08 mars 2016
Njihuni me gruan nismëtare e cila i komandon policët dhe e gëzon respektin e tyre. Kolonele Taibe Canolli është gruaja e parë nga Kosova e cila e mbanë gradën më të lartë në polici. Ajo është inspirim për gjeneratat e kosovareve të reja të cilat përpiqen të arrijnë barazi më të madhe në institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit.
Kolonelja Canolli njihet mirë po ashtu për punën e saj si anëtare themeltare e Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës. Puna e saj gjatë dy vjetëve të fundit ka qenë promovimi i fuqizimit të grave të cilat punojnë në Policinë e Kosovës.
Që në moshë shumë të re ajo kishte ambicie për tiu bashkuar policisë. Të jem e sinqertë, gjithmonë kam pasur dëshirë të bëjë karrierë në polici, por për shkak të rrethanave të asaj kohe kjo ishte e pamundur. Thotë ajo.
Sipas Canollit, gjendja politike kur ajo ishte e re e bindi atë që ëndrra e saj nuk do të realizohej kurrë. Sidoqoftë, ajo u përqendrua në fushën e drejtësisë, duke studiuar për drejtësi dhe diplomoi më 1998 pak para luftës. Megjithatë ambicia e saj për të studiuar për diplomën e masterit u pezullua. Prapë se prapë, ëndrra e fëmijërisë u kthye përsëri në rrugën e duhur kur u themelua Policia e Kosovës pas konfliktit në Kosovë.
Dëshira ime u kthye në punë në këtë fushë, meqë i kisha kualifikimet që do të më bënin person më të gjithanshëm për të kontribuuar në sundimin e ligjit. Posa u hapën mundësitë për konkurrim, unë konkurrova dhe iu bashkova akademisë policore si gjenerata e tretë e policisë në Kosovë
Pjesa më interesante e karrierës së saj në polici ishte pozita e saj unike si grua dhe udhëheqëse që nga fillimi.
Isha femra e parë që e komandoja një stacion të policisë; në veçanti këtë në qendër të Prishtinës i cili konsiderohet si stacioni më i madh i policisë në Kosovë
Pozita e Kolonelit në Policinë e Kosovës është pozita më e lartë të cilën mund ta arrijë një polic, Fakti që jam grua dhe Kolonele në polici është ndjenjë unike, është privilegj meqë është pozitë që nuk ju jepet shumë femrave, thotë ajo.
Ajo sqaron që pas suksesit të saj qëndron puna e madhe, ambicia dhe mbështetja nga familja dhe miqtë.
Si grua në një pozitë të tillë, njeriu pyetet si ia del mbanë ajo në jetën personale, duke e pasur parasysh karrierën, të qenit nënë, bashkëshorte dhe Kolonele, duket që është një gjë goxha e vështirë.
Përpiqem ta ndajë punën nga jeta personale aq sa është e mundur dhe të kalojë sa më shumë kohë që mundem me djalin tim, me partnerin, por natyrisht që ka ndërhyrje, vë në pah ajo. Sidoqoftë, ajo thekson që çelës për të manovruar me karrierën dhe familjen e saj është menaxhimi i kujdesshëm i kohës dhe mbështetja e familjes që janë thelbësore për tia mundësuar asaj të përqendrohet në punën e saj dhe ti kryejë detyrat e saj sa më mirë që të jetë e mundur.
