Lajme

Trajnim për Policinë e Kosovës mbi temën ‘mediat dhe komunikimi'

17 dhjetor 2015

Të mërkurën, më 16 dhjetor, Zyra për Shtyp dhe Informim Publik në EULEX (ZSHIP) organizoi një trajnim për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës nga stacionet policore të veriut të Kosovës mbi temën ‘mediat dhe komunikimi’. Trajnimi, qëllimi i së cilit ishte fuqizimi i aftësive të policisë për komunikim me media dhe qytetarët, mblodhi 14 zyrtarë policorë të PK-së nga stacionet policore të Zubin Potokut, Leposaviqit, Zveçanit, dhe Mitrovicës veriore në objektet e EULEX-it në veri të cilat gjenden në Shtëpinë e BE-së. 

Trajnimin e udhëhoqi zëvendësshefja e ZSHIP-së, Dragana Nikolic-Solomon, me fjalimin hapës të këshilltarit kryesor rajonal të Divizionit për fuqizimin e policisë, Pascal Scordia. 

Gjatë viteve të kaluara, mediat kanë filluar të përdorin teknologji të reja, metoda të komunikimit të shpejta, si dhe rrjete sociale në internet, dhe i kanë inkurajuar qytetarët që të raportojnë gjërat që i shohin pothuajse aty për aty. Këto ndryshime të mediave kërkojnë qasje të re nga ana e autoriteteve për zbatimin e ligjit për kuptimin e perceptimit të qytetarëve për punën e tyre dhe të përvetësojnë metoda të reja të komunikimit me gazetarë, transmetuesit mediatik, dhe qytetarët nëpër komunitetet e tyre. 

Gjatë punëtorisë u dhanë shembuj të mediave të reja dhe shembuj për përmirësimin e raporteve me gazetarët. Të pranishmëve po ashtu iu dhanë informata lidhur me përmirësimin e komunikimit me qytetarë dhe kur janë para kamerave. Meqë shumica e zyrtarëve policorë në të kaluarën ishin pak të ekzpozuar ndaj mediave, ata i mirëpritën sugjerimet rreth paraqitjeve, si rreth përmirësimit të gjuhës së tyre të trupit dhe përqendrimin në aspektet kyçe të porosive që jepen. Znj. Nikolic-Solomon i dha para zyrtarëve policorë një numër shembujsh të gazetarisë qytetare në shtetet fqinje,  duke e paraqitur nevojën e rritur që autoritetet për zbatimin e ligjit të tregojnë profesionalizëm dhe sjellje të duhur gjatë tërë kohës. 

Koordinatori i EULEX-it për veriun, Ian Bancroft, iu bashkëngjit punëtorisë për të folur rreth shembullit të forcës policore Royal Ulster Constabulary në Irlandën e Veriut dhe se si reformimi i saj ishte element kyç i procesit të paqes pas konfliktit ndëretnik.  Z. Bancroft e theksoi rëndësinë e trajtimit të perceptimeve rreth sigurisë, ku pohoi se edhe pse statistikat mund të tregojnë rënie të krimeve, qytetarët mund të mos ndjehen më të sigurt.

Gjatë pjesës së dytë të punëtorisë, zyrtarët policorë patën mundësinë që të vlerësonin studime të rasteve, t’i shtjellonin ato nëpër punë grupore, dhe të udhëhiqnin një konferencë për media, në mesin e gazetarëve simulues, dhe të incizoheshin me kamera. Pas asaj, atyre iu mundësua që t’i shihnin paraqitjet e veta dhe iu dhanë komente dhe sugjerime rreth fuqizimit të komunikimit të tyre dhe performancës së përgjithshme. 

Kjo punëtori ishte pjesë e mbështetjes së EULEX-it për Komandën Rajonale të PK në Veri dhe katër stacionet policore në fushën e përgjegjësisë. Përmes iniciativave të ngjashme, Njësia për fuqizim dhe ZSHIP të EULEX-it do të vazhdojnë t’i ofrojnë Policisë së Kosovës mbështetje për fuqizimin e kapaciteteve për komunikim me media dhe qytetarë.