06 dhjetor 2013
Është e premte pasdite vonë dhe zyra e Kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës gumëzhinë nga aktiviteti. Telefonat mbi tavolinë janë duke cingëruar vazhdimisht, gjyqtarët penalë janë duke i lëvizur sa andej këndej grumbujt e letrave dhe palët kureshtare janë duke i pritur me padurim lajmet për rastet e tyre. Sipas rregullave administrative, vetëm një ditë në javë kjo zyrë është e hapur për pyetjet e tilla, por sot nuk është ajo ditë. Sidoqoftë, për shkak të kërkesës së madhe për shërbime ligjore, gjyqtarët proaktivë ja dalin të gjejnë kohë dhe t'iu ndihmojnë palëve të interesuara.
Njoftojuni me Kada Bunjakun, Kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës [që tani ndodhet në Vushtrri] dhe gjyqtare e krimeve të rënda. Qëllimi i saj është të ndajë drejtësi në Kosovë dhe ajo punon shumë për ta arritur këtë qëllim. Kada punon ngushtë me ekipet vendore dhe ndërkombëtare të ekspertëve ligjorë për t'i tejkaluar vështirësitë e sistemit aktual të drejtësisë në Kosovë.
Megjithatë, përkundër vullnetit të mirë, punës së palodhshme dhe përkushtimit të gjyqtarëve, sistemi i drejtësisë i Kosovës prapë se prapë përballet me sfida të mëdha për çdo ditë. Kjo është arsyeja përse sistemi i drejtësisë po përpiqet të jetë më përgjegjës ndaj njerëzve; t'i trajtojë nevojat e viktimave në mënyrë më të përshtatshme; t'i përmirësojë dënimet e mëparshme të gabueshme; të merret me krimin e organizuar dhe të sigurojë që institucionet për sundimin e ligjit i ndajnë informatat në mënyrë më efektive.
"Unë kam besim të plotë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por na duhen kushte të përmirësuara që na mundësojnë të kryejmë punët tona më mirë," thotë Kada. Sipas saj, nevojiten më shumë resurse për t'i plotësuar nevojat e njerëzve që jetojnë veçanërisht në regjionin e Mitrovicës. "Një numër gjykimesh në këtë regjion janë vonuar thjeshtë për shkak të mungesës së gjyqtarëve" shtoi ajo. Shpesh rastet janë shtyrë edhe për shkak të mungesës së kushteve të duhura: "tani gjykimet po i mbajmë në kontejnerë pa pasur madje as kushte themelore të punës!"
Deri tani, përkundër të gjitha telasheve, Kada me sukses ka zgjidhur rreth një mijë raste në vit: "çdo rast ka vështirësitë e veta, po kur ato zgjidhen me sukses atëherë kjo gjë sjellë çlodhje për të gjithë!" pohoi Bunjaku.
Sipas Kadës, gjyqësori i ri i Kosovës ka nevojë për gjithë ndihmën e mundshme në mënyrë që të qëndrojë në këmbët e veta. "Ne vërtet kemi bashkëpunim të mirë me gjyqtarët e EULEX-it. Ne shkëmbejmë përvoja dhe e përshpejtojmë procesin që gjyqësori komunal të bëhet i vetë qëndrueshëm.
Kada kujton një fjalë të urtë, që thotë, "puna e gjyqtarit është si puna e minatorëve' sepse shumica e njerëzve iu nënshtrohen punëve dhe kushteve të rënda të punës për të arritur sukses. Opinion publik nuk i di vështirësitë nëpër të cilat kalon gjyqtari për të kompletuar punën e tij. Opinioni i përgjithshëm publik kryesisht për shkak vëmendjes së mediave në të metat e sistemit të drejtësisë, kanë një pasqyrë të shtrembëruar për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
"Mediat zakonisht zgjedhin ndonjë rast që ka dështuar dhe fatkeqësisht nuk i përmendin mijëra raste të suksesshme në të cilat është arritur drejtësia ," thotë Kada. Kur analizohen rezultatet e arritura si këto të gjyqtares Kada, atëherë bëhet e qartë që zgjidhja e suksesshme e rasteve është një normë dhe jo një përjashtim në gjyqësorin e Kosovës krejt ndryshe nga besimi i përhapur.
Ne do të punojmë shumë për të ngritur besimin e qytetarëve në punën tonë, thotë Kada "Unë vërtetë besoj që puna e gjyqtarëve është e drejtë, e paanshme dhe neutrale dhe se ata po zbatojnë ligjin."
Bunjaku është personalitet kyç në sistemin e drejtësisë në Mitrovicë. Njohuritë, përvoja dhe pasioni i saj shtyjnë përpara sistemin e drejtësisë në këtë regjion dhe ndihmojnë komunitetin juridik që të tejkalojë sfidat ekzistuese. Por, njëkohësisht edhe në regjionet tjera të Kosovës, qindra gjyqtarë të tjerë punojnë siç punon edhe ajo me zell për çdo ditë për të zgjidhur rastet penale të zonës së tyre. Por fare pak nga këto ndodhi i komunikohen popullatës përmes mediave.
Fatkeqësisht vetëm një në një mijë raste që nuk shkon për së mbari arrin të bëhet lajm, ndërsa për mijëra rastet e tjera që zgjidhen dinë vetëm ata në të cilët këto raste ndikojnë drejtpërdrejt.