02 qershor 2016
Më 1 qershor 2016, Njësia Kufitare e EULEX-it për pjesën veriore ka organizuar një punëtori trajnuese për rreth 40 pjesëtarë të Policisë Kufitare të Kosovës (PKK), me qëllim të informimit/trajnimit të pjesëtarëve të PKK për nevojën e sjelljes profesionale të sigurisë në terren, rëndësinë e kontrollimit të automjeteve dhe personave dhe për të paraqitur një pasqyrë për atë se si dhe përse është e rëndësishme mbikëqyrja e kufirit të gjelbër.
Nevoja për kryerje efektive dhe profesionale të bastisjeve dhe të kontrollimit të personave dhe automjeteve të të gjitha madhësive është kyçe për të parandaluar futjen e produkteve dhe substancave të dëmshme në vend. Punëtoria po ashtu ka ofruar një trajnim praktik për leximin e hartave dhe të GPS-it, në mënyrë që policët të dinë saktësisht vendndodhjen e tyre gjatë patrullimit të kufirit. Pas kryerjes së disa patrullimeve të përbashkëta mes EULEX-it dhe PKK-së, policët e EULEX-it vërejtën se shumica e pjesëtarëve të PKK-së, ndonëse kishin njohuri të mjaftueshme për Zonën e Përgjegjësisë së tyre, kishin mungesë të njohurive për leximin e hartave dhe të përdorimit të instrumenteve moderne në terren, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe se këto shkathtësi duhen përmirësuar. Pasurimi i njohurive të policëve të PKK-së do të përmirësojë të kuptuarit më të mirë jo vetëm të gjeolokacioneve, por do të jenë edhe të dobishme për planifikim më të mirë të ndërrimeve, lëvizjen e ndërrimeve, përmirësimin e komunikimit mes ndërrimeve me qendrat e komandimit, e që në masë të madhe do të rrisin kapacitetin për analizën e riskut në dy stacionet e PKK-së të pjesës veriore.
Zona e Përgjegjësisë së dy stacioneve policore të PKK-së në veri mbulon rreth 140 km të vijës kufitare-administrative në të cilën ekziston një numër i madh i rrugëve të njohura dhe atyre alternative. Kjo zonë kontrollohet nga 64 policë të PKK-së të cilët menaxhohen prej dy komandantëve të stacioneve policore (PKK Leposaviq dhe PKK Zubin Potok). Në secilin stacion, detyrat ditore kryhen prej katër ekipeve (secili ekip përbëhet prej 8 policëve) të cilët i kryejnë detyrat e tyre 24/7. Në fund të këtij trajnimi EULEX-i i ka pajisur policët e PKK-së me harta të hollësishme, si mjete për kryerjen e detyrave të veta në mënyrë sa më efektive.