Njëzet zëdhënës dhe zyrtarë për shtyp të autoriteteve të Prokurorisë së Kosovës, gjykatat e të gjitha shkallëve dhe Policisë së Kosovës e përfunduan sot një kurs trajnimi katër-ditor për gazetarinë mobile dhe menaxhimin e mediave sociale, të organizuar nga EULEX-i në Prishtinë. Qëllimi i këtij kursi të trajnimit praktik ishte njohja e pjesëmarrësve me mjetet dhe teknikat e gazetarisë mobile, si dhe rritja i aftësive të tyre për menaxhimin e kanaleve të mediave sociale për të komunikuar në mënyrë efektive me pjesë të ndryshme të opinionit publik të synuar duke e rritur transparencën dhe shtrirjen e tyre.
Shefja e Zyrës për Shtyp të EULEX-it, Ioanna Lachana, tha: "Teknologjitë e reja me të vërtetë na e kanë bërë punën tonë më të lehtë. Përdorimi i shkathtë i mediave sociale dhe teknikave të gazetarisë mobile na lejon që të arrijmë më shpejtë deri tek grupet e ndryshme të njerëzve në numër të madh që ndihmon në përhapjen e lajmeve për punën tonë".
Lamija Alečković, trajnuese e gazetarisë mobile, vuri në dukje se gazetaria mobile dhe kronikat vizuale mund ta përmirësojnë komunikimin institucional: "Video-incizimi, redaktimi dhe krijimi i përmbajtjes multimediale është një mënyrë e komunikimit sot, veçanërisht në mediat sociale. Videoja si ‘gjuhë’, e adaptuar për të arritur te shumë njerëz, veçanërisht tek të rinjtë, mund të jetë një mjet i shkëlqyeshëm për institucionet e Kosovës që të kontaktojnë me publikun, t'i informojnë ata dhe të bëhen më transparentë në punën e tyre”.
Valon Canhasi, trajnues për menaxhimin e mediave sociale, theksoi: “80% e popullatës së Kosovës i përdor mediat sociale çdo ditë. Institucionet e sundimit të ligjit mund ta përdorin këtë lloj trajnimi për të mësuar se si të mbledhin të dhëna për atë se kush është i lidhur në internet dhe çfarë kanale përdorin ata për t'u informuar, duke e optimizuar kështu mënyrën se si komunikojnë me publikun përmes mediave sociale".
Për ta siguruar vazhdimësinë e zbatimit të njohurive të marra gjatë këtij kursit të trajnimit, EULEX-i dhuroi pajisje profesionale të gazetarisë mobile për të gjitha institucionet pjesëmarrëse.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, theksoi se ky kurs trajnimi i mbajtur nga trajnerë me shumë përvojë ishte shumë i rëndësishëm dhe shumë i nevojshëm. "Kjo do t'i ndihmojë institucionet tona që ta përparojnë mënyrën se si ne komunikojmë përmes mediave sociale, si një mjet i përparuar i komunikimit të dyanshëm. Njohuritë e marra përmes këtij trajnimi do të na mundësojnë të jemi më proaktivë në botën e mediave sociale dhe gjithashtu ta praktikojmë artin e gazetarisë mobile për t’i arritur qëllimet tona të komunikimit", - tha Kelani, i cili gjithashtu e falënderoi EULEX-in për kursin e trajnimit dhe pajisjet e dhuruara.
Zyrtarët dhe zëdhënësit për shtypit të prokurorive dhe gjykatave gjithashtu vunë në dukje se ky kurs trajnimi praktik do të sjellë deri tek përmirësimi i perceptimit të opinionit publik të institucioneve të sundimit të ligjit. "Ky kurs i trajnimit ishte shumë i dobishëm pasi fituam aftësi dhe njohuri të reja se si t’i përforcojmë kapacitetet profesionale të sektorit të komunikimit në sistemin prokurorial, ta rrisim transparencën dhe besimin në mesin e opinionit tonë publik", - tha Ekrem Lutfiu, ushtrues detyre i Shefit të Zyrës për Informim Publik në Prokurorinë Speciale të Kosovës - PSRK.
Ky kurs trajnimi për kronikat vizuale dhe gazetarinë mobile si dhe ushtrimet praktike rezultuan gjithashtu me rezultate të prekshme, përkatësisht me video aktuale dhe produkte dixhitale të cilat i prodhuan vetë pjesëmarrësit.