Lajme

Avancimi i sensibilizimit për të drejtat e njeriut në kuadër të sistemit të drejtësisë: EULEX-i angazhon me sukses 125 profesionistë

10 prill

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) e përfundoi me sukses projektin e tij të shkallës së vogël të titulluar "Zhvillimi i kapaciteteve të të drejtave të njeriut për profesionistët ligjorë për përmirësimin e zbatimit të dispozitave ligjore në sistemin gjyqësor në veri të Kosovës". Projekti ka përfshirë pesë aktivitete përgjatë dy viteve të fundit dhe janë angazhuar 125 profesionistë nga fusha e drejtësisë, përfshirë këtu avokatë, gjyqtarë, prokurorë, dhe bashkëpunëtorë profesional.

Më 10 prill 2025, Misioni lehtësoi diskutimin e fundit në tryezë të rrumbullakët të ndërlidhur me projektin i cili kishte për qëllim shtimin e produktivitetit të seancave dëgjimore dhe avancimin e arsyetimeve të kërkesave të prokurorëve si dhe hartimin e vendimeve gjyqësore - të gjitha elemente esenciale për mbrojtjen e të drejtës së rëndësishme për gjykim të drejtë.

Në bashkëpunim me Gjykatën Themelore të Prishtinës, EULEX-i mblodhi gjashtëmbëdhjetë gjyqtarë dhe prokurorë nga të gjitha gjykatat dhe prokuroritë themelore prej të gjitha rajoneve të Kosovës për të ndarë përvojat e tyre dhe për të debatuar mbi tema si qasja e palëve në dosje penale, komunikimi me palë në procedurën paraprake, cilësinë e arsyetimeve në kërkesat për ndjekje penale, hartimi i vendimeve gjyqësore, dhe menaxhimi i seancave gjyqësore.

Debati ishte vazhdimësi e gjetjeve kryesore në Raportin e fundit të EULEX-it për Monitorimin në Drejtësi dhe u fokusua në shembuj praktikë.

Duke komentuar në veçanti rreth produktivitetit të seancave gjyqësore, në fjalimin hapës të tij, Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert Van Eck Koster, theksoi: “Shifrat tani janë shumë më të mira krahasuar me vitin 2018, kur ne filluam monitorimin: atë kohë 50% e gjykimeve që ne i kishim monitoruar ishin joproduktive, ndërsa viteve të fundit kjo ka ndryshuar në rreth 28%. Kjo përqindje megjithatë ende është shumë e lartë, ndërsa Kodi i Procedurës Penale permban një sërë instrumentesh që mund të përdoren për të tejkaluar këtë.”

Në fund të diskutimeve të moderuara nga Gjyqtarja Fatime Dermaku nga Gjykata Themelore e Prishtinës, nga Zëvendësudhëheqësja e Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Heidi Heggdal, dhe Monitoruesja e EULEX-it për drejtësinë, Verginiya Micheva-Ruseva, pjesëmarrësit u dakorduan për nevojën për të debatuar mbi interpretimin e ligjeve dhe të teksteve ligjore, si dhe për perfshirjen e avokatëve - si palë kryesore për të siguruar administrim produktiv të rasteve penale.