Lajme

EULEX-i dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës forcojnë udhëheqjen e burgjeve përmes trajnimeve të avancuara për menaxhment

22 maj

Më 22 maj 2026, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) e përmbyllën me sukses programin e trajnimit 15-ditorë me temë menaxhimin, i dedikuar për drejtorët e burgjeve dhe udhëheqësit e njësive të institucioneve korrektuese nga mbarë Kosova.

I mbajtur nga Njësia Korrektuese e EULEX-it, ky program u fokusua në forcimin e kapaciteteve të udhëheqjes dhe menaxhimit brenda SHKK-së, përmes promovimit të profesionalizmit, llogaridhënies dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Një element kryesor i kësaj iniciative ishte fokusi i saj në qëndrueshmëri dhe pronësi vendase. Përmes qasjes ‘trajnimi i trajnerëve’, programi pati për qëllim jo vetëm prezantimin e njohurive, por edhe forcimin e kapaciteteve afatgjate të SHKK-së për trajnime të brendshme. Në nëntor dhe dhjetor 2025, ekspertë nga Shërbimi i Suedisë për burgje dhe sprovim, së bashku me EULEX-in, ofruan trajnim pedagogjik për një numër të caktuar të stafit të SHKK-së për temën e mësimnxënies te të rriturit dhe zhvillimin e planprogrameve, të cilët më vonë ndihmuan për mbajtjen e trajnimeve për menaxhim nga vet ata.

I organizuar në tri faza përgjatë muajve mars dhe maj 2026, programi mblodhi gjithsej 22 pjesëmarrës. Përmes trajnimit, pjesëmarrësit eksploruan tema të udhëheqjes dhe të menaxhimit të ndërlidhura me sfida të përditshme të institucioneve korrektuese, me theks të posaçëm mbi udhëheqjen etike, llogaridhënien dhe aplikimin e standardeve të njohura ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut, si “Rregullat Nelson Mandela”, “Rregullat e Bangkokut”, dhe “Rregullat e Pekinit”.

Krahas forcimit të shkathtësive profesionale, trajnimi inkurajoi edhe të mësuarit mes kolegëve, diskutime të hapura dhe shkëmbim të përvojave mes menaxherëve të burgjeve dhe udhëheqësve të njësive, çka ndihmoi për ndërtimin e bashkëpunimit më të fuqishëm brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Programi u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së certifikatave, gjatë së cilës pjesëmarrësit pranuan certifikatat e tyre, duke shënuar kështu një hap tjetër të rëndësishëm në përkushtimin e vazhdueshëm të Misionit për profesionalizmin e sistemit korrektues të Kosovës.