28 mars 2017
Gjersa shëtitej nëpër bregdetin e qarkut Kerry në pjesën jugperëndimore të Irlandës, me pamje nga Oqeani Atlantik, dy vite më parë Cathy Houlihan mendoi thellë për hapin e ardhshëm në karrierën e saj. Ajo donte diçka ndryshe, diçka që me shpejtësi do ta zhvillonte atë profesionalisht dhe personalisht. Me 12 vite përvojë në fushën e policisë dhe si detektive që ishte, Cathy aplikoi për një pozitë në EULEX. Pas një kohe të shkurtë ajo u përzgjodh në pozitën e zyrtares për hetime të brendshme në Mision, dhe udhëtoi për në Kosovë duke e lënë pas horizontin e pafund të oqeanit dhe qiellit.
“Pasi që tërë jetën time kisha punuar në Irlandë, doja një sfidë të re – diçka që ishte ndryshe prej hetimeve të krimeve të rënda. Gjithnjë kisha interesim të madh për Ballkanin, në veçanti për Kosovën,” vazhdon ajo, “kjo luajti një rol tepër të rëndësishëm për vendimin tim për të ardhur këtu.”
EULEX-i është misioni më i madh i Politikës së Përbashkët të BE-së për Siguri dhe Mbrojtje, por edhe mision i vetëm që ka njësi për hetime të brendshme. Kjo njësi, në të cilën Cathy tani punon, është në kuadër të Zyrës së Shefit të Misionit. Roli i saj primar është zhvillimi i hetimeve rreth shkeljeve disiplinore që pretendohen se janë kryer nga punonjësit e misionit. Cathy siguron që çdo punonjës i ri në mision të informohet plotësisht rreth kodit të sjelljes.
Udhëtimi i saj për në Kosovë është unik. Cathy vjen nga një familje policësh, çka e bënë atë detektive të lindur dhe ambicioze – ndoshta për shkak të viteve me pyetjet nga babai i saj, ish-detektiv, dhe motivimit nga axha i saj, i cili është zyrtar policor në Irlandë. Me një përfaqësim të gjinisë femërore prej rreth 25 për qind, Cathy Houlihan ishte e përcaktuar që t’i kontribuonte kësaj force policore.
“Në ekipin tim, meshkujt dhe femrat punojnë krah për krah. Të gjithë ne mbështesim njëri-tjetrin në aktivitetet tona të përditshme. Shefja e policisë në shtetin tim është femër. Kjo është shumë inkurajuese për femrat në këtë forcë”, thotë Cathy.
Pasi u diplomua në fushën e studimeve sociale dhe kujdesit social, Cathy menjëherë u pranua në akademinë policore ku studimet zgjasin dy vite.
Kur flet për përgatitjen profesionale, ajo thotë: “Mua më pëlqen e tërë puna ime, ngase përbëhet prej shumë aktiviteteve të llojllojshme. Në fillim, si të gjithë zyrtarët policorë në Irlandë, unë patrulloja nëpër rrugë, por më pas u avancova në pozitë të hetueses së krimeve. Unë jam hetuese e krimeve të rënda, ku përfshihen vrasjet, vrasjet pa paramendim, sulmet e rënda, vjedhjet, grabitjet, trafikimi i drogave, sulmet seksuale, dhe të tjera. Unë e dua aksionin dhe jam e pasionuar pas të qenit pjesë e rëndësishme në zinxhirin e drejtësisë.”
Ndryshe nga ajo çfarë mund të mendojnë të tjerët, ajo thotë se vrulli i adrenalinës nuk vjen nga ndjekjet me vetura në shpejtësi të madhe, për shembull, por nga zgjidhja e rastit penal. “Është sikur përfundimi i një mozaiku. Unë i dëgjoj të gjitha anët, pastaj i bashkoj të gjitha përmes marrjeve në pyetje dhe hetimeve,” thotë ajo me entuziazëm. Shpërblimi nga puna e saj është kur të arrihet drejtësia. Në EULEX, hetimet e saj janë ndryshe, meqë në rastet e procedurave disiplinore më shumë ka të bëjë me dokumentacione.
Houlihan është e zonja të arrijë baraspeshë të përsosur mes punës dhe jetës personale në EULEX. “Këtu në Kosovë kam qenë me fat që kam bërë miq të mrekullueshëm dhe të përjetshëm, të cilët jam e sigurt se do t’i takoj prapë në të ardhmen e afërt.”
Për herë të parë, Cathyt iu mundësua të udhëtojë gjatë fundjavave dhe të jetojë përtej bregdetit irlandez ku ajo qëndroi para dy viteve. Vendi i saj më i parapëlqyer për eksplorim në Kosovë është Prizreni, qytet i bukur piktoresk me lum që kalon nëpër qendër, mu si Kork Siti (Cork City) në Irlandë ku ajo zakonisht jeton. Ajo thotë se Kosova ka shumë për të ofruar sa i përket pamjeve, “krejt çka ju duhet është të dini ku të shikoni. Më pëlqen të vizitojë Brezovicën gjatë dimrit meqë Irlanda nuk ka qendra për ski. Edhe ujëvarat e Mirushës janë po ashtu të bukura dhe paqësore”.
Me një grup miqsh nga EULEX-i, Cathy po ashtu ka bërë disa udhëtime të shkurta jashtë vendit. “Një nga përvojat më mbresëlënëse ishte pamja e shkëmbinjve në formë koni “oxhaqet e zanave” në Kapadokia në Turqi nga një shëtitje me balon në qiell të kaltër dhe të ndritshëm. Ende më kujtohet qetësia që shoqëronte pamjen”, thekson Cathy.
Edhe pse i mungon vendi i saj, ajo thotë, “Më kanë ardhur miq dhe familjar për të më vizituar këtu, për të parë, përjetuar dhe mësuar rreth kulturës në Kosovë dhe mënyrës së bukur të të jetuarit këtu.” Ajo po ashtu është edhe zëvendëse e kontingjentit irlandez në Kosovë, kështu që shtëpinë asnjëherë nuk e ka shumë larg.
“Ne jemi një kontingjent i vogël me shtatë pjesëtarë, por jemi shumë të famshëm në Mision. Ndoshta është për shkak të kafesë sonë të shijshme dhe festave të famshme të Paddyt të cilat japin përshtypjen se ne jemi ekip shumë më i madh. Në disa raste edhe e kemi ngjyrosur Misionin me të gjelbër”, thotë ajo.
Cathy nuk është e tëra punë dhe udhëtime. Gjatë kohës sa ishte në Kosovë, ajo ka arritur të marrë edhe një diplomë tjetër, nga fusha e kriminalistikës dhe psikologjisë kriminale, si dhe ka vijuar edhe kurse të tjera për avancim në karrierë.
Ndonëse qëndrimi në Kosovë është i shkurtë, kujtimet, miqësitë, dhe zhvillimi personal do të mbesin përgjithmonë. Kur Cathy do të kthehet në Irlandë, ajo do të vazhdojë të zgjidhë misteret e krimeve të rënda. “Mezi pres të shkoj në bregdet, të takohem me familjarët dhe miqtë, dhe t’i kthehem karrierës sime të pasur si detektive dhe të sjell drejtësi për viktimat,” thotë ajo.