Lajme

EULEX-i shënon Ditën Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë

30 gusht

Familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën: Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) vazhdon të jetë i përkushtuar për ta mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) dhe institucionet tjera përkatëse për kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Më 30 gusht 2025, Kosova shënoi Ditën Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, ndërsa Misioni, në bashkëpunim me IML-në, publikoi një përmbledhje të rezultateve kryesore të arritura gjatë vitit të kaluar në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur, krahas sfidave kryesore me të cilat përballen ende ekspertët e EULEX-it dhe IML-së gjatë realizimit të këtyre aktiviteteve.

Shikoni përmbledhjen këtu.

Më 29 gusht, Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, i nderoi viktimat duke marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar nga institucionet e Kosovës për të rikujtuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të rreth 1,590 personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.

Në mëngjes, Rakhorst mori pjesë edhe në lansimin e një koleksioni mbresëlënës intervistash me familjarët e personave të zhdukur, të dokumentuara nga OJQ-të vendase BIRN Kosova dhe Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike, si pjesë e projektit të financuar nga BE-ja “Zbulimi i së vërtetës: Luftimi i gazetarisë monoetnike dhe avokimi për personat e zhdukur në Kosovë”.

Ky projekt është një kujtim i fuqishëm i asaj se trauma e atyre që kanë mbetur pas meriton të njihet, si dhe është një dëshmi e jashtëzakonshme për rolin e mediave të paanshme në ruajtjen e kujtimit për të zhdukurit, duke kontribuar në kërkesën e përbashkët për të vërtetën dhe përgjegjësinë, falë ruajtjes së dëshmive të vërteta.

Aleancat e forta ndërmjet mediave të pavarura ndihmojnë në kërkimin për të zhdukurit, jo vetëm përmes raportimit të sinqertë, por edhe duke avokuar vazhdimisht që qytetarët të kontaktojnë autoritetet përkatëse me çdo informacion që mund të ndihmojë.

Më 30 gusht, Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX iu bashkua partnerëve afatgjatë të EULEX-it nga shoqëria civile, Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, në zbulimin e memorialit “Pema e Jetëve”, ku janë gdhendur emrat e personave të zhdukur: Një hapësirë kjo për ta kujtuar boshllëkun që e kanë lënë pas personat e zhdukur, falë mbështetjes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës.