06 dhjetor 2014
Ajo erdhi nga Dyseldorfi në Mitrovicë e vendosur "për ta bërë më të mirën që mundet" në mënyrë që t'i ndihmojë Kosovës ta ndërtojë një gjyqësor të pavarur dhe efikas. Meqë kishte investuar më parë në Ballkan, si studente, hulumtuese dhe vëzhguese e zgjedhjeve në Kroaci dhe në Bosnjë/Hercegovinë, znj. Katja Dominik ishte e bindur që kthimi në rajon për të punuar si gjyqtare e EULEX-it ishte "gjëja e duhur për të".
Dominik, gjyqtare nga Gjykata e Qarkut e Dyseldorfit, ka ushtruar profesionin në kuadër të një kornize të së drejtës procedurale 130 vjeçare, që ofroi afat historik të mjaftueshëm kohor për t'i shlyer gabimet në kuadër të legjislacionit. Por kjo nuk nënkupton që gjërat ishin gjithmonë ideale për Gjermaninë. Erozioni ligjor gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy sisteme të ndryshme ligjore brenda Gjermanisë pas vitit 1945 dhe sfidat e ribashkimit me Gjermaninë Lindore kërkonin vëmendjen dhe përshtatjen e ligjbërësve gjermanë në historinë e re.
"Këto ndryshime në vendin tim më kanë mundësuar të fitojë një ndjeshmëri të caktuar ndaj problemeve të vazhdueshme të gjyqësorit të Kosovës", thotë gjyqtarja Dominik.
Në rolin e saj si gjyqtare ndërkombëtare në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ajo ishte në gjendje të marrë pjesë dhe t'iu përgjigjej sfidave të kodit të ri të procedurës të aprovuar në Kosovë në janar 2013. Ajo punon në ekip me kolegët e saj vendas, ndihmën e të cilëve ajo e konsideron si jetike. Ajo shtoi që roli kryesor i gjyqtarit është të sigurojë gjykim të drejtë dhe neutral.
"Njerëzit kanë nevojë për një sistem funksional juridik për sigurinë e tyre. Qëllimi jonë është ta krijojmë një situatë ku secili që ka problem mund ta gjejë ndihmën ligjore kudo në Kosovë", sqaron ajo.
Por kryerja e detyrës gjyqësore mund t'i ketë problemet e veta.
"Duhet ta kryeni punën në rrethana të vështira politike. Gjyqtari duhet të jetë i vendosur gjatë kryerjes së detyrës së tij dhe duhet të jetë i guximshëm për të marrë vendime", theksoi Dominik.
Për ta krijuar një sistem gjithëpërfshirës, në veçanti në Veri, do të duhet kohë dhe duhet mbështetur në ndihmën vendase. Misioni EULEX do të dëshironte shumë që gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës t'i zënë vendet e tyre në gjykatore.
Gjyqtarja Dominic thotë që do të ishte e lumtur të punonte në raste me kolegët e saj serbë dhe shqiptarë dhe të merrej me të gjitha llojet e rasteve. Gjyqësori efikas e ndërprenë në mënyrë të konsiderueshme atmosferën e mosndëshkimit, duke e bërë një mjedis më të sigurt për të gjithë.
Prej kur është rihapur Gjykata në Mitrovicën veriore në dhjetor 2008, gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, të mbështetur nga një ekip shumetnik i zyrtarëve ligjorë, kanë nxjerrë mbi tetëdhjetë aktgjykime në rastet e krimeve të rënda të cilat janë ndjekur penalisht nga prokurorët e EULEX-it dhe ata vendas. Megjithatë, duhet të bëhet edhe më shumë punë.
"Prej kur kam arritur këtu", thotë Dominik, "Kam vënë re disa forma të dhunës dhe më kanë treguar për problemin e madh me drogën në qytet. Të rinjtë kanë mundësi ta blejnë cilëndo drogë që dëshirojnë. Duhet ta ndalim këtë dhe ta krijojmë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët".
Hapja e rajonit ndaj përfitimeve të BE-së nënkupton që duhet të krijohet një sistem i fortë ligjor, përfshirë investimet e konsiderueshme në studentët e drejtësisë të cilët duhet të aftësohen për t'u bërë ushtrues solid të ligjit.
"Jam e bindur që gjenerata e re do të bëjë ndryshim në Kosovë. Jam e lumtur që shoh studentë të drejtësisë që nganjëherë ulen në gjykatoren time dhe marrin shënime gjatë gjykimit", thotë gjyqtarja Dominik, duke shtuar që njëra prej ëndrrave të saj për Kosovën është ta shohë gjykatën duke gumëzhirë dhe plotë me studentë të cilët mësojnë me sytë e mbushur me kureshtje.
Në mënyrë që të lihet themeli i fortë për të ardhmen, gjyqtarët ndërkombëtarë janë duke lënë arsyetime gjyqësore të shtjelluara imtësisht të procedurave gjyqësore, si trashëgimi për praktikuesit ligjorë dhe studentët e drejtësisë të Kosovës. Meqë gjyqësori i Kosovës merr përsipër më shumë raste, ideja prapa angazhimit të EULEX-it në sundimin e ligjit është që gradualisht të tërhiqet.
Edhe pse i pëlqen puna e saj në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ajo thotë që qëndrimi i saj në Kosovë nuk është i papërcaktuar. Para se të shkojë, gjyqtarja Dominik shpreson që kur pas dhjetë vjetësh dikush ta vlerësojë kontributin e EULEX-it në sundimin e ligjit në Kosovë, të konstatojë që ai ishte i 'dobishëm'.
Këshilla e znj. Dominik për gjyqtarët është që të jenë të drejtë në procedurat gjyqësore. Për të bërë drejtësi duhet të jesh i përgatitur, sepse marrja e vendimeve nuk është gjithmonë e lehtë.
"Nëse ndonjë herë nuk do të jem në gjendje të marr vendim do të ishte koha për ta lënë profesionin", përfundoi znj. Dominik.