27 prill
Çdo 27 prill, Kosova shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur. Gjatë javës që i
parapriu kësaj dite përkujtimore, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë
(EULEX) iu bashkua homologëve të tij për të bashkndjerë me familjet e personave të zhdukur
dhe për ta mbrojtur të drejtën e tyre për ta ditur të vërtetën.
Nga data 22 deri më 25 prill, EULEX-i kontribuoi në punëtorinë “Harmonizimi i të dhënave dhe
finalizimi i dokumenteve strategjike në lidhje me personat e zhdukur”, e organizuar nga
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Gjatë diskutimeve teknike, pjesëtarët e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it ndanë
ekspertizën e tyre me Institutin e Mjekësisë Ligjore, Policinë e Kosovës, Komitetin
Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) dhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur
(ICMP) për harmonizimin e grupeve të dhënave, si dhe për përditësimin dhe standardizimin e
mbledhjes dhe regjistrimit të dhënave nga viti 1999 e tutje: një hap thelbësor për transferimin e
njohurive dhe menaxhimin e të dhënave, me qëllim forcimin e angazhimeve të institucioneve të
Kosovës për kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.
Më 25 prill, Zëvendës-shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga OJQ-të Qendra Burimore për Personat e Zhdukur (QBPZH), Pro Peace Kosovo dhe Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, për të nderuar rreth 1,600 persona që ende raportohen të zhdukur. Kjo nismë gjithashtu nderoi kujtimin për Bajram Çerkinin dhe Milorad Trifunovićin, themeluesit e QBPZH-së, të cilët i kushtuan jetën kërkimit për të vërtetën dhe drejtësisë.
Më 27 prill - Dita e Personave të Zhdukur në Kosovë - Rakhorst mori pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar nga autoritetet e Kosovës.
Në mbrëmje, në orën 20:30, Misioni mori pjesë në një nismë të shoqërisë civile duke i fikur dritat
në selinë e tij, në shenjë solidariteti me familjet e personave të zhdukur.
Më 28 prill, si pjesë e fushatës digjitale të EULEX-it - Në Fokus, Misioni publikoi një video ku
Shefja e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, Dr. Luisa Marinho, shpjegoi angazhimet e
vazhdueshme të Misionit për të ndihmuar në lokalizimin dhe identifikimin e personave të
zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.