10 prill 2020
Më 10 prill, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, i dorëzoi Shërbimit Korrektues të Kosovës një donacion me 50 kompjuterë, 5 laptopë dhe 50 telefona mobil për të ndihmuar në rritjen e qasjes telefonike dhe virtuale për të burgosurit dhe për të lehtësuar takimet virtuale të stafit të shërbimit korrektues.
“Në mes të pandemisë së koronavirusit, EULEX-i pati mundësinë të përmbushë një nevojë urgjente të Shërbimit Korrektues të Kosovës për kompjuterë, laptopë dhe telefona mobil. Duke pasur parasysh kufizimet që janë vendosur për sa i përket vizitave me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit nëpër institucionet korrektuese, ky donacion do t’i ndihmoj Shërbimit Korrektues që të lehtësojë komunikimin e të burgosurve me familjarët e tyre përmes thirrjeve telefonike ose thirrjeve me video, duke siguruar respektimin e të drejtave të tyre, " tha Wigemark .
Dhurimi i pajisjeve të TI-së për Shërbimin Korrektues të Kosovës po ashtu do t’i ndihmojnë stafit të tij që punojnë në institucione të ndryshme korrektuese që të zhvillojnë takime virtuale, si dhe do të lehtësojë komunikimin mes EULEX-it dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani, falënderoi Shefin e Misionit EULEX për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të dhënë për ngritjen e kapaciteteve të organeve të sigurisë brenda institucioneve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Shefi i EULEX-it po ashtu përshëndeti prodhimin e maskave kirurgjikale të fytyrës nga ana e të burgosurve, në përputhje me Planin Operacional "Koronavirus" të Shërbimit Korrektues të Kosovës. "Njëkohësisht dëshiroj t’i uroj shërim të shpejtë pjesëtarëve të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët rezultuan pozitivë në COVID-19," tha Wigemark.
Dhurimi i sotëm i pajisjeve të teknologjisë informative është pjesë e mbështetjes afatgjate të Misionit për Shërbimin Korrektues të Kosovës që nga viti 2008. Ekspertët e EULEX-it aktualisht janë të inkuadruar në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe i mbështesin përpjekjet e tij për zhvillimin profesional të ekipit të menaxhimit të lartë. EULEX gjithashtu mbështetë Shërbimin Korrektues të Kosovës në fuqizimin e kapaciteteve të tij për luftimin e ndërhyrjeve të padrejta dhe trajtimit preferencial të të burgosurve, për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të rehabilitimit të të burgosurve dhe për garantimin e qasjes së barabartë për të gjithë të burgosurit në beneficione dhe trajtime mjekësore.