16 maj
Nga data 8 prill deri më 16 maj 2025, Njësia Korrektuese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi një seri prej katër punëtorish në kuadër të projektit të saj në shkallë të vogël “Fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet hallkave të zinxhirit të drejtësisë për ta rritur përdorimin e dënimeve alternative, masave të diversitetit dhe për të përmirësuar kapacitetet e institucioneve të Kosovës në trajtimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të kryerëzve të verprave penale”.
Në këtë projekt u përfshinë 25 pjesëmarrës nga institucione kosovare të sundimit të ligjit, duke përfshirë pjesëtarë të Shërbimit Sprovues të Kosovës, gjyqtarë, prokurorë, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Policisë së Kosovës. Gjatë këtyre punëtorive, pjesëmarrësit diskutuan për dënimet alternative dhe masat e diversitetit, duke u fokusuar në mënyrat praktike për ta rritur përdorimin e masave jondaluese si një përgjigje më efektive, njerëzore dhe me kosto më të ulët ndaj krimeve, duke kontribuar kështu në drejtësinë riparuese dhe riintegrimin e personave të dënuar, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e individëve.
Gjatë aktivitetit të mbajtur më 16 maj, Njësia Korrektuese e EULEX-it fasilitoi prezantimin nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës të dy mjeteve të reja që kanë për qëllim fuqizimin e koordinimit ndërmjet agjencive dhe përmirësimin e administrimit të drejtësisë: doracaku informativ “Hyrje në punën sprovuese në Kosovë”, publikimi i të cilit është mbështetur nga EULEX-i; dhe krijimi i një linje telefonike për ndihmë brenda Shërbimit Sprovues të Kosovës. Përmes sigurimit të qasjes në kohë reale në informata të sakta në lidhje me procedurat sprovuese, avancimit të komunikimit dhe lehtësimit të vendimmarrjes me kohë, që përbën zvogëlim të vonesave dhe promovim të konsistencës, kjo linjë telefonike pritet ta përmirësojë efikasitetin, do të forcojë llogaridhënien institucionale dhe do t’i kontribuojë sigurisë publike.