19 maj
Më 19 maj 2025, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në
koordinim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, organizoi një tryezë diskutimi duke ofruar një
platformë për të identifikuar mënyrat për të përmirësuar mekanizmat e parandalimit dhe
mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje.
Duke patur parasysh rolin thelbësor që Këshillat Komunale të Sigurisë në Bashkësi (KKSB)
luajnë në rritjen e ndërgjegjësimit në mesin e komuniteteve për fenomenin e dhunës me
bazë gjinore dhe në forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe mbrojtjes, eventi mblodhi
përfaqësues të lartë nga Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi (KKSB) i Graçanicës,
zyrtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, si dhe udhëheqës të komunitetit dhe besimeve fetare.
Duke hapur diskutimin, Këshilltarja e EULEX-it për çështje gjinore, Chiara Tagliani, shprehu
mirënjohje për Misionin e OSBE-së në Kosovë për fasilitimin e eventit dhe theksoi rëndësinë
e përpjekjeve bashkëpunuese dhe të një qasjeje shumësektoriale në trajtimin e kësaj
çështjeje kaq të rëndësishme. Koordinatorja e KKSB-së në Graçanicë, Milica Krstić, riafirmoi
angazhimin e palëkundur të Këshillit për të luftuar dhunën në familje, duke nënvizuar
rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm institucional dhe të komunitetit.
Duke shtuar një perspektivë të bazuar në besim, Kryetari i Bashkësisë Islame në Prishtinë
njëherësh anëtar i KKSB-së në Graçanicë, Imami Hetem Sopjani, theksoi se, si mjet
parandalues, mesazhet që dënojnë dhunën në familje jepen rregullisht gjatë namazit të së
premtes, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
EULEX-i përsëriti angazhimin e tij të vazhdueshëm për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Kosovës dhe
shoqërinë civile për të përmirësuar parandalimin, mbrojtjen dhe ndjekjen penale që lidhen
me rastet e dhunës në familje.