27 shkurt 2015
Kur EULEX-i arriti në Kosovë, pritjet ishin shumë të mëdha dhe në veçanti lidhur me dhënien fund korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është pjesa e punës sonë që zakonisht i tërheq titujt kryesorë të gazetave. Por, prej vitit 2008, mandati i EULEX-it ka pasur, po ashtu, edhe një mision tjetër t'i ndihmojë Policisë së Kosovës në arritjen e qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies dhe të sigurojë që PK-ja të jetë e lirë nga ndërhyrja politike dhe t'i respektojë standardet e njohura ndërkombëtarisht, bashkë me praktikat më të mira evropiane. Duke shikuar progresin e Kosovës, unë besoj që është me rëndësi të reflektojmë jo vetëm për ndjekjen penale e dramatike në gjykatore të gjykimeve për rastet e profilit të lartë, por po ashtu edhe për zhvillimin e qetë të Policisë së Kosovës.
Gjatë gjashtë muajve të kaluar, Policia e Kosovës i ka pasur disa raste për të treguar që e ka arritur pjekurinë e një force policore bashkëkohore, e cila i plotëson standardet ndërkombëtare. Ata nga ne të cilët qëndruam përkrah PK-së deri sa ajo zhvillohej, nuk u zhgënjyem. Tri fusha në bazë të cilave mund të gjykohen aftësitë e forcës janë prishjet e rendit dhe qetësisë publike, siguria gjatë zgjedhjeve, si dhe aktivitetet dhe përcjellja e personaliteteve të rëndësisë së lartë. Në të gjitha këto fusha Policia e Kosovës e ka vërtetuar se është në gjendje që të merr vendime të matura dhe të reagojë në mënyrë proporcionale me situatën.
Testi i fundit për policinë ishte në fund të muajit janar, kur disa grupe u bënë bashkë për të protestuar. Demonstratat janë shenjë e funksionimit të demokracisë, por në mesin e këtyre protestuesve ishin disa, të cilët sipas mendimit tim, kishin për qëllim dhunën dhe shkatërrimin. Protestuesit hodhën gurë mbi policinë dhe i fyen ata rëndë, megjithatë PK-ja tregoi përmbajtje mbresëlënëse. Reagimi i tyre në përgjithësi ishte proporcional dhe i përshtatshëm. Edhe pse kishte demonstrues të lënduar, numri i policëve të lënduar ishte shumë më i madh se i demonstruesve. E di që disa protestues kanë pohuar se ka pasur keqpërdorime nga ana e policisë, por ja e vërteta: janë ushtruar 4 ankesa zyrtare dhe hetimet lidhur me to janë duke u zhvilluar. Në anën tjetër, vetë PK-ja i ka identifikuar 11 incidente të mundshme dhe i ka filluar hetimet. Gatishmëria e PK-së për ta shqyrtuar sjelljen e vet në interes të ofrimit të shërbimeve më të mira publike është një shenjë e një organizate të pjekur e cila është e përgjegjshme ndaj publikut. Në sondazhin e shoqërisë së hapur PASOS më 2014, Policia e Kosovës fitoi shkallën e besimit prej 60.9%, që është më e lartë se çdo institucion tjetër publik në Kosovë dhe më e lartë se çdo forcë tjetër policore në rajon. Kjo është përsëritur edhe në sondazhin e brendshëm të EULEX-it, sipas të cilit Policia e Kosovës ishte institucioni më i besuar në Kosovë.
Deri sa e kujtoj atë ditë, unë mendoj për më shumë se 700 pjesëtarë të policisë, të cilët ishin angazhuar për të siguruar që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë të qetë. Më shumë se 100 prej këtyre policëve vëllezërit dhe motrat tuaja u lënduan duke e mbrojtur Kosovën. Të qëndrosh dhe të mbrosh, deri sa protestuesit hedhin gurë, ofendojnë dhe bëjnë gjëra edhe më të këqija, është një akt heroizmi dhe e meriton respektin tuaj. Bob Dylan (i cili sipas mendimit tim më së miri është të dëgjohet në pllakë origjinale gramafoni!) ka thënë "Unë e mendoj heroin si dikë që e kupton shkallën e përgjegjësisë, e cila vjen me lirinë e tij." Unë besoj që heronjtë janë në mesin tonë çdo ditë këtu në Kosovë, duke luftuar hap pas hapi për të ofruar rend e ligj për të gjithë, prandaj është me rëndësi që të ndalemi për një çast dhe t'i falënderojmë ata.
Prej qershorit 2014, EULEX-i e ka vazhduar punën e tij me PK-në, por me më pak këshilltarë se në të kaluarën, duke e pranuar përparimin e PK-së. Ka ende fusha, në të cilat nevojiten përmirësime dhe EULEX-i është i përkushtuar të punojë me PK-në për t'i adresuar ato. Në të ardhmen EULEX-i do të vazhdojë të punojë me mandat të plotë, i cili përfshin dhënien e këshillave, veprimet ekzekutive (siç janë gjykimet) dhe ofrimin e ndihmës për zbatimin e marrëveshjes së dialogut. Sidoqoftë, përkundër përqendrimit tonë në të ardhmen dhe në gjërat që mbesin për t'u bërë, unë besoj që herë pas here, duhet t'i lëmë anash fjalët dhe t'i kushtojmë vëmendje atyre, të cilët në mënyrë të qetë dhe të vazhdueshme janë duke arritur përparim për të siguruar që institucionet e Kosovës arrijnë të bëhen institucione, me të cilat populli i saj mund të krenohet.