03 maj
Prej datës 6 prill deri më 3 maj 2026, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) transmetoi një fushatë katër javore sensibilizuese për mandatin e tij, me synim informimin e publikut të Kosovës përmes platformave televizive dhe mediave digjitale.
Kjo fushatë u transmetua në 10 kanale televizive dhe 7 portale online në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërsa ndjekësit e EULEX-it në rrjetet sociale kanë mundur ta shikonin atë edhe në gjuhën angleze.
Secila javë iu kushtua një aspekti të veçantë të mandatit shumëdimensional të Misionit.
Fushata filloi më 6 prill, duke u fokusuar në rolin e EULEX-it për mbështetjen e institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikave më të mira evropiane.
Pjesa e dytë e fushatës filloi më 16 prill dhe u fokusua në rolin monitorues të Misionit që kontribuon në transparencën dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke e vlerësuar funksionimin e tij sa i përket përputhshmërisë procedurale, ligjore dhe me të drejtat e njeriut.
Më 21 prill, gjatë fushatës u prezantua kontributi i Misionit në mbështetjen e stabilitetit dhe sigurisë për të mirën e të gjitha komuniteteve si reaguesi i dytë i sigurisë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë në Kosovë.
Faza përfundimtare e fushatës filloi më 27 prill, Dita Kombëtare për Personat e Zhdukur në Kosovë, dhe vuri në spikamë të drejtën e familjarëve të personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën, si dhe punën forenzike të EULEX-it në mbështetje të kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë, pavarësisht rrethanave të zhdukjes së tyre apo përkatësisë së tyre etnike, fetare, kombëtare.