17 korrik 2014
Një punëtore me përvojë, e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, me vendosmëri për të hulumtuar vende të reja dhe për të kontribuuar për sundimin e ligjit jashtë vendit, arriti në Kosovë së fundi. Njihuni me Lili Oprea, prokurore e EULEX-it e cila punon në Task Forcën e Prokurorisë në Mitrovicë.
Ajo ka qenë prokurore në Gjykatën e Lartë të
Drejtësisë dhe në Drejtorinë për Krim të Organizuar në Rumani, ku e ka
kryer punën e juristes për më shumë se njëmbëdhjetë vjet. Ajo ka punuar
po ashtu si këshilltare diplomatike në Republikën e Moldavisë dhe si
Udhëheqëse e Misionit të Rumanisë në Kolumbi. Megjithatë, duke qenë e
etur për ta përjetuar zbatimin e sundimit të ligjit jashtë vendit, ajo u
bë pjesë e Misionit EULEX në Kosovë në qershor 2013.
Task Forca e Prokurorisë në Mitrovicë, TFM,
është një njësi e prokurorisë e cila funksionon nën mandatin ekzekutiv
të Misionit EULEX. TFM u themelua në nëntor 2010 për t'i përqendruar
përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit të madh në
veri të Kosovës.
"Unë i hetoj, ndjek penalisht dhe përfaqësoj
rastet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Në çdo kohë unë mund të jem
duke u marrë me tri deri në pesë raste", thotë Lili, duke shtuar se një
përbërës thelbësor i të punuarit në mjedis ndërkombëtar është të
respektohen mendimet e ndryshme të kolegëve dhe të gjendet një bazë e
përbashkët për bashkëpunim dhe mirëkuptim më të mirë. Sa i përket Lili
Oprea, përfaqësimi në gjykatë ku trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarë
ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga vende dhe tradita të ndryshme që i
kuptojnë dispozitat e ligjit në mënyra të ndryshme, mund të jetë shumë
sfidues .
"Duhet të jeni shumë bindës dhe i përgatitur
mirë në mënyrë që t'i bindni ata lidhur me atë që mundoheni ta vërtetoni
në ndjekjen tuaj", thekson ajo. "Po ashtu duhet të jeni shumë fleksibil
në mënyrë që edhe avokati mbrojtës t'ju kuptojë", thotë ajo.
TFM e prokurorisë kryesisht përqendrohet në
veprat penale të kryera në jug dhe në veri të lumit Ibër. Ajo punon së
bashku me ekipet e përziera të prokurorëve të Kosovës, të Policisë së
Kosovës dhe të Policisë së EULEX-it. Përkundër sfidave, të cilat
kryesisht kanë të bëjnë me qasjen e vështirë në vendet e krimit,
mungesën e dëshmitarëve të duhur që janë të gatshëm të paraqiten dhe të
dëshmojnë, ekipi i TFM është duke arritur rezultate të mira.
Pas ndryshimeve të bëra në Ligjin për
Juridiksionin prokurorët e kësaj zyre janë përqendruar në përfundimin e
rasteve në proces, ndërsa nuk marrin raste të reja dhe po fillojnë ta
zbatojnë mandatin e ri duke e bërë mentorimin, monitorimin dhe
këshillimin e homologëve të tyre gjatë kryerjes së përgjegjësive të tyre
lidhur me forcimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Natyra e
rasteve me të cilat merren prokurorët e TFM ndryshon; nga veprat e rënda
penale tek krimi i organizuar, mashtrimi dhe krimet financiare.
Të punuarit në mjedise të ndryshme shumë
kulturore dhe shumë etnike i ka ndihmuar Lilit që të përshtatet shpejtë
në pozitën e saj të re në Kosovë, duke e bërë atë më fleksibile dhe më
të informuar për ndryshimet dhe mënyrat komplekse të menduarit dhe të
punuarit. Sipas saj, ky është çelësi drejt të kuptuarit më të mirë me
homologët vendas dhe ndërkombëtarë derisa merren me rastet në ekipet e
përziera të prokurorëve.
Deri më tani ajo ka nxënë mësime të vlefshme
në Kosovë, kryesisht lidhur me mënyrën e respektimit të mendimit të të
tjerëve, duke e pasur parasysh që të mos i lëndojë ata, kur ta marrë
vendimin përfundimtar. Lili është po ashtu e sigurt që mund të arrihet
rezultate të mira gjatë punës në ekip ku secili e jep kontributin e tij.
Ajo thekson që në Rumani nuk ka zyrtarë
ligjorë që i ndihmojnë prokurorët. "Punoni vetëm dhe ju duhet ta merrni
vendimin vetë dhe jo ta ndani me të tjerët këshillën dhe mendimin
juridik", thotë Lili, duke shtuar që ajo ka mësuar shumë lidhur me
sundimin e ligjit duke punuar në një mjedis ndërkombëtar.
Sipas Lilit, çelësi për prokurorin e mirë
janë objektiviteti dhe mirëkuptimi fleksibil. Njeriu duhet ta bëjë
vlerësimin e secilit rast dhe ta kuptojë që e vërteta është gjithmonë
diku në mes; kurrë nuk duhet t'i shmanget gjykimit të kriminelit të
vërtetë, ndërsa nuk duhet t'i gjykojë të pafajshmit. Puna e prokurorit i
ka baticat dhe zbaticat e veta. Nganjëherë mund të jetë e tensionuar
por sipas saj ngulmimi çon tek rezultatet në fund.
Ajo dëshiron të mendojë që duke e kryer punën e saj ka dhënë kontribut në sistemin e pavarur gjyqësor në Kosovë, të lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje, i cili gëzon mbështetjen e plotë të qytetarëve - qëllim të cilin EULEX-i e ka përcaktuar që nga fillimi. Megjithatë, është një çështje e rëndësishme për të cilën duhet menduar. Para se të shkojë nga EULEX-i, ajo dëshiron të shohë më shumë zonja të paepura të cilat ushtrojnë sundimin e ligjit në Kosovë ku si gjetiu në Evropën Lindore gratë janë ende të diskriminuara. "Edhe unë vetë kam përjetuar diskriminim të tillë në gjykatë. Rishtazi më është dashtë të theksojë gjatë gjykimit që nuk jam femër por jam prokurore", përfundon Lili.