Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Konferenca YOUNG - Pikëpamjet e rinisë për të ardhmen e Kosovës

05 korrik 2019

Rinia dhe pikëpamjet e saj për të ardhmen e Kosovës ishte tema e konferencës njëditore e cila u  organizua nga EULEX dhe u mbajt më 27 qershor 2019 në Prishtinë. Kjo konferencë mblodhi rreth 50 pjesëmarrës të ri, përfshirë përfaqësuesë të OJQ-ve dhe organizatave të shoqërisë civile që punojnë me rininë e Kosovës.

Konferenca YOUNG ofroi platformë për dialog gjithëpërfshirës për të rinjtë për rolin e tyre në shoqërinë kosovare, me fokus të posaçëm në mundësuesit dhe pengesat për kontributin e të rinjve në sundimin e ligjit.
 
Në fjalën e saj hapëse, Shefja e EULEX-it Alexandra Papadopoulou theksoi se puna e Misionit është ngushtë e ndërlidhur me aspiratat e rinisë së Kosovës për sistem të qëndrueshëm dhe llogaridhënës të sundimit të ligjit. “Sundimi i ligjit, si shumica e fushave të tjera të qeverisjes së mirë, është në masë të madhe i bazuar në shkallë të duhur të përfshirjes së të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, në veçanti të rinisë,” tha Papadopoulou, duke shtuar: “Të mos harrojmë se institucionet e sundimit të ligjit përbëhen prej njerëzve. Andaj, në mënyrë që sundimi i ligjit të jetë në praktikë i pranishëm për të gjithë, është jetike që pjesëtarët e komunitetit të kenë ndjenjë të identitetit, besimit dhe përfaqësimit drejtë dhe brenda çdo institucioni të tillë.”


Panelistët e  konferencës, një grup divers i të rinjve nga profesione dhe komunitete të ndryshme, shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave për krijimin e një mjedisi favorizues për pjesëmarrjen e rinisë në procese vendimmarrëse dhe në sundimin e ligjit.

“Të qenit pjesë në procesin e vendimmarrjes mund t’i fuqizojë të rinjtë,” tha Lorenta Kadriu nga Task forca e rinisë së bashkuar, ndërsa Krenare Gashi-Krasniqi nga Zyra për bashkëpunim rinor rajonal ftoi pjesëmarrësit që të reflektojnë për rolin që të rinjtë mund të kenë në procese të vendimmarrjes në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. 

Përfaqësuesja e Këshillit rinor kosovar Agnesa Qerimi tha: “Ne çdo ditë jemi dëshmitarë të diskriminimit në baza gjinore, në veçanti të diskriminimit kundër femrave nëpër procese të vendimmarrjes.” Përveç kësaj, Blert Morina nga Qendra për barazi dhe liri u përqendrua tek të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë, duke theksuar: “Ligjet tona për LGBTI janë më të avancuarat në rajon. Problemi është se ato ligje nuk janë duke u zbatuar.”

Pietro Fochi, delegat i rinisë nga Italia në Kombet e Bashkuara, tha se aty ku nuk ka sundim të ligjit, nuk ka opsione. “Ne duhet t’i shfaqim nevojat tona para institucioneve,” theksoi Fochi. Milica Jakovljević nga OJQ Aktiv tha se njerëzit gjithnjë flasin për komunitetet e tyre por flasin pak për të drejtat e tyre, ndërsa përfaqësuesja e Iniciativës rinore për të drejtat e njeriut – Kosovë Bjeshka Guri tha se qytetaria aktive është kyçe për tejkalimin e sfidave. “Po, ne jemi e tashmja dhe e ardhmja, por ne jemi edhe e kaluara. Nëse nuk e përqafojmë të kaluarën tonë, sfidat e tanishme nuk mund të kuptohen dhe të tejkalohen,” tha Guri.

Përfaqësuesja e Girls Coding Kosova Blerta Thaçi, e cila së fundmi u prezantua në listën e Forbes “30 Under 30” , tha se digjitalizimi i qasjes në informata shpije në qytetari aktive dhe në fuqizim të rinisë.   “Kjo ofron më shumë hapësirë për të avokuar për ndryshim të politikave dhe përfshirje në procese të vendimmarrjes nëpër institucione publike” theksoi Thaçi.

Konferenca rezultoi me një skicë të konkluzioneve dhe rekomandimeve për rrugën përpara, me qëllim të shndërrimit të fjalëve në vepra për çështjet si rritja e kontributit të rinisë në sundimin e ligjit, inkurajimi i qytetarisë aktive, shtimi i pjesëmarrjes së rinisë në procese të vendimmarrjes,  përmirësimi i të drejtave të komunitetit LGBTI, etj.