27 prill 2018
Javën e kaluar, EULEX-i e organizoi një trajnim për 'Çështje të provave që kanë të bëjnë me ndjekjen penale të veprave të lidhura me terrorizmin: analizë e rasteve specifike dhe ndarja e praktikave të mira në forenzikën digjitale, përdorimin e internetit dhe shndërrimin e të dhënave të inteligjencës në prova'.
Ky trajnim dy-ditor ishte për prokurorët dhe gjyqtarët vendas dhe u mbajt nga trajnerja, Prokurorja Barbara Sargenti, Zëvendës Prokurore në Drejtorinë Kombëtare Antimafia dhe kundër Terrorizmit në Itali.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte përmirësimi i ekspertizës së prokurorëve dhe gjyqtarëve të Kosovës për teknikat e hetimit në rastet e terrorizmit si: forenzika digjitale dhe përdorimi i internetit, dhe më tej si të jetë e sigurt që informacioni i mbledhur përmes inteligjencës të mund të shndërrohet në prova të pranueshme në Gjykatë .
"Terrorizmi është një krim endemik dhe pa kufij ku autorët gjithmonë gjejnë mënyra të reja të veprimit dhe mënyra të reja për të bërë propagandë për të rekrutuar njerëz. Për të reaguar, duhet të ekzistojnë metodologji të reja dhe qasje të reja në aspektin e teknikave hetimore, azhurnimin e kuadrit ligjor dhe përditësimin e politikave për parandalimin e këtyre llojeve të krimit. Qëllimi ynë është që t’i rrisim njohuritë teknike të kolegëve tanë vendas për këtë fushë dhe të përqendrohemi në format e reja të terrorizmit dhe kriteret e reja për këtë lloj krimi", tha Hugo Rascao, zyrtar ligjor i EULEX-it dhe menaxher i projektit.
Gjatë këtyre dy ditëve, pjesëmarrësit shqyrtuan kuadrin ligjor ndërkombëtar për luftëtarët e huaj terroristë; forenzikën digjitale dhe përdorimin e internetit gjatë hetimit të rasteve të terrorizmit; qëllimet e ndjekjes dhe shndërrimin e të dhënave të inteligjencës në dëshmi, si dhe analizuan raste specifike.
"Tema e terrorizmit ndërkombëtar është një çështje globale e cila është arsyeja pse ky trajnim është kaq i dobishëm. Duke shkëmbyer informacione dhe përvoja, ne mund t’i thellojmë njohuritë tona të cilat na ndihmojnë në profesionin tonë ", tha Rukije Shasivari, prokurore e Kosovës.
Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit patën mundësi që ta vlerësojnë përdorimin e provave nga informacionet e ndjeshme në bazë të inteligjencës dhe për t’i shtuar njohuritë e tyre teknike në lidhje me çështjet e provave që mund të ndikojnë në ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit. Po ashtu, gjatë diskutimeve u bë një shkëmbim i përvojave dhe mësimeve të nxjerra në mes të pjesëmarrësve dhe trajneres.