Lajme

EULEX-i dhe ICITAP-i e organizuan një trajnim për vlerësimin e rrezikut në bazë të dhënave të inteligjencës për planifikimin dhe menaxhimin e ngjarjeve të mëdha

09 prill 2018

Njësia Këshilluese e EULEX-it për policinë dhe çështjet kufitare dhe Programi i ndihmës ndërkombëtare për trajnime në hetimet penale (ICITAP) nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë u bënë bashkë gjatë kësaj jave në Hotel Emerald për të ofruar një program trajnimi për 'Vlerësimin e rrezikut në bazë të dhënave të inteligjencës për planifikimin dhe menaxhimin e ngjarjeve të mëdha' për disa zyrtarë të përzgjedhur të Policisë së Kosovës.

"Ndryshimet e kontekstit të teknologjisë dhe rreziqet dhe kërcënimet në zhvillim me të cilat përballen policia dhe agjencitë e zbatimit të ligjit nënkuptojnë se ne duhet ta kemi aftësinë për të reaguar në mënyrë dinamike dhe efektive. Qëllimi është që të zvogëlohen këto kërcënime, duke e rritur sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve ", tha Jacqueline Smith, këshilltare e EULEX-it për punën policore në bazë të inteligjencës si dhe një nga drejtuesit e projektit.

Realizimi i projektit u bë nga ekspertë të fushave përkatëse; Lenno Reimand, Shef i Analizës Strategjike në EUROPOL; Ndihmës Drejtori Larry Satterwhite, Komandanti përgjegjës për Menaxhimin e ngjarjeve të mëdha, dhe Togeri Ban T.Tien, Ngjarjet e veçanta, të dytë nga Departamentit i Policisë së Hjustonit (HPD).

Kjo punëtori katër ditore ishte paraparë që ta bëjë rritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për identifikimin e kërcënimeve dhe rreziqeve, duke siguruar vlerësime gjithëpërfshirëse të dhënave të inteligjencës dhe duke ofruar kundërpërgjigje të fuqishme brenda Kosovës. Kjo e siguron bazën për vendimmarrje të mirë-informuar në lidhje me ndarjen e resurseve dhe rritjen e sigurisë së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.

Frank Oliva, Menaxher i Projektit dhe Këshilltar i Lartë në ICITAP tha, "Për zbatuesit e ligjit në mbarë botën, menaxhimi i ngjarjeve të mëdha është bërë gjithnjë e më i vështirë. Zbatuesit e ligjit duhet të vazhdojnë që të përdorin praktika të mira të inteligjencës për t’u përgatitur më mirë për ta menaxhuar dhe zbutur çdo kërcënim apo incident ".

Përfaqësuesit e Europolit dhe Departamentit të Policisë së Hjustonit i theksuan përfitimet nga ky trajnim përmes prezantimeve, sesioneve dhe diskutimeve të ndërsjella, duke u përqendruar në përvojat e jetës së përditshme në ushtrimet praktike.

Basri Kastrati, Kapiten i Policisë së Kosovës, që punon në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Analizës tha: "Ne e mirëpresim këtë trajnim nga i cili do të përfitojmë shumë dhe do të fitojmë njohuri të avancuara nga ekspertët ndërkombëtarë".

Pjesëmarrësit e vlerësuan gjithashtu mundësinë e dhënë për të diskutuar dhe për të ndarë përvojat e përbashkëta si një mënyrë për të shkëmbyer informacionet dhe për t’i rritur aftësitë e tyre për ta vlerësuar dhe zbutur më mirë rrezikun.

"Të gjithë pjesëtarët e policisë që janë të përfshirë në vlerësimin e rrezikut janë të pranishëm në këtë trajnim për organizimin e ngjarjeve të mëdha. Ky trajnim ka rëndësi për ne ashtu që t’i shkëmbejmë përvojat e ndërsjella dhe informacionet me ekspertët e EULEX-it të cilët kanë një përvojë të madhe në këtë fushë", tha Vllaznim Surdulli, Major në Policinë e Kosovës, Drejtor i Planifikimit dhe Vlerësimit të Operacioneve.

EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë dhe udhëzojë PK-në ndërsa ajo do të vazhdojë t’i rrisë kapacitetet e saj për vlerësimin e rrezikut në kuadër të operacioneve të saj.