Lajme

Dita Botërore e Mjedisit 2026: EULEX-i organizon prezantimin e raportit të EcoZ “Hartëzimi dhe vlerësimi paraprak i shkallës dhe lokacionit të deponive të paligjshme të mbeturinave në Kosovë”

05 qershor

Më 5 qershor 2026, në Ditën Botërore të Mjedisit, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për mbështetjen e angazhimeve të autoriteteve të Kosovës për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimit mjedisor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në partneritet me OJQ-në vendore EcoZ (Zona rinore ekologjike dhe e sigurisë), organizoi një diskutim me institucione të sundimit të ligjit, autoritete mjedisore, komuna, operatorë të menaxhimit të mbeturinave, partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë, të përqendruar në prezantimin e raportit të EcoZ të mbështetur nga EULEX-i “Hartëzimi dhe vlerësimi paraprak i shkallës dhe lokacionit të deponive të paligjshme të mbeturinave në Kosovë.”

Raporti paraqet një hartëzim dhe vlerësim paraprak të gjendjes në teren të shkallës dhe lokacionit të deponive të paligjshme të mbeturinave në Kosovë, të bazuar në hulumtime nga zyra si dhe në të dhëna të grumbulluara përmes vizitave në teren, koordinata të GPS, prova fotografike, dhe Google My Maps, që ofrojnë bazë praktike për vijim institucional, inspektim, zbatim, prioritizim të pastrimit dhe raportim publik.

Gjithsej janë hulumtuar 477 lokacione, prej të cilave 379 janë identifikuar si deponi të paligjshme të mbeturinave, çka tregon se hedhja e paligjshme e mbeturinave vazhdon të jetë sfidë e vazhdueshme pavarësisht pranisë së kornizës juridike dhe rregullative për menaxhimin e mbeturinave.

127144-2.jpg

Në fjalimin e tij të hapjes, Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster, theksoi se raporti, i përgatitur brenda kornizës së projektit të shkallës së vogël; të financuar nga EULEX-i “Krimi mjedisor – veprimet mbështetëse për mundësimin e efektivitetit të sundimit të ligjit”, kontribuon për adresimin e krimeve mjedisore në Kosovë duke fuqizuar llogaridhënien, transparencën dhe sundimin e ligjit.

“Gjetjet në këtë raport janë të qarta. Nëpër komunat e hulumtuara, janë identifikuar me qindra deponi të paligjshme të mbeturinave. Shumë prej tyre janë të vendosura në afërsi të lumenjve, rrugëve, zonave të banimit, dhe vendeve të bukurive natyrore. Disa përmbajnë mbeturina të rrezikshme. Të tjera janë rishfaqur menjëherë pasi janë pastruar,” tha van Eck Koster. Duke bërë thirrje për reagim të koordinuar mes palëve të interesit, ai theksoi “ligjet mjedisore janë aty për një arsye. Ato janë aty për mbrojtjen e komuniteteve, gjeneratave të ardhshme dhe trashëgimisë sonë natyrore të përbashkët. Kur këto ligje nuk përfillen, pasojat shtrihen përtej vet mbeturinave.”

149672-3.jpg

Duke e hapur diskutimin, Lumturije Vucetaj, Kryeprokurore e Prokurorisë Themelore të Pejës, shpjegoi se deponitë e paligjshme përbëjnë çështje serioze të sundimit të ligjit, meqë ato paraqesin kërcënim afatgjatë ndaj mjedisit dhe mirëqenies, duke prekur kështu shoqërinë në tërësi, andaj edhe kërkojnë reagim konsistent nga institucionet publike. Ajo poashtu pranoi se instrumentet e raportimit publik mund të luajnë rol të rëndësishëm për të ndihmuar për zbulimin e krimit mjedisor.

“Deponitë e paligjshme janë përgjegjësi e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike,” tha Vucetaj. “Ato nuk janë krime pa viktima: të gjithë qytetarët janë viktima, jo vetëm mjedisi,” potencoi ajo, duke theksuar se policia, prokuroria dhe gjykatat duhet t’i adresojnë këto raste në fazë të hershme, t’i identifikojnë përgjegjësit dhe të kërkojnë llogari prej tyre, e po ashtu edhe të shqiptojnë ndëshkime të përshtatshme, e njëkohësisht të fuqizojnë bashkëpunimin me autoritetet publike, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

59862-4.jpg

Udhëheqësi i Sektorit të Policisë së Kosovës për hetimin e krimeve të rënda, Fadil Haliti, theksoi se që nga themelimi i tij në vitin 2014, sipas këshillave të EULEX-it, Njësia e Policisë së Kosovës për krime mjedisore ka luajtur rol kryesor në hetimin e krimeve mjedisore që prekin tokën, ajrin, ujin dhe ekosistemet, njëkohësisht duke koordinuar angazhimet nëpër Kosovë. Ndonëse bashkëpunimi me institucionet publike, në veçanti me autoritetet mjedisore, është i fuqishëm, njësia vazhdon të përballet me sfida për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të ekspertëve mjedisorë për vlerësimin e dëmeve mjedisore.

