Lajme

Forcimi i planifikimit të dënimeve në Sistemin Korrektues të Kosovës

11 shkurt

Plani i dënimit shërben si themel për aktivitetet që synojnë parandalimin e përsëritjes së veprave penale, duke mbështetur njëkohësisht risocializimin dhe riintegrimin në shoqëri pas lirimit, andaj ai duhet të hartohet në mënyrë individuale për secilin të burgosur.

Nga 26 deri më 27 janar dhe më 11 shkurt 2026, Njësia Korrektuese e EULEX-it lehtësoi dy punëtori për stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), me qëllim hartimin dhe finalizimin e Udhëzuesit të brendshëm të SHKK-së për Zbatimin e Planeve të Dënimit dhe modelit përcjellës për shqyrtim: një hap i rëndësishëm drejt forcimit të standardeve profesionale brenda sistemit korrektues të Kosovës.

Udhëzuesi prezanton një strukturë të qartë dhe praktike për planifikimin e dënimeve, duke ndihmuar në sigurimin e konsistencës, llogaridhënies dhe progresit real e të matshëm gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të një të burgosuri. Secili plan është i përshtatur sipas individit, duke marrë parasysh rreziqet specifike, nevojat dhe objektivat e rehabilitimit, si dhe shërben si një udhërrëfyes pune për stafin korrektues në mbështetje të ndryshimit domethënës.

Shqyrtimet e rregullta sigurojnë që plani të mbahet i përditësuar, duke e marrë parasysh progresin e të burgosurit dhe rrethanat në zhvillim.

Modeli i ri i finalizuar për shqyrtim u ofron profesionistëve korrektues një mjet të thjeshtë dhe praktik për t’i vlerësuar zhvillimet, për t’i përshtatur masat kur është e nevojshme, si dhe për ta mbështetur më mirë rehabilitimin dhe riintegrimin pas lirimit.

Hartimi i këtij dokumenti është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të EULEX-it për SHKK-në në krijimin e praktikave të qëndrueshme të punës në përputhje me standardet evropiane.