Lajme

Zvogëlimi i boshllëkut të pranisë së femrave në strukturat drejtuese vazhdon të jetë sfidues por absolutisht i domosdoshëm

04 dhjetor 2018

Nga Alexandra Papadopoulou, Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë

Në vjeshtën e vitit 2016, unë e kam marrë detyrën si Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Unë nuk do ta harroj kurrë se sa e motivuar dhe e frymëzuar jam ndjerë kur hyra për herë të parë në ndërtesën e EULEX-it. Për mua nuk kishte asnjë lloj pengese, madje edhe në një sektor shpesh të dominuar nga meshkujt siç është një mision civil i CSDP (Politika e Përbashkët për Siguri Mbrojtje) e BE-së. Për fat të keq, kjo nuk është aq e zakonshme.

Barazia gjinore ende mbetet një sfidë e madhe si në nivelin lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Të gjithë treguesit kryesorë vazhdojnë të tregojnë për situata, të cilat në përgjithësi nuk është se kanë qenë mjaft të dobishme për gratë sa i përket qasjes së barabartë në burime dhe mundësi. Për fat të keq, misionet civile në terren të BE-së, gjithashtu për shkak të sfidave të qenësishme në punën e tyre, nuk janë përjashtim.

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, miratimi i Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte një zhvillim i ri, duke njohur për herë të parë përvojën unike të grave për luftën dhe konfliktin dhe duke e theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në zgjidhjen e konflikteve me qëllim të krijimit dhe mbajtjen e kushteve për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Për politikë-bërësit dhe veprimtarët në fushën e paqe-ruajtjes dhe ndërtimit të paqes në nivel ndërkombëtar, Rezoluta 1325 u bë një moment historik në njohjen e rolit të rëndësishëm që gratë e luajnë për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve dhe i vuri themelet për njohjen dhe përfshirjen e grave si ndërtuese të paqes, si dhe për integrimin sistematik të perspektivës gjinore në operacionet dhe misionet paqësore ndërkombëtare. Në ditët e sotme, mandati i pothuajse të gjitha misioneve e përfshin parimin e integrimit gjinor. Kështu bën edhe EULEX-i. Megjithatë, zbatimi i Rezolutës 1325 i ka sfidat e saj, të cilat duhet të përmbushen vazhdimisht dhe vendosmërisht.

Ndërsa politikat e BE-së bëjnë thirrje për përfaqësim më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendim-marrjes dhe funksioneve në terren, për fat të keq, përfaqësimi i grave brenda misioneve civile të BE-së vazhdon të jetë i ulët. Për shembull, në EULEX, vetëm një e katërta e stafit janë femra dhe vetëm 23% e roleve udhëheqëse i mbajnë gratë. Këto shifra tregojnë mjaftë qartë se, përkundër angazhimit të qartë të udhëheqjes politike të BE-së, institucioneve të BE-së, si dhe të gjitha vendeve anëtare të BE-së për ta arritur barazinë gjinore, gratë ende mbeten prapa burrave kur është fjala për përfaqësimin e tyre, veçanërisht në pozitat udhëheqëse.

Duke pranuar se rruga përpara është mjaft e gjatë, gjatë dekadës së fundit është bërë shumë për të zhvilluar strategji dhe veprime për integrimin më të mirë të perspektivës gjinore në punën tonë në terren. Përmirësimi i barazisë gjinore, si për brenda në kuadër të vetë EULEX-it, ashtu edhe jashtë tij duke punuar së bashku me institucionet e Kosovës, është pjesë e punës sonë të përditshme. Andaj ne i kemi parë tashmë rezultate kur vendoset politika e integrimit gjinor në praktikë, veçanërisht në sektorët e sundimit të ligjit, si në Policinë e Kosovës dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK). Prandaj, ne duhet t'i përgëzojmë këto shërbime për përpjekjet e tyre të vazhdueshme në këtë drejtim.
 