Pavarësisht sfidave, Haliti kujtoi se njësia ka angazhime zbatuese të fuqizuara, në veçanti sa i përket rritjes së konsiderueshme të numrit të gjobave të shqiptuara dhe punës për përgjegjësinë e kryerësve të veprave. “Kohëve të fundit, me rastin e krijimit të një grupi operacional emergjent për menaxhimin e mbeturinave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, njësia jonë ka caktuar një zyrtar i cili do të qëndrojë pranë këtij grupi për marrjen dhe shpërndarjen e informatave në lidhje me çështjet e mbeturinave,” konfirmoi ai.

150751-5.jpg

Udhëheqësi i Divizionit për gjendjen mjedisore të Agjencisë kosovare për mbrojtjen e mjedisit, Tafë Veselaj, foli për rolin e agjencisë, e cila operon përmes tri drejtorive dhe dy institucioneve, përfshirë strukturat përgjegjëse për menaxhimin e parqeve natyrore, duke theksuar mandatin e saj të gjerë për mbrojtjen dhe monitorimin e mjedisit. Ai theksoi se Kosova ka themeluar kornizë institucionale dhe ligjore për menaxhimin e mbeturinave që përfshijnë legjislacionin specifik, tetë udhëzime administrative që adresojnë deponitë e paligjshme dhe një sistem të integruar të licensimit i cili qartë i përkufizon përgjegjësitë për menaxhimin e deponive dhe lokacioneve të mbeturinave. Ai tutje nënvizoi se monitorimi i qëndrueshëm, koordinimi institucional i forcuar dhe përpjekjet e vazhdueshme për sensibilizim publik kanë kontribuar për progres të matshëm në uljen e numrit të deponive të paligjshme nëpër Kosovë.

22583-6.jpg

Linda Çavderbasha, Drejtoreshë për planifikim dhe zhvillim në Kompaninë kosovare për menaxhimin e deponive, theksoi nevojën urgjente për fuqizimin e edukimit mjedisor nëpër Kosovë. “Më e rëndësishmja është që të rritet sensibilizimi në mesin e qytetarëve tanë, të fillohet edukimi për mbrojtjen mjedisore që nga shkolla fillore, parashkollorët. Kjo, unë besoj, është elementi i parë në këtë zinxhir,” tha ajo, duke shtuar se ndryshimi kuptimplotë fillon me sensibilizimin e qytetarëve dhe sjelljet e përditshme. Ajo theksoi se edhe veprimet e vogla por konsistente, si klasifikimi i duhur i mbeturinave, reduktimi i plastikave njëpërdorimëshe dhe praktikat e hedhjeve të përgjegjshme, bashkërisht mund të kenë ndikim pozitiv të konsiderueshëm në mjedis.

Ajo tutje theksoi rëndësinë e avancimit të ekonomisë qarkore në Kosovë, duke kaluar nga modelet tradicionale të hedhjes së mbeturinave drejt sistemeve që prioritizojnë reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin, njëkohësisht duke kontribuar për zhvillimin e kornizave strategjike të përshtatura me standardet e Bashkimit Evropian të synuara për përmirësimin e proceseve të trajtimit të mbeturinave dhe efikasitetin operacional në katër lokacionet e mbeturinave që aktualisht kompania i ka nën menaxhim.

42347-7.jpg

Në prezantimin e saj të gjerë mbi gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raportit, Egzona Shala Kadriu, Drejtoreshë ekzekutive e EcoZ, rikujtoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, krijimin e një databaze nacionale të deponive të paligjshme, përmirësimin e zbatimit kundër krimeve mjedisore, avancimin e shërbimeve për menaxhimin e mbeturinave, shtimin e monitorimit të pastrimit të zonave me rrezik të lartë, dhe, në fund, forcimin e sensibilizimit qytetar dhe të kapacitetit për raportimin e krimeve dhe shkeljeve mjedisore te autoritetet e Kosovës.

95787-8.jpg

Duke kontribuar për diskutimet, Olivier Boudart, Udhëheqës i Ekipit për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Sistemet e Qëndrueshme Ushqimore nga Seksioni i Bashkëpunimit të Zyrës së BE në Kosovë, theksoi se çështja duhet të kuptohet dhe të adresohet si shumëfaktoriale dhe se ajo shtrihet përtej Kosovës, duke reflektuar një sfidë më të gjerë evropiane. Ai rikujtoi nevojën urgjente për investime në deponi sanitare dhe trajtim të duhur të mbeturinave të rrezikshme, si dhe rëndësinë që Kosova të zhvillojë një plan kombëtar për deponi, çka është një prej rekomandimeve të përfshira në Raportin e BE-së për Kosovën 2026.

Në përgjithësi, pjesëmarrësit u pajtuan për nevojën e mbrojtjes së të drejtave universale të njeriut për qasje në mjedis të pastër dhe të shëndetshëm dhe trajtimin e hedhjeve të paligjshme jo vetëm si problem i menaxhimit të mbeturinave, por edhe si krim mjedisor dhe shqetësim të sundimit të ligjit.

Lexoni raportin e plotë këtu.