Përfshirja e Koloneles në Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës (SHGPK) ka qenë në radhë të parë për ti fuqizuar gratë në polici dhe për ta bërë ekuilibrin gjinor një pjesë përbërëse të suksesit të saj. Gratë e kanë treguar vlerën e tyre, nga pozitat administrative deri te ato operacionale. pohon ajo. SHGPK është formuar në nëntor 2013 me qëllimin që ta bëjë fuqizimin e rolit të gruas në Policinë e Kosovës, Kemi dashur të sigurohemi që kandidatet i kanë të gjitha cilësitë e duhura profesionale për punë dhe ta rrisim imazhin dhe reputacionin e grave në Polici dhe ti mënjanojmë qëndrimet paragjykuese dhe stereotipike për një rol që në mënyrë tipike konsiderohet si karrierë në të cilën mbizotërojnë meshkujt
Pas vetëm dy vjetëve, një shoqatë e cila filloi me një numër shumë të vogël të anëtarëve tani ka rreth 600 anëtarë meshkuj dhe femra nga të gjitha përkatësitë etnike me bazë ligjore në politikat e policisë, e cila punon për ti fuqizuar gratë në forcën policore. Strategjia Operative e jonë bazohet në një dokument, i cili e ravijëzon programin tonë tre-vjeçar të cilin e shfrytëzojmë si bazë për punën dhe zhvillimin tonë të vazhdueshëm, i cili do ta mundësojë përfshirjen më të madhe të grave në këtë institucion. Them me mburrje që pas dy vjetëve i kemi arritur 90% të objektivave tona fillestare të cilat i kemi caktuar si organizatë
SHGPK nuk është përqendruar vetëm në përmirësimin e barazisë gjinore në policinë e Kosovës por i ka vënë vetes qëllime edhe më të lartë, Mund të them që shoqata jonë është e vetmja e llojit të tillë në Evropën Juglindore, e cila gjë nuk është e mirë vetëm për Kosovën por edhe për sigurinë rajonale sepse modelin dhe ekspertizën tonë mund ta marrin vendet e tjera të rajonit, sqaron Canolli.
SHGPK ka marrë mbështetje ndërkombëtare, nga OJQ-të ndërkombëtare siç është UN Women, Agjencia e Kombeve të bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Grave si edhe nga shumë organizata të vendit dhe ndërkombëtare. Deri më tani SHGPK i ka trajnuar mbi 380 gra në programe të ndryshme trajnimi. SHGPK ishte partneri kryesor për zbatimin e projektit të përbashkët ndërministror Gratë në uniformë, i cili kishte synim shtimin e profilit të femrave që janë të angazhuara në kuadër të agjencive për zbatimin e ligjit në sektorin e sigurisë në Kosovë.
Po ashtu, ne kemi marrë përkrahje dhe kemi bashkëpunim shumë të mire me Misionin e OSBE-së në Kosovë, Ambasada Norvegjeze, Ambasada Amerikane dhe disa zyra tjera të huaja në Kosovë, Platforma e OJQ-ve CIVIKOS, Komisioni Parlamentar për Siguri, Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë të Kosovës, Grupi Parlamentar i Grave në Kuvendin e Kosovës, dhe bashkë me ta ne punojmë që ta çojmë përpara agjendën e grave.
Puna e tyre ka edhe përmasa rajonale; duke i inspiruar vendet rajonale siç janë Shqipëria dhe Maqedonia që të përpiqen dhe të zbatojnë projekte të ngjashme.
Aktualisht, numri i grave që punojnë në pozita të ndryshme në forcën e policisë së Kosovës është rreth 14 për qind. Sipas Koloneles Canolli, planet e saj janë edhe më ambicioze. Ne kemi për qëllim ta rrisim numrin e tyre në të ardhmen e afërt. Gratë janë treguar shumë efektive në këtë rol dhe kjo tashmë ka ndihmuar në përmirësimin dhe rritjen e reputacionit dhe të imazhit të Policisë së Kosovës në përgjithësi.
SHGPK ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me EULEX-in thotë ajo, Kemi pasur mbështetje lidhur me krijimin e dokumenteve të nevojshme, zbatime të ndryshme strategjike. Kemi përfituar nga trajnimi dhe këshillat lidhur me veprimet e duhura lidhur me krijimin dhe efikasitetin e Shoqatës, thekson ajo.
Për këtë arsye, Kolonelja i është në veçanti mirënjohëse EULEX-it. Dua ta falënderoj EULEX-in personalisht për mbështetjen e tyre, të cilën ia kanë dhënë Policisë së Kosovës dhe shoqërisë sonë. Që nga fillimi i misionit EULEX ne kemi punuar ngushtë së bashku. Partneriteti ynë është i shëndoshë dhe do të vazhdojë.
Si përfundim, porosia e Koloneles për gratë që punojnë në forcën policore është: Jini të përkushtuara në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive tuaja, kërkoni të drejtat tuaja dhe zhvillimin profesional dhe avancimin. Në përgjithësi, në të ardhmen kjo do të pasqyrohet në fuqizimin e rolit tuaj dhe të imazhit të organizatës