08 mars 2020
“Lulet janë të bukura, por ne duam barazi gjinore në vendimmarrje, në të drejta pronësore, në negociata për paqe, dhe në mundësi për punësim”. Kjo është motoja e fushatës për barazi gjinore e filluar nga EULEX-i, në partneritet me Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK) dhe OJQ Të Drejtat e Grave në Mitrovicën e Veriut, për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Kjo fushatë përfshin vendosjen e afisheve nëpër tërë Kosovën dhe transmetimin e një videoje me qëllim të rritjes së vetëdijesimit për barazinë gjinore.
Duke folur për këtë fushatë, Zëvendës-shefi i EULEX-it, Cezary Luba, tha: “Mundësitë e barabarta nënkuptojnë të ardhme të barabartë. Viti 2020 ka dëshmuar përparimin e Kosovës në përfshirjen e më shumë grave në proceset e vendimmarrjes, përmes zgjedhjes së një gruaje si krye-parlamentare të Kosovës dhe përmes emërimit të pesë grave në krye të ministrive. Kjo rritje e përfaqësimit politik të grave është inkurajuese dhe ne do të dëshironim të shihnim që kjo praktikë të pasqyrohet në të gjitha nivelet e shoqërisë.”
Zëvendës-shefi i EULEX-it, po ashtu e theksoi rëndësinë e qasjes së barabartë të grave në pronë, meqë kjo përfundimisht shpie në fuqizimin ekonomik. “Kjo ndihmon në thyerjen e varësisë që të mbijetuarat e dhunës në familje mund ta kenë prej atyre që ushtrojnë dhunë kundër tyre”, tha Luba.
Tijana Simic LaValley, Drejtoreshë e programit në OJQ-në Të Drejtat e Grave tha: “Hulumtimet tregojnë se përfshirja e grave në negociata për paqe i rritë mundësitë e rezultateve të suksesshme me 64%. Ato kanë qasje humaniste çka i thekson nevojat e personave të prekur nga konfliktet. Në zemrat e grave ka paqe, jo luftë. Andaj, është e domosdoshme që gratë të përfshihen në negociata për paqe.”
Kjo fushatë është pjesë e angazhimit të EULEX-it për çështjet gjinore. Që nga qershori i vitit 2018, kur ka përfunduar mandati ekzekutiv i EULEX-it në gjyqësor, Misioni bën monitorimin e rasteve të dhunës në baza gjinore përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë penale, nga hetimet deri tek ndjekjet penale, monitorimi i seancave nëpër gjykata dhe ekzekutimi i dënimeve, si dhe u jep rekomandime autoriteteve të Kosovës për përmirësimin e trajtimit të atyre rasteve.
Përveç kësaj, EULEX-i, në partneritet me Institutin e Mjekësisë Ligjore, është duke e udhëhequr fushatën “Ma thuaj me kohë”, e cila ka të bëjë me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale për ta vërtetuar ndodhjen e veprës dhe për t’i sjellë kryerësit para drejtësisë. Deri më tani, rreth 800 nxënës të 17 shkollave fillore dhe të mesme i kanë vijuar ligjëratat e mbajtura nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe nga Policia e Kosovës.