Gratë në sundimin e ligjit

E përkushtuar ndaj Kosovës – Joelle Vachter

12 mars 2014

Joelle Vachter është grua unike. Kolonele në Xhandarmërinë franceze, karriera e saj lulëzoi në një fushë në të cilën pak gra shkelin. Jo vetëm që e udhëhoqi Zyrën për Menaxhimin e Krizës të ministrit të brendshëm francez, por ajo, po ashtu u bë kolonelja e parë e ushtrisë franceze duke specializuar në kontrollin e turmës dhe të trazirave. Megjithatë, e ballafaquar me perspektivën që të avancohet në gradën e gjeneralit në vendin e saj ose ta paketojë valixhen e saj dhe të shkojë në një vend të panjohur dhe ta zbatojë ekspertizën e saj jashtë vendit, Joelle thotë se ajo vendosi lehtë.

“Për mua nuk ishte zgjidhje e vështirë sepse më pëlqen të punojë me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme dhe me prejardhje të ndryshme kulturore”, thekson ajo duke sqaruar çka e nxiti të punojë jashtë vendit.

Para se t’i bashkohej EULEX-it si zëvendës-shefe e Misionit, Joelle punoi në disa misione anekënd botës duke ju ndihmuar vendeve në tranzicion dhe organizatave ndërkombëtare me ekspertizën e saj lidhur me sigurinë dhe çështjet policore.

E pajisur me diplomë të magjistraturës në Drejtësi dhe Administratë Publike nga Universiteti i Sorbonës dhe me vite të tëra të përvojës policore dhe ushtarake, Joelle punoi në Gjermani, Shqipëri, në Bregun e Fildishtë dhe në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Megjithatë, destinacioni i saj më i rregullt për mision ishte Kosova, ku ka punuar në tri raste të ndara për UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in.

Kur erdhi në Kosovë për herë të parë në vitin 2000, ajo ishte tronditur nga shkatërrimi. “U preka në veçanti kur i pashë shtëpitë familjare të hapura krejt, pa kulm, me pjesë të orendive të lëna pas dhe me mure të rrënuara, kjo vërtetë e tregonte ndikimin e konfliktit në nivel individual”. Jam e lumtur të shohë që shumica prej tyre tani janë riparuar”, thotë ajo. Ajo me shpejtësi thekson se Kosova ka ndryshuar plotësisht prej fundit të konfliktit kur ajo e vizitoi për herë të parë.

Si zëvendës-shefe e Misionit EULEX, ajo e sheh rolin e saj si lehtësuese brenda misionit. “Unë merrem me çështjet që janë paraqitur qe një kohë. Nëse kanë arritur në nivelin tim, zakonisht nënkupton që ato janë bllokuar. Unë përpiqem ta bëjë të mundur që rasti të vazhdojë në një bazë të re. Unë e marr këtë rol seriozisht”, thotë Joelle.

“Më së shumti më pëlqen të merrem me qeniet njerëzore. Kam pasur mundësi të merrem me drejtësi si juriste, por nuk kam dashur të rri e ulur pranë tavolinës sime e mbuluar me një mori letrash. Kam dashur kontakt të drejtpërdrejtë me njerëz. Të përpiqem t’i kuptojë si ndihen ata në mjedisin e tyre të punës dhe t’ju ndihmojë t’i zgjidhin disa prej problemeve të tyre”, thotë Joelle.

Motivi i saj kryesor gjatë punës në mision është që ta ndihmojë fuqizimin e institucioneve të Kosovës ta zbatojnë sundimin e ligjit anembanë Kosovës.

“Institucionet e fuqishme të bazuara në sundimin e ligjit janë bazë për çdo vend demokratik. Qëllimi ynë si mision është t’i përmirësojmë dhe t’i rrisim standardet këtu. T’ju ndihmojmë të gjitha institucioneve të Kosovës të bëhen pjesë e bashkësisë ndërkombëtare para se të shkojmë ne”.

