20 prill 2018
Gjatë kësaj jave, Shefi i Njësisë për
Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar të EULEX-it, Vincenzo Cardinale së bashku me
Zyrtarët për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Sigurisë së të Dhënave nga Drejtoria
për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Sundimin e Ligjit të Policisë së Kosovës
(ILECU) shkuan në Stokholm për një vizitë studimore në Divizionin për Çështjet
Ndërkombëtare të Policisë Suedeze. Ky institucion shërben si Pika e Vetme e
Kontaktit për Interpolin, Europolin dhe Sirene në Suedi.
Fokusi kryesor i kësaj vizite ishte forcimi i kapaciteteve ekzekutive të ILECU
të Policisë së Kosovës për ta përmirësuar funksionalitetin operacional të tij,
veçanërisht kur bëhet fjalë për perspektivat e Mbrojtjes së të Dhënave dhe
Sigurisë së të Dhënave. Një theks më i madh iu kushtua familjarizimit të zyrtarëve
të PK-së me rregulloret e reja në lidhje me trajtimin e informacionit,
shkëmbimin e informacionit, ndërveprimin e bazave të dhënave dhe sistemit për
menaxhimin e rasteve që përdoren nga organet për zbatimin e ligjit dhe
institucionet në Evropë.
Me këtë rast, z. Vincenzo Giancarlo Cardinale, Njësisë për Bashkëpunim Policor
Ndërkombëtar të EULEX-it deklaroi se: "Realizimi i bashkëpunimit
ndërkombëtar nuk do të jetë i mundur pa lidhje të forta në mes të vendeve të
ndryshme. Zbatimi i praktikave më të mira nga zbatuesit e ligjit dhe njësitë
për bashkëpunim ndërkombëtar dhe bashkërendim do të sjellë përfitime reciproke drejt
mënjanimit të boshllëqeve të informacionit dhe për ta zvogëluar hapësirën në të
cilën mund të veprojnë kriminelët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve Anëtare të
Bashkimit Evropian. Zyrtarët që morën pjesë në këtë vizitë studimore në Suedi
do të jenë si një gurthemel i llogaridhënies për Mbrojtjen e të Dhënave dhe
Sigurinë e të Dhënave në kuadër të ILECU të Policisë së Kosovës, si dhe do të
japin këshilla me autoritetin e plotë në fushën e ekspertizës së tyre".
Gjatë kësaj jave, zyrtarët e PK-së u trajnuan dhe këshilluan nga ekspertët
kombëtarë të EU MS Interpol dhe Europolit për sfidat më të zakonshme që kanë të
bëjnë me bashkëpunimin policor ndërkombëtar dhe se si të trajtohen ato në
mënyrë efikase.
Rëndësinë e këtij trajnimi e theksoi edhe Togeri Vedat Sherifi, Policia e
Kosovës: "Kjo vizitë studimore ka qenë shumë e dobishme dhe e frytshme për
zhvillimet e ardhshme të Policisë së Kosovës dhe na ka pajisur me një njohuri
të madhe të dobishme të cilën ne do të mund ta përcjellim gradualisht te kolegët
tanë në kuadër të ILECU".
Për më shumë, në kuadër të këtij trajnim ishte përfshirë edhe një vizitë në
Stacionin Qendror të Policisë në Stokholm, me qëllim që të shihej për së afërmi
se si punon një Zyrtar i Rastit Ndërkombëtar në kuadër të stacionit të policisë
krahas me hetuesit.