21 shkurt 2014
A mendoni se jeni keqtrajtuar gjatë zbatimit të funksioneve ekzekutive të EULEX-it në Kosovë? Kujt do t'i drejtoheshit? A është dikush që do të ishte i përgatitur t'ju dëgjojë dhe vërtetë të bëjë diçka lidhur me ankesën tuaj?
Njihuni me Magda Mierzewska, Kryesuese e Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut, PSHDNJ, i cili gjendet në zemër të Prishtinës. Ajo mund të jetë në gjendje t'iu ndihmojë. Paneli të cilin e kryeson ajo është një organ i pavarur, një lloj mbikëqyrësi i jashtëm. Paneli u krijua më 2010 në mënyrë që ta vlerësojë respektimin e normave dhe të standardeve të të drejtave ndërkombëtare të njeriut nga EULEX-i, gjatë ushtrimit të funksioneve ekzekutive të tij. Është hera e parë, për shkak të mandatit të tij ekzekutiv, që një Mision i Bashkimit Evropian i nënshtrohet një mekanizmi të tillë mbikëqyrës.
"Çdo person, organizatë ose grup mund të ushtrojë ankesë tek ne nëse mendojnë se EULEX-i ua ka shkelur të drejtat e tyre", thotë Magda.
"Nëse një qytetar mendon që policia, zyrtarët doganorë apo prokurorët e EULEX-it ua kanë rrezikuar të drejtat e tyre, ne intervenojmë. Detyrë e panelit është t'i vërtetojë faktet, ta përcaktojë ekzistimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe pastaj t'i rekomandojë veprimet e duhura që mund të zbatohen për ta zgjidhur problemin", vazhdon Magda.
Sapo PSHDNJ ta përcaktojë apo ta vërtetojë se vërtetë ka ndodhur një shkelje, konkluzionet i dërgohen Shefit të Misionit, ankuesit dhe pastaj ato do të publikohen në faqen e internetit të panelit. Përveç kësaj, ato konkluzione mund të përfshijnë rekomandime jo-obliguese për veprim nga ana e Shefit të EULEX-it që t'i adresojë dhe t'i rregullojë shkeljet e vërtetuara të drejtave të njeriut. Ky është një zhvillim revolucionar në të drejtën ndërkombëtare që përveç shteteve edhe organizatat ndërkombëtare të cilat kryejnë funksione ekzekutive mbahen përgjegjëse për ndonjë shkelje të drejtave të njeriut. Në këtë aspekt, paneli jo vetëm që i rregullon shkeljet e mundshme të drejtave të njeriut të ankuesve, por po ashtu e avancon transparencën dhe besueshmërinë e EULEX-it si organizatë ndërkombëtare e cila krahasohet me standardet e njëjta të cilat i promovon.
Megjithatë, PSHDNJ nuk mund t'i zgjidhë të gjitha problemet tuaja.
"Ne marrim shumë ankesa lidhur me kohëzgjatjen e lëndëve të cilat janë të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës. Përkundër parimit ligjor të cituar shumë (i cili i atribuohet Kryeministrit Britanik të shekullit 19 William Gladstone) 'Drejtësia e Vonuar është Drejtësi e Mohuar', ne nuk jemi të autorizuar që t'ju ndihmojmë qytetarëve në këtë aspekt, meqë paneli ynë nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore", sqaron Magda. Ajo vazhdon të sqarojë që PSHDNJ nuk ka kompetenca ta kontrollojë punën e gjykatave të Kosovës ose të veprojë si gjykatë e apelit për arsye se gjykatat janë të pavarura. Megjithatë, nëse qytetarët mendojnë që institucionet e Kosovës ua kanë shkelur të drejtat e tyre, ata kanë të drejtë që ankesat e tyre t'i drejtojnë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
"Gjykata Kushtetuese e Kosovës i pranon ankesat kushtetuese individuale. Kjo është e mundur sepse Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut mbrohet në Kushtetutën e Kosovës. Shumë vende të botës nuk e kanë këtë mundësi", thekson Magda, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese ka përvojë të dëshmuar të zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut në Kosovë.
