Lajme

Komiteti i BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave e vizitoi EULEX-in

19 qershor

Nga data 16 deri më 19 qershor 2025, përfaqësuesit e Shteteve Anëtare të BE-së në Komitetin për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave (CivCom) me seli në Bruksel, së bashku me zyrtarë nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), e vizituan Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Gjatë qëndrimit të tyre, delegacioni dëgjoi drejtpërdrejt nga një gamë e gjerë bashkëbiseduesish — si brenda EULEX-it ashtu edhe nga partnerët e këtij Misioni në Kosovë, duke përfituar njohuri të thelluara mbi strukturën e Misionit, zbatimin e mandatit, si dhe situatën e sigurisë dhe gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë.

Me të mbërritur në Prishtinë, delegatët u mirëpritën nga Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, i cili e prezantoi sfondin kompleks operacional në të cilin operon Misioni, duke i theksuar prioritetet dhe sfidat e EULEX-it, të cilat kërkojnë një Mision që është i aftë për t’u përshtatur dhe përgjigjur me shpejtësi, gjithmonë bazuar në realitetin në terren, për të qenë në gjendje të sjellë ndikim pozitiv për institucionet dhe popullatën e Kosovës.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së, Barbano deklaroi: “Prania juaj këtu na lejon të reflektojmë së bashku për atë se si mund të vazhdojmë të përgjigjemi ndaj këtyre sfidave me qartësi, konsekuencë dhe përkushtim ndaj sundimit të ligjit. Besimi dhe mbështetja juaj e vazhdueshme jo vetëm që vlerësohen, por janë thelbësore për aftësinë tonë për t’u përshtatur dhe për të vepruar në një mjedis dinamik dhe shpesh sfidues”.

Dita e parë nisi me një informim të detajuar nga Shefi i Shtyllës për Monitorim, Giovanni Galzignato, i cili e theksoi përkushtimin e Misionit për të kryer monitorim të paanshëm dhe të fuqishëm të institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit.

Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko, i prezantoi aktivitetet e EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillim që synojnë t’i mbështesin Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK), në rehabilitimin e të burgosurve dhe luftimin e ndërhyrjeve të padrejta dhe trajtimit preferencial të burgosurve, respektivisht në zhvillimin e një qasjeje të strukturuar për rehabilitimin e të dënuarve me kusht, me fokus në parandalimin e persëritjes së veprave penale.

Shefi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, e shpjegoi rolin e EULEX-it në monitorimin e rasteve të përzgjedhura në të gjithë zinxhirin e drejtësisë, si dhe aktivitetet e mëparshme të raportimit.

Pjesëmarrësit u informuan gjithashtu rreth punës së Këshilltarëve të Lartë Policorë në Veri për promovimin e angazhimeve për punën policore në komunitet për të mirën e të gjitha komuniteteve.

Dita e parë vazhdoi me prezantimet nga Zëvendës Shefja e Misionit, Emily Rakhorst dhe Shefi i Shtyllës së Mbështetjes Operacionale, Carlos Pereira, mbi detyrat e ndryshme që i kryen Misioni në nivel operacional, përfshirë mbështetjen për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe në fushën e Policisë Ndërkombëtare.

Në një sesion të veçantë nga Arkeologu Forensik, Johan Rodriguez, u paraqit një përditësim i thelluar mbi punën e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it në mbështetje të homologëve të tyre në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucioneve të tjera përkatëse për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë, pavarësisht rrethanave të zhdukjes së tyre, prejardhjes etnike, fetare apo kombëtare, apo ndonjë karakteristike tjetër.

Delegacioni pati mundësinë të takohej me Komandantin e Misionit të udhëhequr nga NATO - KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, me të cilin diskutuan për situatën aktuale të sigurisë dhe mësuan se si bashkëpunojnë EULEX-i dhe KFOR-i, veçanërisht në skenarët që përfshijnë kontrollin e turmave dhe trazirave, në bazë të mekanizmit të reaguesve të sigurisë.

Zëdhënësja e Misionit dhe Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik, Nicole Miller, ofroi informata për angazhimet strategjike të EULEX-it në komunikimin publik, ndërsa Shefi i Departamentit të Mbështetjes së Misionit, Sean Kernis, i informoi vizitorët për aktivitetet logjistike dhe infrastrukturore të Misionit, përfshirë projektin e përfunduar së fundmi për panele diellore.

Dita e parë përfundoi me një pritje të organizuar nga Presidenca Polake e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedonin me përfaqësues të Familjes së BE-së në Kosovë.

Dita e dytë filloi me Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, i cili e priti delegacionin në Zyrën e BE-së, ku ata morën një informim politik mbi situatën aktuale në Kosovë.

Më pas vijoi një vizitë prekëse në Qendrën për Dokumentim të Kosovës, e menaxhuar nga OJQ Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë: një hapësirë e përkushtuar ruajtjes së kujtimit për të gjitha viktimat e shkeljeve të drejtave të njeriut të lidhura me konfliktin dhe për promovimin e drejtësisë tranzicionale.

Të pritur nga Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ata u njohën me këtë hapësirë mbresëlënëse dhe prekëse që flet për rëndësinë e llogaridhënies dhe kujtimit për të shmangur përsëritjen e shkeljeve të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.

Gjatë pasdites, delegatët u informuan nga Shefja e Divizionit të Burimeve Njerëzore, Anita Janassary.

Gjatë ditës së fundit të vizitës, delegacioni i CivCom lëvizi drejt Qendrës së EULEX-it në Mitrovicë, ku ata u informuan në detaje mbi sigurinë dhe, në prani të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Barduani, patën mundësinë ta vëzhgonin një ushtrim të përbashkët për kontrollin e turmave dhe trazirave të kryer nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe homologët e tyre të KFOR-it.

Dita vazhdoi me një informim në Mitrovicën e Veriut nga Koordinatori i EULEX-it për Veriun, Arno van der Paas.

Ndërkohë që ndodheshin në pjesën veriore të Kosovës, Shefi i Misionit Giovanni Pietro Barbano i shoqëroi pjesëtarët lituanezë dhe letonezë të delegacionit për të nderuar kujtimin dhe sakrificën e pjesëtarit të ndjerë të Misionit, doganierit lituanez Audrius Šenavičius, i cili u vra tragjikisht në krye të detyrës në vitin 2013.

Përgjatë tërë vizitës, delegatët e CivCom patën mundësinë të takojnë një numër partnerësh vendas dhe bashkëbiseduesish nga institucionet e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, me të cilët shkëmbyen vlerësime mbi sfidat dhe zhvillimet aktuale.

Programi zyrtar treditor përfundoi me një sesion përmbyllës nga Shefi i Misionit EULEX, i cili i falënderoi të gjithë delegatët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre.