27 qershor
Emily Rakhorst ka lindur në Holandë dhe është rritur në një mjedis social e kulturor ku ndjesia e drejtësisë dhe barazisë ishte pjesë e përditshmërisë, ndërkohë që inkurajohej të mos kishte frikë nga pengesat apo kufizimet. Kjo e ka ndihmuar atë që të zhvillojë një prirje natyrore për ta ngritur zërin në mbrojtje të drejtave të tjerëve.
“Gjithmonë kam ndjerë një motivim të brendshëm për të luftuar për drejtësi dhe kundër pabarazisë, duke i dhënë zë atyre që nuk u lejohet ta kenë. Kam qenë gjithmonë e bindur se nuk mund të ketë drejtësi nëse nuk je i sigurt që të gjithë përreth teje i gëzojnë të drejtat e tyre dhe trajtohen në mënyrë të barabartë. Kultura holandeze në të cilën jam rritur më ka ofruar një hapësirë kulturore të përshtatshme në këtë drejtim. Gjatë fëmijërisë, asnjëherë nuk kam ndjerë që nuk më janë dhënë të njëjtat mundësi sikur djemve apo burrave përreth meje”, thotë Emily. “Megjithatë, dua të theksoj se gjatë karrierës sime kam takuar shumë gra të cilat, pavarësisht prejardhjes së tyre nga vende ku, për fat të keq, ende mbizotërojnë stereotipat gjinorë dhe pabarazia, po luftonin pa frikë për drejtësi shoqërore”.
Si këshilltare ligjore ndërkombëtare e specializuar në drejtësinë penale në mjedise konfliktesh dhe pas-konfliktesh, rrugëtimi profesional i Emily Rakhorst përfshin role në misionet civile të menaxhimit të krizave të Bashkimit Evropian (BE), në Kombet e Bashkuara (OKB), përfshirë gjykatat ndërkombëtare. Sot, ajo është Zëvendës Shefe e Misionit më të madh civil të dislokuar në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së (CSDP): Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
“Në fund të fundit, drejtësia do të thotë të korrigjosh padrejtësinë. Prandaj, drejtësia është çështje e barazisë dhe respektimit të drejtave të njeriut të secilit”, shpjegon Emily, duke theksuar se mbajtja e fokusit te elementi njerëzor gjatë zbatimit të drejtësisë penale është thelbësore.
“Nuk mund të harrojmë se si viktimat, ashtu edhe të pandehurit, i kanë të drejtat e tyre, dhe se secili ka nevoja individuale specifike. Diversiteti dhe përfaqësimi i barabartë në kuadër të aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë — qofshin ata policë, prokurorë, gjyqtarë apo punonjës të shërbimeve korrektuese — janë ndër mjetet më të rëndësishme për të garantuar një grup të ekuilibruar dhe të larmishëm aftësish, mendësish dhe kompetencash që ofrojnë një spektër adekuat të përgjigjes institucionale”.
Punësimi në Misionet civile të CSDP-së si EULEX Kosovo, EUMM në Gjeorgji apo EUPOL COPPS në Palestinë i ka dhënë Emily-t mundësinë që të kontribuojë për një ndryshim sistemik, duke trajtuar etapa të ndryshme të zinxhirit të drejtësisë.
“Kur flasim për standardet ndërkombëtare dhe evropiane të drejtave të njeriut, duhet të kemi parasysh se ato janë minimumi i domosdoshëm. Qëllimi përfundimtar është gëzimi i të drejtave të njeriut pa diskriminim, ndërsa zbatimi i qëndrueshëm dhe efektiv i këtyre të drejtave kërkon një kuptim të thelluar të nevojave reale të viktimave, si dhe të kontekstit specifik lokal. Praktikat më të mira evropiane ofrojnë shembuj praktikë të zbatimit të këtyre standardeve, por nuk ka zgjidhje të gatshme kur bëhet fjalë për drejtësinë”, thekson ajo.
Kjo vlen veçanërisht për një nga iniciativat ku Emily është aktualisht e përfshirë: një angazhim i përbashkët EULEX-UNICEF në Kosovë për ta përmirësuar mënyrën se si e trajton Kosova dhunën seksuale dhe abuzimin ndaj fëmijëve, në fushën e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, por edhe në sektorët më të gjerë qeveritarë, shoqërorë dhe arsimorë.
“Kur kemi të bëjmë me drejtësinë penale për fëmijë, rëndësia e një qasjeje përfshirëse dhe shumë-institucionale të barabartë bëhet më e dukshme se kurrë. Fëmijët janë viktima të shkeljeve në baza gjinore, prandaj vetëm një përgjigje e ndjeshme ndaj gjinisë në rastet e dyshuara apo të konfirmuara të abuzimit mund të ndikojë në rrugëtimin e fëmijës drejt shërimit, drejtësisë dhe rimëkëmbjes. Ne duhet ta krijojmë një rrjet të qëndrueshëm sigurie rreth fëmijëve. Unë jam jashtëzakonisht krenare për punën që po e bën EULEX-i në këtë drejtim, kurse mandati ynë unik, që na ngarkon me një monitorim të fuqishëm dhe të vendimtar të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, është një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm për ta promovuar përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave brenda këtyre institucioneve dhe mbrojtjen reale të fëmijëve”.
Si një grua në pozitë drejtuese, përkushtimi i Emily-t ndaj barazisë zbatohet natyrshëm edhe në kontekstin kompleks dhe shumëdimensional të Misioneve civile të CSDP-së.
“Është fakt se qëndrimi ndaj çështjes së pjesëmarrjes së grave dhe barazisë gjinore është përmirësuar ndjeshëm, përfshirë brenda CSDP-së, që kur kam filluar karrierën unë”, konfirmon Emily. “Megjithatë, përbërja aktuale gjinore është ende larg ideales; kjo të paktën pjesërisht lidhet me faktin se shumica e stafit të dërguar në misionet e CSDP-së janë të deleguar nga shtetet anëtare të BE-së. Nëse në një vend shumica e zyrtarëve të policisë në role operative janë burra, nuk duhet të habitemi nëse shumica e kandidatëve për pozita në misionet e CSDP-së në fushën e policisë janë burra. Megjithatë, sfidat në rekrutimin e grave në misionet e CSDP-së janë më komplekse se kaq”.
“Fatmirësisht, sot ka një kuptim të përbashkët mbi nevojën për t’i ndihmuar Misionet që ta kapërcejnë çdo pengesë gjinore, si dhe një përkushtim i qartë për të mundësuar që më shumë gra t’i bashkohen misioneve të CSDP-së në gjithë botën. Andaj, për mua si Zëvendës Shefe e Misionit, ky është zotimi im personal dhe i përditshëm për të siguruar që EULEX-i të ecë përpara në këtë drejtim”, përfundon Emily.