Lajme

Xhandarët nga dislokimi i 6-të i NJPSR-së të EULEX-it pranojnë medalje të PPSM-së për shërbim

16 dhjetor

Më 16 dhjetor 2025, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, kryesoi ceremoninë zyrtare të ndarjes së medaljeve të Politikës të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (PPSM) për shërbim për xhandarët e dislokimit të gjashtë të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it.

Ceremonia u mbajt në kompleksin e EULEX-it në Prishtinë në praninë e Komandantit të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFOR) Kolonel Pawel Grajek, njëkohësisht kryesues i një delegacioni të EUROGENFOR-it, dhe u vijua nga ambasadorë të shteteve kontribuuese të EUROGENDFOR-it dhe përfaqësues të autoriteteve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare.

Komandanti i EUROGENDFOR-it Kolonel Pawel Grajek iu drejtua pranueseve të medaljeve duke theksuar se performanca e tyre reflekton vlerat themelore të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane dhe fuqinë e forcave të xhandarmerive të shteteve që i përfaqësojnë, duke i lavdëruar ata për gatishmërinë dhe vendosmërinë e treguar përmes zotimit dhe përkushtimit të tyre.

Në fjalën e tij hyrëse, Shefi i EULEX-it shprehu mirënjohje për shërbimin e dalluar dhe kontributin profesional të dhënë nga zyrtarët e NJPSR-së të siguruar nga pesë forca pjesëmarrëse, Gendarmerie Nationale nga Franca, Arma dei Carabinieri nga Italia, Koninklijke Marechaussee nga Holanda, Żandarmeria Wojskowa nga Polonia, dhe Guarda Nacional Republicana nga Polonia, një shembull i qartë i koherencës së qasjes së integruar të BE-së për siguri dhe sundim të ligjit.

Barbano po ashtu lavdëroi punën shembullore të NJPSR-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, mbështetje kjo dhënë Misionit në përmbushjen e mandatit të tij për të kontribuar për siguri dhe mbrojtje për të gjitha komunitetet.

Kjo medalje e PPSM-së të BE-së ndahet nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për të gjitha gratë meritore dhe të gjithë burrat meritorë që shërbejnë nëpër misione të ndryshme të PPSM-së.