Krijimi i institucioneve gjithëpërfshirëse të sundimit të ligjit

Kosova ka ndërmarrë tashmë hapa domethënës drejt barazisë gjinore duke krijuar një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse dhe progresive, e cila është harmonizuar gjerësisht me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. Këtu përfshihet Ligji për Barazinë Gjinore, i cili kërkon përfaqësim prej 50% të femrave dhe meshkujve nëpër pozita në të gjitha nivelet e vendim-marrjes, përfshirë në politikë dhe institucione publike. Përveç kësaj, ekziston edhe Ligji kundër Diskriminimit dhe Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Aktualisht, autoritetet vendase janë duke e zhvilluar një program gjithëpërfshirës për barazi gjinore, ku përfshihet një shtyllë që përqendrohet në gratë, paqe dhe siguri, që konsiderohet si vazhdimësi e Planit të Veprimit të mëparshëm të Kosovës për Rezolutën 1325.

Megjithatë, siç ndodhë në vendet e tjera të botës, zbatimi i këtyre ligjeve shpeshherë është i ngadaltë dhe jo i plotë. Normat gjinore stereotipikee janë ende të përhapura në shumë institucione, ndërsa kjo krijon pengesa për avancimin e grave në karrierën e tyre, veçanërisht në nivelet e larta drejtuese. Femrat vazhdojnë të përballen me pengesa strukturore dhe të padukshme për të pasur qasje në pozitat e nivelit të lartë. Femrat janë veçanërisht më pak  të përfaqësuara në sektorin e sigurisë dhe të sundimit të ligjit, të cilët nga shumica në shoqëri nuk konsiderohen si fusha të përshtatshme të punës për femrat.

Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës për ta përmirësuar pozitën e grave

Gjatë dhjetë viteve të kaluara, EULEX-i ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Kosovës për tejkalimin e këtyre pengesave dhe për t’ju ndihmuar femrave që punojnë që të përparojnë në karrierë dhe ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Bashkëpunimi jonë me Shërbimin Korrektues mund të merret si shembull për këtë. SHKK është shembull i mirë i asaj se si janë identifikuar dhe adresuar sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen femrat në vendet e tyre të punës përmes masave konkrete, siç është themelimi i Shoqatës së grave. E mbështetur plotësisht nga niveli i lartë drejtues i SHKK, Shoqata e Grave në SHKK ka për qëllim promovimin e barazisë gjinore, avancimin e pozitës së femrave në shërbimin korrektues dhe ofrimin e mundësive për zhvillim profesional të femrave që punojnë aty.

Duke besuar fuqishëm në këto synime, EULEX-i është i përkushtuar që ta ndihmojë më tej SHKK-në për t’i mbështetur më tej këto angazhime përmes organizimit të programeve të mentorimit dhe trajnimeve të përgatitura enkas për oficeret femra. Ky Mision, do ta vazhdojë gjithashtu dialogun konstruktiv me drejtuesit e SHKK-së në lidhje me strukturimin e perspektivës gjinore. Qëllimi përfundimtar i përpjekjeve tona të përbashkëta është krijimi i një mjedisi më gjithëpërfshirës dhe inkurajimi i një kulture të punës ku femrat mund të arrijnë suksese.

Por, SHKK është vetëm një prej shembujve. Policia është duke punuar në po këtë drejtim, gjithashtu edhe sistemi gjyqësor, institucionet të cilat përballen po ashtu me përgjegjësinë e shtuar në lidhje me trajtimin e rasteve të abuzimeve seksuale dhe dhunës në familje, e keqe kjo e cila duhet të çrrënjoset nga të gjithë dhe nga cilado shoqëri.

Unë shpresoj se është e mundur të arrihet një udhëheqje me diversitet gjinor. Duke ju ndihmuar institucioneve që të ecin përpara në angazhimet e tyre për ta bërë barazinë gjinore pjesë të prioriteteve të tyre, ne kontribuojmë në mënyrë të konsiderueshme për ndërtimin dhe ruajtjen e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe koherente, e vetëdijshme për faktin se perspektiva gjinore i përfshinë dhe i prekë të dy gjinitë.

Puna që na pret për përmirësimin e barazisë gjinore dhe zvogëlimin e boshllëkut të pranisë së femrave në strukturat drejtuese na përket të gjithë neve së bashku. Kjo është një sfidë e vërtetë. Kurse mënyra për ta trajtuar atë është duke i dyfishuar angazhimet tona dhe duke e përforcuar vendosmërinë tonë.