Lajme

Ditët e Gjyqësorit 2025: Bashkëpunim për gjyqësor më të fuqishëm

12 dhjetor

Më 5 dhe 12 dhjetor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) organizoi konferencën e Ditëve të gjyqësorit 2025. Kjo konferencë dyditore mbahet çdo vit, duke sjellë institucione të gjyqësorit, partnerë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile për promovim të sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, dhe qasjes në drejtësi në Kosovë.  

Ngjashëm me edicionet e kaluara, edhe këtë vit KGJK-ja ftoi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) për të dhënë kontribut aktiv në konferencë.  

Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për monitorim të rasteve, Hubert van Eck Koster, e përfaqësoi Misionin me një prezantim të monitorimit të thuktë gjyqësor dhe të aktiviteteve të raportimit të monitorimit të drejtësisë, ku theksoi se bashkëpunimi mes EULEX-it dhe KGJK-së është i ndërtuar mbi transparencë, qasje dhe besim – si elemente kryesore që fuqizojnë pavarësinë gjyqësore, mbështesin reformat, dhe rrisin besimin e publikut.  

Më 5 dhjetor, van Eck Koster vijoi sesionin e hapjes së programit, duke u bërë pjesë e diskutimit në panel “Bashkëpunimi i gjyqësorit me partnerët ndërkombëtarë – mbështetja dhe monitorimi”.   

Kontributi i tij u fokusua në procesin e zbatimit të rekomandimeve për fuqizimin e funksionimit të gjyqësorit, me ç’rast prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të sapopublikuar të EULEX-it për monitorimin e drejtësisë 2025, duke vënë në dukje se ai ofron udhëzime konkrete dhe të bazuara në dëshmi. Ai theksoi se “EULEX-i nuk i sheh monitorimin dhe bashkëpunimin si procese paralele, por si fuqizues të ndërsjellë,” duke shtuar se, duke qenë i hapur KGJK veçse është vendosur në mesin e organeve të udhëheqjes gjyqësore më transparente në Kosovë. “Sfida përballë”, shtoi ai, “është që kjo transparencë të shndërrohet në zbatim të strukturuar, të matshëm dhe të qëndrueshëm të rekomandimeve.” 

Më 12 dhjetor, Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për monitorim të rasteve dha një fjalim gjatë të cilit ai reflektoi mbi transparencën dhe gatishmërinë e vërtetë të shfaqur nga KGJK-ja për angazhim me monitorim të jashtëm të pavarur.  

Van Eck Koster potencoi se, falë partneritetit të maturuar dhe të bazuar në mirëbesim mes EULEX-it dhe KGJK-së, monitoruesve të EULEX-it u është dhënë qasje në më shumë se 300 seanca gjyqësore këtë vit, përfshirë – aty ku ka qenë juridikisht e lejueshme – në seanca gjyqësore të mbyllura. Kjo qasje e papenguar i ka mundësuar Misionit të publikojë në baza të rregullta raportin e EULEX-it për monitorimin e drejtësisë, i cili është tërësisht i bazuar në vrojtime nga afër, analiza të strukturuara dhe të dhëna të verifikuara, me rekomandime konkrete, të arritshme dhe të rreshtuara krah standardeve për të drejtat e njeriut. Duke bërë një elaborim mbi kompleksitetin e zbatimit të tyre në praktikë, ai rikujtoi tri elemente vendimtare: 

E para, pronësia institucionale. Reformat e qëndrueshme janë në pronësi të plotë të gjyqësorit. Me integrimin e rekomandimeve nga ana e KGJK-së në planifikimet strategjike, rregulloret e brendshme dhe monitorimin e performancës, nga të qenët “rekomandime të EULEX-it, OSBE-së, apo të Këshillit të Evropës” ato bëhen prioritete për reforma gjyqësore të Kosovës. 
Organizatat e monitorimit gjithashtu ndajnë edhe përgjegjësi: përmes koordinimit të shtuar dhe harmonizimit të rekomandimeve aty ku është e mundur, KGJK-ja do të kishte rrugë më të qartë për miratimin e tyre.  

E dyta, prioritizimi dhe sekuencimi. Jo të gjitha rekomandimet kërkojnë të njëjtën urgjencë apo të njëjtat mjete. Dallimi mes përmirësimeve procedurale afatgjate, ngritjes së kapaciteteve afatmesme, dhe reformave strukturore afatgjate, mundëson zbatim të realizueshëm dhe progres të matshëm.  

E treta, dialogu i vazhdueshëm dhe vijueshmëria. Reformimi nuk është veprim i vetëm, por është proces. Shkëmbimet teknike të rregullta, rishikimet e progresit, si dhe vlerësimet e udhëhequra prej të dhënave, janë të domosdoshme.  

“Hapja e KGJK-së për përqafimin e proceseve të reformave të mëtejme dhe të debatit profesional, siç është demonstruar përmes këtyre Ditëve të gjyqësorit, përbën shenjë të pjekurisë institucionale. Kjo pasqyron një sistem që nuk i frikësohet shqyrtimeve por i konsideron ato si mundësi për përmirësim,” përfundoi van Eck Koster.