Lajme

EULEX priti mbi 100 studentë nga Global Campus of Human Rights (EMA)

20 janar

Më 20 janar 2026, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) me kënaqësi i priti mbi 100 studentë nga Global Campus of Human Rights, të regjistruar në Programin Evropian të Masterit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA), për një vizitë studimore në këtë Mision.

Studentët i përshëndeti Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja e Misionit, Nicole Miller, së bashku me Këshilltaren për të Drejtat e Njeriut, Valentina Vitali, të cilat i njohën ata me kornizën operacionale të EULEX-it në kuadër të Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP), si dhe me zhvillimin e mandatit të Misionit ndër vite. Ky prezantim ofroi një pasqyrë më të afërt mbi rolin kompleks të EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë për përmbushjen e obligimeve të tyre në fushën e të drejtave të njeriut ndaj të gjithë individëve, pa diskriminim.

Parimet kyçe të drejtave të njeriut ishin në spikamë të diskutimit, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë dhe liri, lirinë nga tortura dhe format e tjera të keqtrajtimit, mbrojtjen nga dhuna në baza gjinore, të drejtat e të burgosurve dhe të drejtat e fëmijëve në kuadër të drejtësisë për të mitur, të drejtën për ta ditur të vërtetën për familjet e personave të zhdukur, si dhe të drejtën për siguri.

Vizita u përmbyll me një sesion dinamik pyetje-përgjigje, që u karakterizua me pyetje të menduara mirë dhe angazhim të lartë të studentëve.

EULEX-i u shpreh falënderimet e tij të sinqerta të gjithë pjesëmarrësve për interesimin, energjinë dhe përkushtimin e tyre për të mësuar më shumë rreth avancimit të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.