Lajme

EULEX-i mbështet një sistem të qëndrueshëm të trajnimit në shërbim për Shërbimin Korrektues të Kosovës

20 mars

Nga data 11 deri më 20 mars 2025, Njësia Korrektuese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) lehtësoi një punëtori dy-modulare të Trajnimit të Trajnerëve (ToT) për 28 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), duke i hedhur themelet për një sistem të qëndrueshëm të trajnimit në shërbim.

Kjo nismë u fokusua në zhvillimin e dy moduleve të reja për trajnime të specializuara në gjuhën shqipe dhe serbe për trajnimin e stafit të burgjeve, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës për mënyrën më të mirë të adresimit të nevojave specifike dhe garantimit të drejtave të grupeve të veçanta të burgosurve: "Puna me të burgosurit me probleme të abuzimit me substanca" dhe "Puna me grupet e cenueshme".

Punëtoria ToT kishte për qëllim përgatitjen e zyrtarëve të përzgjedhur të burgjeve me aftësitë e nevojshme për t’i ofruar këto module për kolegët e tyre, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Duke e mbështetur krijimin e programeve të trajnimit që ende nuk janë të parapara në listën e

Akademisë së Kosovës për Shërbime Publike (AKSHP) për trajnimet në shërbim, si dhe duke përgatitur trajnerë të rinj për ta realizuar trajnimin në shërbim dhe, në fund, duke i regjistruar modulet në AKSHP, EULEX-i vazhdon ta ndihmojë SHKK-në në përputhjen me standardet korrektuese evropiane.

Moduli i parë u përqendrua në rritjen e të kuptuarit nga ana e stafit korrektues të arsyeve dhe intervenimeve ndaj sfidave të ndryshme të lidhura me abuzimin me substanca në burg, për të kontribuar në rehabilitimin dhe mundësinë e integrimit në shoqëri pas lirimit të burgosurve me probleme të abuzimit me substanca.

Moduli i dytë kishte në fokus punën me gratë e burgosura, të miturit femra dhe meshkuj, si dhe me grupe të veçanta të cenueshme, si të burgosurit me probleme të shëndetit mendor ose ata që rrezikojnë të bëjnë vetëvrasje apo ta dëmtojnë veten.

Punëtoritë u organizuan në kuadër të projektit në shkallë të vogël të EULEX-it "Mbështetja e SHKK-së në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe vetë-menaxhues të trajnimit në shërbim".

EULEX-i mbetet i përkushtuar për të ofruar mbështetje dhe këshillim për drejtuesit e SHKK-së dhe për ta mbështetur zhvillimin profesional të stafit korrektues. Përmes iniciativave të vazhdueshme të trajnimit, EULEX-i dhe SHKK-ja punojnë së bashku për ta rritur përgjegjshmërinë e SHKK-së dhe për t’i fuqizuar të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Kosovë.