipas temave kryesore, duke përfshirë:

  • Procesi i aplikimit: Si të pozicionohen kandidatët për të hyrë në karrierat ndërkombëtare
  • Jeta brenda një misioni ndërkombëtar: Realitetet, sfidat dhe mundësitë e punës në një mjedis me ndikim të lartë
  • Mundësitë e karrierës brenda EULEX-it: Eksplorimi i një game të gjerë rolesh për profesionistët e rinj.

Një nga momentet kryesore të këtij aktiviteti ishte shpallja e Programit të Ekspertëve Profesionistë të Rinj, një iniciativë që u ofron profesionistëve në fillim të karrierës përvojë praktike brenda një misioni të CSDP-së. Me konkursin e parë që do të hapet së shpejti, panairi u dha pjesëmarrësve njohuritë dhe mjetet e nevojshme për ta hedhur hapin e parë në këtë fushë konkurruese.

Për shumë nga pjesëmarrësit, ky aktivitet ishte një mundësi për t’i eksploruar drejtimet e karrierës në të cilat ata mund të kontribuojnë për një qëllim më madhor.