Gratë në sundimin e ligjit

Të gjithë sytë tek ajo!

02 maj 2014

Hulumtuesit pohojnë që frika numër një të cilën e kanë pjesa më e madhe e njerëzve është frika e të folurit në publik por si duket Aishja nuk është e informuar për këtë. Kur flet me publikun ajo është thjeshtë e patrembur. Në të vërtetë, asaj i pëlqen kjo pa masë. Ajo përpiqet t'ju ndihmojë njerëzve dhe gjyqësorit duke vepruar si urë lidhëse ndërmjet gjyqësorit dhe publikut përmes mediave dhe duke i mbajtur në këtë mënyrë kanalet e komunikimit të hapura në çdo kohë, në mënyrë që të gjithë aktorët të angazhohen në diskurs të shëndoshë.

Aishe Qorraj - Berisha është zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Është detyrë e saj që të jetë aty, duke i menaxhuar marrëdhëniet e KGJK-së me mediat dhe publikun në përgjithësi.
Ajo është e përfshirë në prezantimin e punës dhe të aktiviteteve të tërë gjyqësorit në Kosovë, duke ofruar qasje dhe transparencë në punën e KGJK-së.

"Të punosh si zëdhënëse në sistemin e drejtësisë në Kosovë aktualisht është sfidë në vete," thotë Aishja. Sipas saj, është e rëndësishme që publiku të jetë i informuar për aktivitetet e gjyqësorit dhe t'i marrë sqarimet e nevojshme. "Për të gjithë ne, etika është hapi i parë i komunikimit institucional," thotë ajo.

Aishja ka shërbyer si zëdhënëse për Ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit dhe ajo ishte emëruar po ashtu si zëdhënësja e parë e Qeverisë së Kosovës. Vite më parë, ajo po ashtu ka punuar si ligjëruese e gjuhës shqipe në shkollën fillore 'Elena Gjika' në Prishtinë.

Duke jetuar në dinamikën e aktiviteteve, të punës pa orar, Aishja e bën këtë punë me pasion, përkushtim dhe dashuri. "Kjo punë më ka mësuar shumë për kulturën e punës ekipore, një përvojë të vlefshme në marrëdhëniet me mediat, dhe mbi të gjitha e ka forcuar karakterin tim edhe më shumë," thotë ajo.

Gjyqësori i pavarur është themel i çdo shoqërie demokratike

Problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet gjyqësori janë të shumta dhe komplekse dhe për t'i tejkaluar ato nevojitet përkushtim dhe investim i burimeve më të mëdha në mënyrë që të arrihen rezultatet e dëshiruara.

"Gjyqësori është njëri nga institucionet në të cilin kemi më së shumti nevojë të investojmë," thotë Qorraj-Berisha. "Qëllimi ynë është që së bashku ta ndërtojmë një gjyqësor të pavarur. Përkushtimi, paanësia, profesionalizmi dhe përgjegjësia e lartë janë cilësi që duhet të reflektohen në arritjen e këtij qëllimi," shton ajo.

Kontrollimi i sistemit të drejtësisë nga ana e publikut vazhdon të rritet. Sipas Aishes njëra prej detyrave më të mëdha me të cilat përballet gjyqësori është kthimi i besimit të publikut.
"Vendimet gjyqësore ndikojnë tek njerëzit drejtpërdrejt, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe profesional kur komunikojmë me publikun," thotë Aishja, duke e theksuar gjithmonë rëndësinë e pavarësisë gjyqësore.

Është me rëndësi që gjyqësori të jetë i hapur ndaj mediave sepse gjyqësori është një organ që ofron shërbim publik dhe, si të gjitha institucionet publike, nga gjyqësori pritet të jetë i hapur, meqë njerëzit kanë interes në funksionimin e duhur dhe efektiv të gjyqësorit.

"Mediat dhe gjyqësori duhet ta respektojnë njëri tjetrin dhe të kujdesen që dialogu i sinqertë të mos kalojë në konflikte të hidhura", thotë Qorraj-Berisha.

Drejtësi dhe Përgjegjësi për të Gjithë

Në gjyqësor duhet të ketë përgjegjësi dhe transparencë ashtu siç duhet të ketë edhe në media.

Duke ju falënderuar përqendrimit të mediave në dobësitë e sistemit të drejtësisë, publiku i përgjithshëm tani ka një pikëpamje të shtrembëruar të sistemit gjyqësor të Kosovës. Duke e pasur parasysh rolin e tyre të rëndësishëm në formësimin e qëndrimeve ndaj gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë, mediat kanë për detyrë t'i raportojnë seancat në mënyrë të saktë dhe të drejtë.

Qëllimi i Aishes mbetet gjyqësori transparent. "Për ta ushtruar profesionin e kam sakrifikuar jetën time private dhe vazhdojë ta sakrifikojë atë, kështu që përkushtimi ndaj punës, përgjegjësia, besnikëria janë çelësi i suksesit tim në profesion," thotë ajo.

Aishja e vlerëson shumë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare. "Ne e çmojmë profesionalizmin e tyre, në veçanti mbështetjen e vazhdueshme të cilën ia kanë dhënë sistemit të drejtësisë në Kosovë." Sipas Aishes, kjo mbështetje ka çuar tek sistemi ndërkombëtar gjyqësor të cilin e ka Kosova sot.

Në jetën e saj private, Aishja është nënë e përkushtuar e tre djemve. Asaj i pëlqen ta kalojë kohën me familjen e saj dhe të shkruajë kurdo që ka rast. Deri tani ajo i ka botuar disa libra por ajo që ja ka pushtuar zemrën vërtetë është poezia dhe ajo ka fituar edhe shpërblime për të.

Aishja do të vazhdojë t'i shprehë shqetësimet, qëndrimet dhe pikëpamjet e KGJK-së, duke ndihmuar në ruajtjen e një imazhi pozitiv me publikun e përgjithshëm – një detyrë që nuk është gjithmonë e lehtë!