"Avokati i Popullit i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese janë institucionet që merren me ankesat e qytetarëve për shkeljen e të drejtave të njeriut në rastet kur përfshihen institucionet vendase", sqaron ajo. "Kjo është rëndësishme meqë Kosova nuk e ka fituar statusin e shtetit të njohur në mënyrë universale dhe nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo do të thotë që qytetarët e Kosovës nuk mund të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut".
Magda ka punuar për vite të tëra në Strasburg si juriste e zyrës së regjistrimit për Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Aty ka pasur për detyrë ta bëjë hartimin dhe përgatitjen e aktgjykimeve dhe të aktvendimeve që shërbejnë si bazë për shqyrtimet gjyqësore të Gjykatës. Magda është njëra prej tre ekspertëve ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut që janë pjesë e PSHDNJ. Ajo vjen në Kosovë për seancat e rregullta të panelit disa herë në vit. Dy ekspertët te tjerë të panelit janë z. Guénaël Mettraux dhe znj. Katja Dominic.
"Unë kam ardhur në Kosovë për herë të parë më 2005. Më pëlqente të isha në Prishtinë dhe më ka fascinuar historia e Ballkanit. Disa vite më vonë u ktheva të punoj për Panelin Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut," thotë Magda, duke shtuar që ishte e natyrshme që ajo të vazhdonte në një cilësi të njëjtë në PSHDNJ.
Si dikush që punon për Gjykatën e Strasburgut, Magda thotë se ajo është e interesuar ta dijë se si zbatohen të drejtat e njeriut në botën e vërtetë. "Është tjetër të punosh për gjykatën më të lartë për të drejtat e njeriut në Evropë; ndërsa është krejt tjetër të shohësh si mund të zbatohet në praktikë Konventa Evropiane në mënyrë që ta përmirësojë jetën e qytetarëve të zakonshëm edhe këtu në Kosovë", thotë Magda.
Ajo i inkurajon fuqishëm juristët që të mos harrojnë kurrë se aspektet ligjore dhe teknike të punës së tyre mund të kenë ndikim të madh në jetët e njerëzve.
Polonia, vendi prej nga vjen Magda, është një vend post-komunist që është përballur me sfidat e veta gjyqësore. Pas dyzet vjetësh të formësimit të gjithë shoqërisë së Polonisë nga ana e partisë komuniste, vendi i saj u transformua në demokraci funksionale shumë partiake.
"Unë kam hyrë në provimet e mia të drejtësisë gjatë periudhës së ligjit ushtarak në Poloni në fillim të viteve të tetëdhjeta, por ndjeva që nuk doja të bëhesha gjyqtare në një sistem një-partiak. Në vend të kësaj jepja mësim në universitet. Kur më në fund ndodhi ndryshimi në vendin tim më 1989, unë isha e entuziazmuar pasi që isha në gjendje ta përjetoja lirinë", thotë Magda.
Megjithatë, në krahasim me tranzicionin paqësor të Polonisë, rruga e Kosovës drejt lirisë ishte mjaft dramatike. "Ishte përvojë tronditëse për tërë shoqërinë", thekson Magda.
Sipas Magdas, njerëzit e rajonit janë të entuziazmuar nga ndjenja e lirisë së fituar rishtazi. Por liria, thekson Magda, duhet të shkojë paralelisht me kufij të caktuar. Vlera e sundimit të ligjit qëndron në rolin e tij si rregullatori kryesor i këtyre lirive të gjetura rishtazi për të mirën e përbashkët të shoqërisë.
"Njerëzit mendojnë se liria nënkupton që çdo gjë duhet të lejohet, që në fakt në kjo absolutisht nuk është kështu në një shoqëri demokratike. Është ligji ai që imponon kufij për qytetarët si edhe për autoritetet publike", thotë ajo.
Pas edhe një dite tjetër të ngarkuar në PSHDNJ, Magda po kthehet në Strasburg. Ajo do të kthehet në Prishtinë në pranverë për ta kryesuar edhe një seancë tjetër të PSHDNJ.