Ajo thotë që deri më tani është arritur shumë. Dy sektorët e EULEX-it, fuqizimi dhe ekzekutivi funksionojnë në harmoni reciproke në mënyrë që ta zhvillojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në Kosovë. Ndërsa sektori i fuqizimit ofron mbështetje për sistemin e drejtësisë të Kosovës, për policinë dhe doganën, dega ekzekutive e EULEX-it i gjykon rastet e krimit të organizuar, të korrupsionit, të pronës, të privatizimit dhe rastet e krimeve të luftës.

Nga profesionalizmi i shtuar i Policisë së Kosovës, deri te ofrimi i ndihmës për mundësimin e zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe hartimi ose shqyrtimi i më shumë se 110 ligjeve, udhëzimeve administrative dhe rregulloreve deri te vërtetimi i më shumë se 12,000 librave amë të kopjuar në Serbi, EULEX-i, sipas Joelle, ka bërë përpjekje të madhe për ta siguruar një kornizë të fuqishme legjislative dhe institucionale për sundimin e ligjit.

Duke ju referuar funksionit më të dukshëm të EULEX-it i cili merret me zbatimin e sundimit të ligjit, Joelle nënvizon që gjyqtarët e EULEX-it kanë nxjerrë mbi 500 aktvendime në rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimi e parave, krimet e luftës dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Por kjo nuk është e tëra, thotë ajo: “Gjyqtarët e EULEX-it lënë aktgjykime të hollësishme në rastet e rënda dhe ato janë në dispozicion të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë të Kosovës”

Misioni po ashtu ka punuar për ta mbështetur normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në pajtim me dialogun e udhëhequr nga Brukseli.

“Deri më tani Kosova ka arritur përparim të madh. Megjithatë, mbetet edhe shumë për t’u bërë për të mirën e qytetarëve të saj. Po shkojmë në atë drejtim. EULEX-i është i gatshëm të ndihmojë dhe e dimë që kohën e kemi të kufizuar. Është me rëndësi që t’iu ndihmojmë institucioneve vendase që të arrijnë sa më shumë që munden para se ne të shkojmë”, përfundon Joelle.

Si grua që ka arritur në botën e mbizotëruar nga meshkujt, Joelle është e lumtur të shohë që shumë prej homologeve të saj të Kosovës po ashtu marrin rol aktiv në jetën publike. Ajo thotë që Franca është goxha tradicionale lidhur me rolin e grave, duke imponuar kuota për përfaqësimin e grave në funksionet zyrtare. Joelle mendon që vetë gratë duke pasur një qasje efektive mund të bëjnë ndryshimin.

 “Është me rëndësi që grave t’ju jepen të drejtat e njëjta, por edhe ato duhet ta gjejnë rrugën e tyre, të jenë më  të pavarura dhe  të kenë më shumë besim në vete. Nganjëherë kuotat më duken shumë poshtëruese për neve gratë”, thotë Joelle.

Pasi që 14 vjetët e fundit të jetës së saj i ka kaluar duke ardhur e vajtur në dhe nga Kosova, Joelle e ndjen një lidhje dhe përkushtim me përparimin e saj në të gjitha fushat, por në veçanti në sundimin e ligjit.

 “Kam përkushtim të vërtetë ndaj Kosovës. Qëndrimi im këtu është përkushtimi im më i gjatë ndaj një vendi të cilin e kam bërë gjatë tërë jetës sime. Jam e lumtur që kam pasur mundësi ta jap madje edhe një kontribut të vogël për ndërtimin e një Kosove të re”, thekson ajo.

Ajo është e sigurt që EULEX-i ka ofruar mbështetje të vërtetë për këtë vend të ri.  “Nganjëherë harrojmë që kjo Kosovë e re ka vetëm gjashtë vjet. Shumë gjëra janë bërë dhe shumë gjëra kanë mbetur të bëhen. Megjithatë, para se të shkoj, dua ta kem ndjenjën që ne si mision kemi bërë më të mirën”, përfundon Joelle.