07 mars
Si pasojë e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, mbi 1600 persona ende llogariten si të zhdukur. E drejta e familjarëve të tyre për ta ditur të vërtetën për vendndodhjen e më të dashurve të tyre është forca shtytëse që e bën Dr. Luisa Marinho, shefja portugeze e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ta motivojë ekipin e saj që të punojë, për çdo ditë, krah për krah me kolegët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) dhe me institucionet e tjera përkatëse.
Momenti kur familjeve u dorëzohen mbetjet mortore të personave të cilët janë identifikuar nga IML-ja me mbështetjen mjeko-ligjore të EULEX-it, sigurisht që është më emocionuesi, por në të njëjtën kohë edhe më inkurajuesi, jo vetëm për doktoreshën Marinho, por për të gjithë ekipin e saj.
“Ndërsa presin përgjigje për fatin e familjarëve të tyre të zhdukur, të afërmit dhe miqtë vuajnë një pikëllim të papërshkrueshëm dhe të zgjatur”, thotë Marinho, prandaj “t’u ndihmojmë atyre që ta ndajnë këtë barrë kaq të rëndë pa e humbur besimin në këtë proces, si dhe të vazhdojnë të kenë besim se të dashurit e tyre nuk do të harrohen, është një pjesë jashtëzakonisht me rëndësi e punës sonë”.
Dr. Marinho iu bashkua EULEX-it në vitin 2021 për ta zbatuar zotësinë e saj si antropologe mjeko-ligjore në identifikimin e personave të zhdukur, si rezultat i një rrugëtimi të shumanshëm profesional që e dërgoi atë nga Portugalia në Kanada, Spanjë dhe, së fundi, në Kosovë.
Duke qenë gjithmonë e magjepsur nga funksionimi i trupit të njeriut, ajo i filloi studimet në fushën e shkencave shëndetësore dhe menjëherë e kuptoi rëndësinë e plotësimit të zhvillimit të njohurive teorike me përvojën praktike në fushën aplikative.
Falë punës së saj të hershme vullnetare si dhe rrugëtimit së saj në karrierë, ajo pati mundësinë jo vetëm të vinte në kontakt me fushën e mjekësisë ligjore, por edhe të takonte disa nga profesionistët që punonin në mjekësi ligjore që e frymëzuan për t’i çuar përpara studimet e saj në fushën e antropologjisë mjeko-ligjore.
Përgjatë viteve, Dr. Marinho takoi disa gra frymëzuese që ishin pioniere në aplikimin e antropologjisë mjeko-ligjore në kontekste të ndryshme, duke e lidhur botën akademike me policinë ose fushat aplikative humanitare.
“Pavarësisht asaj që njerëzit zakonisht mund ta mendojnë, antropologjia mjekoligjore është një fushë studimore e dominuar nga gratë”, shpjegon Marinho. “Në EULEX, për shembull, gjatë disa viteve të fundit ekipi im ka mirëpritur, përmes Programit tonë të Praktikës, katër profesionistë të rinj, të gjitha gra, të cilat kontribuan me perspektivën e tyre të re dhe njohuritë më të fundit”.
Dr. Marinho shumë shpejtë e kuptoi se antropologjia mjeko-ligjore ishte fusha rreth së cilës ajo donte ta ndiqte karrierën e saj. “Ana hetimore e antropologjisë mjeko-ligjore më mbërtheu menjëherë”, shpjegon Dr. Marinho. “Më duket sikur trupi i njeriut është në gjendje të thotë shumë gjëra me kaq pak detaje. Është sikur të zgjidhësh një enigmë”.
Por ndërsa punonte me rastet e personave të zhdukur nga lufta civile spanjolle, Dr. Marinho pati mundësinë që të takohej nga afër me pjesëtarët e familjeve të tyre, të dëgjonte historitë e tyre dhe u mahnit nga ndikimi bindës në jetën e njerëzve i aplikimit të antropologjisë mjeko-ligjore në çështjet e lidhura me konfliktet dhe ato humanitare: “Pavarësisht se kanë kaluar gati 90 vjet nga lufta, më bëri përshtypje se si në Spanjë pjesëtarët e familjeve të gjeneratës së parë, të dytë dhe e tretë janë duke marrë ende përgjigje si rezultat i angazhimeve të vazhdueshme të profesionistëve dhe vullnetarëve”.
Si Shefe e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, përgjegjësitë e Dr. Marinho përfshijnë angazhime mjaft komplekse koordinuese brenda Misionit, duke përfshirë mandatin e tij për të ofruar ekspertizë dhe këshilla në vendndodhjen e varrezave klandestine ose të pashënuara përmes aplikimit të arkeologjisë mjeko-ligjore, si dhe për zhvarrimin dhe identifikimin e mbetjeve mortore.
Nga krijimi i EULEX-it në vitin 2008 deri në muajin shkurt 2025, Misioni ka marrë pjesë aktive në 860 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 215 zhvarrime. Mbetjet mortore të 533 personave janë identifikuar, duke përfshirë 367 persona të zhdukur.
“Jam jashtëzakonisht krenare për punën e palodhshme jo vetëm të ekipit tim, por edhe të Misionit në tërësi”, konfirmon Dr. Marinho, “përkundër sfidave ekzistuese, besoj se angazhimi ynë për t’i mbështetur institucionet përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, nga origjina e tyre etnike, fetare apo kombëtare apo ndonjë karakteristike tjetër është duke pasur ndikim real, rast pas rasti. Përmes punës sonë, ne jemi këtu për të kujtuar se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të marrin përgjigje dhe se ato nuk do lihen vetëm”.
Mohim përgjegjësie: Ky artikull u botua fillimisht në gjuhën angleze në ueb-faqen e EEAS.