08 qershor 2017
A ju ka rënë të dëgjoni ndonjëherë tregime për heronjtë e padëgjuar? Për policët e paepur që patrullojnë rrugëve, pothuaj të padukshëm në punën e tyre që të na mbajnë neve të sigurt? A i keni parë ato buzëqeshjet e tyre qetësuese që ju bëjnë të mendoni se bota në të cilën jetojmë nuk do të na shembet para këmbëve?
Njihuni me Jacqueline Smith, rreshter policie e pensionuar në SHBA, e cila tani punon në EULEX. Duke qenë nga Little Rock, Arkanzas, rruga jetësore e saj ishte me plot kthesa, njësoj sikur ajo e një biri tjetër të famshëm të këtij vendi, ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Jacqueline u lind në një familje infermierësh dhe që në moshë të re kishte vendosur që ta sfidonte traditën tashmë të krijuar në familje duke u bërë police, përkundër zhgënjimit të madh të nënës së saj. “Në fillim nëna ime nuk ishte e kënaqur që unë po bëhesha police. Ajo brengosej se mos do vritesha në detyrë. Por, shumë shpejtë e kuptoi se përkundër të gjitha vështirësive puna e policit është një detyrë fisnike dhe në fund ajo më përkrahu plotësisht”, thotë Jacqueline.
Jacqueline iu bashkua Sektorit të EULEX-it për Fuqizim para disa muajve. Pozita e saj është Këshilltare që e mbështet Policinë e Kosovës me anë të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit për mënyrën se si ta avancojë punën policore në bazë të inteligjencës. Qëllimi i saj nuk është vetëm t’i ofrojë mbështetje dhe ta ndihmojë Policinë e Kosovës, por po ashtu t’i sjell edhe disa nga përvojat dhe njohuritë e saj ashtu që të mundësohet qëndrueshmëria pas përfundimit të mandatit të tanishëm në qershor të vitit 2018.
“Unë dëshiroj t’i përkrah kolegët e mi në Kosovë ashtu që ata të ecin drejt qasjeve dhe praktikave të reja të cilat do t’i përmirësojnë operacionet e tanishme duke i bërë më të mira”, thotë ajo, duke theksuar se komunikimi dhe bashkëpunimi është pjesë shumë e rëndësishme prë t’i përmirësuar edhe më shumë këto praktika.
Jacqueline ka studiuar në Universitetin e Arkanzasit për të drejtën penale me qëllim të hulumtimit dhe ligjërimit në akademinë e Zyrës Federale të Hetimeve (FBI) për trajnime. Mirëpo, në kohën kur kishte aplikuar, pezullimi i punësimeve në FBI e dërgon atë mijëra milje larg me një hap të vetëm. Ajo vendosi që ta pranonte mundësinë e punësimit si police në Atalanta, Gjeorgjia. Atje ajo qëndroi për më shumë se 20 vite duke u ngritur gradave prej zyrtarit policor të angazhuar në komunitet deri sa u bë detektive që ka korrë rezultate në raste si dhuna në familje, çështje të brendshme dhe hetimet me anë shërbimit të zbulimit. Në kulmin e karrierës së saj ajo u pensionua si Rreshter që i mbikëqyrte rreth 30 oficerë patrullues që merreshin me thirrjet emergjente në numrin 911 duke zgjidhur rastet e veprave të komuniteteve të ndryshme në Atalanta si vjedhjet ordinere, dhunës në familje, plaçkitjet, dhe vrasjet.
Duke qenë police femër nuk ishte gjithmonë e lehtë, thotë Jacqueline, veçmas kur duhej ta dëshmoja autoritetin mbi kolegët meshkuj. “Si mbikëqyrës dhe si femër, më është dashur ta dëshmoj se unë isha po aq e zonja në zgjidhjen e krimeve, kapjen e kryerësve të veprave dhe shenjëtare e saktë ashtu që ta fitoja respektin e kolegëve meshkuj. ‘Unë ia kam dalë me shumicën prej tyre’, na tregon Jacqueline.
Ajo beson se puna policore përbëhet prej dy elementeve të rëndësishme: profesionalizmi dhe kujdesi ndaj qytetarëve. “Ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë,” është një prej shprehjeve qetësuese të cilat i ka përdorë më së shumti Jacqueline kur është dashur të krijonte lidhjen me afro-amerikanët në Atalanta. Përgjatë 20 viteve të punës së saj në polici; ajo kishte miq në komunitetet lokale; ajo ishte e suksesshme dhe u ndihmoi njerëzve që ta kuptojnë sistemin e drejtësisë penale. “Unë isha mike me disa. Për disa të tjerë isha armike, por mbi të gjitha kam mbajtur nivel të fuqishëm të etikës së punës, integritetit dhe duke e bërë këtë jam zhvilluar si person dhe si profesioniste”, thotë ajo.
Në ndërkohë, Jacqueline ndoqi edhe ëndrrat akademike të saj. E pajisur me magjistraturë për administrim biznesi dhe tjetrën për drejtësi penale, ajo vendosi që të vijonte studimet e doktoratës për edukim, dhe kjo e tëra derisa ligjëronte lëndë të drejtësisë penale në një universitet lokal në Gjeorgjia.
Megjithëse ajo ka ardhur në Kosovë vetëm disa muaj më parë, Jacqueline i ka bërë përshtypje tradita dhe kultura e saj. “Unë gjithmonë kam dashur të vij në Evropë dhe të mësoj për kulturat e ndryshme. Shpresoj që gjatë qëndrimit tim këtu edhe unë do të sjell gjëra pozitive nga vendi im. Unë jam pensionuar para kohe nga policia në mënyrë që të vij këtu”, thotë Jacqueline.
Por mbi të gjithat, ajo është impresionuar më së shumti nga kosovarët. Asaj i pëlqen shumë kur fëmijët e pyesin për emrat e basketbollistëve që ajo i pëlqen, apo kur provojnë t’i thonë shprehjet e reja në gjuhën angleze. Në anën tjetër, ajo vetë po bën përpjekje që të mësojë sado pak gjuhën shqipe. Fjala më e dashur e saj është ‘faleminderit’. Asaj i pëlqen fakti që fqinjët e saj janë të kujdesshëm dhe përkujdesen edhe për të.
Duke besuar fuqishëm se frymëzimi vjen më shumë nga rrugëtimi se sa nga destinacioni i tij, dëshira e Jacqueline është vazhdimi i studimeve akademike të saj dhe të vazhdojë të ndajë me të tjerët njohuritë dhe përvojat e saj. “Më pëlqen trajnimi dhe mësimdhënia, që t’u ndihmoj të tjerëve t’i kuptojnë gjërat. Gëzohem shumë kur i shoh fytyrat e tyre të shkëlqejnë, pasi i kanë kuptuar gjërat”, e pranon ajo. “Unë kam mësuar shumë nga studentët e mi. Më pëlqen jeta, shkëmbimi i ideve dhe bashkëbisedimi me gjeneratat e reja. Unë kam besim në rrugën time”, thotë ajo në fund.