10 qershor
Më 10 qershor 2026, 89 zyrtarëve policorë nga Poloni të Rotacionit të XXXVIII-të të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) iu nda Medalja e Shërbimit e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së si shenjë mirënjohje për përkushtimin e tyre ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së medaljeve u zhvillua në Qendrën EULEX-it në Mitrovicë dhe u kryesua nga Zëvendës-Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, në prani të një delegacioni të lartë polak të udhëhequr nga Zëvendës Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Polonisë, Gjenerali Tomasz Michułka, së bashku me Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin Mariusz Brymora, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe mysafirë të tjerë të shquar.

Gjatë fjalës së saj, Rakhorst theksoi rolin shumë të rëndësishëm që e luajnë zyrtarët e NJPS-së, duke vënë në dukje se profesionalizmi dhe gatishmëria e tyre operative kanë qenë thelbësore për t’i mundësuar EULEX-it që të promovojë të drejtat e njeriut, duke e mbështetur njëkohësisht stabilitetin dhe sundimin e ligjit si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë. Duke i falënderuar përfituesit e medaljeve nga NJPS-ja për profesionalizmin e tyre, Rakhorst gjithashtu shprehu mirënjohjen e saj për Poloninë: “Për shumë vite, Polonia ka qenë një nga kontribuesit më të përkushtuar dhe më të besueshëm të Misionit. Cilësia e zyrtarëve që i keni ofruar ka qenë vazhdimisht e jashtëzakonshme, dhe ceremonia e sotme është një tjetër dëshmi e këtij angazhimi”.

Gjenerali Michułka përgëzoi gratë dhe burrat që e përbëjnë NJPS-në për ndjenjën e tyre të përkushtuar të përgjegjësisë, disiplinën dhe gatishmërinë për të shërbyer.
Duke iu drejtuar zyrtarëve, ai deklaroi: “Duke shërbyer në Kosovë, ju përfaqësoni jo vetëm policinë e Republikës së Polonisë, por edhe vendin tonë dhe vlerat e kombit tonë dhe të komunitetit evropian: respektin për sundimin e ligjit, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin ndërkombëtar. Puna juaj e përditshme, shpesh në kushte të paparashikueshme, kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe besimit publik në institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik”, tha ai.

Ceremonia u mbyll me fjalën e Komandantit të NJPS-së, Major Marceli Abratkiewicz, i cili shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar nga zyrtarët polakë, duke i vlerësuar sakrificat e përfshira në shërbimin jashtë shtetit, larg familjeve dhe të dashurve të tyre.

NJPS e EULEX-it e mbështet stabilitetin në Kosovë dhe kontribuon në sigurinë e të gjitha komuniteteve. NJPS përbëhet nga 105 zyrtarë policorë nga Polonia të dërguar nga Polonia dhe vepron si reagues i dytë i sigurisë, duke qenë pjesë e një mekanizmi me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është i pari, EULEX është i dyti dhe misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.