26 nëntor 2021
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, Drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, dhe Këshilltari i Lartë Ligjor i CLARD Anton Nrecaj u bënë bashk për ta diskutuar lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje gjatë një ngjarjeje të organizuar sot në Prishtinë nga EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci.
Pjesëmarrësit u pajtuam se mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe të drejtat ekonomike në përgjithësi, po promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra mund të mendojnë se nuk kanë alternativë tjetër përveç qëndrimit në marrëdhënie keqtrajtuese dhe të dhunshme.
“Të diskutosh për të drejtën pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushte themelore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen edhe të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutime të tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final”, tha Presidentja e Kosovës. “Këto diskutime fuqizojnë tutje përpjekjet tona për luftim të dhunës ndaj vajzave dhe grave, duke e sqaruar njëherë e përgjithmonë se nuk mund të tolerohet tutje që e drejta për trashëgimi dhe të drejtat pronësore të jenë pre e diskriminimit gjinor. Dhe se, çështja e trashëgimisë nuk është vetëm një çështje e izoluar, por prona realisht përbën një instrument të fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi te gjitha”, tha Presidentja e Kosovës.
Shefi i EULEX-it tha se të drejtat e kufizuara ekonomike për gratë janë një terren i përshtatshëm për dhunën në familje dhe shtoi se: “Largimi nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft i rëndë nëse nuk ke pronë, nuk ke vend për të kërkuar strehim dhe mbrojtje. Nëse nuk ke të ardhura tua, ju mund të vendosni që ta toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie keqtrajtuese. Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme. Por strehimoret nuk janë zgjidhje e përhershme”.
Wigemark shtoi se viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për mbështetje publike afatgjatë për t'u shkëputur nga rrethi vicioz i të qenit të varur ekonomikisht dhe financiarisht nga keqtrajtuesit e tyre. “Për të qenë konkret, komunat këtu në Prishtinë dhe gjithandej nëpër Kosovë duhet të sigurojnë strehimore publike të subvencionuara për viktimat e dhunës në familje të cilat nuk ka pronë të veten. Kjo do të ishte një prej detyrave të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave, shumica dërrmuese e të cilëve janë burra”, tha Wigemark.
Zëvendësministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nita Shala, tha: “Duke e pranuar domosdoshmërinë për ta garantuar të drejtën e pronës për gratë dhe vajzat, duke e kuptuar vlerën e adresimit të dhunës në familje, ne e kemi trajtuar këtë çështje gjatë hartimit të strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Kjo strategji ka identifikuar aktivitete specifike që synojnë fuqizimin ekonomik”.
Gjatë këtij aktiviteti u lansua edhe fushata ndërgjegjësuese “Mos qëndroni viktimë e dhunës në familje, ngaqë nuk keni nga të shkoni. Kërkoni të drejtën tuaj të pronës!” Kjo fushatë, e cila mbështetet nga EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë, Ministria e Drejtësisë dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, synon fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për të kërkuar të drejtën e tyre në pronë, në mënyrë që të bëhen të pavarura financiarisht. Një pavarësi e tillë do t'i ndihmojë atyre që të largohen nga marrëdhëniet keqtrajtuese.
Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta pronësore. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 17% e grave në Kosovë posedojnë pronë, ndërsa 7% e grave trashëgojnë pronë. Përveç kësaj, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën dhe në këtë mënyrë përkeqësohet pabarazia ekzistuese e pronësisë mbi pronën.
E nderuara Presidente Vjosa Osmani-Sadriu, Zëvendësministre e Drejtësisë Nita Shala, Drejtoreshë e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, Këshilltar ligjor i lartë i CLARD, Anton Nrecaj, Drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli. Një mirëseardhje e veçantë po ashtu për gratë dhe vajzat që përfaqësojnë komunitetet e ndryshme të mozaikut të pasur të popujve të Kosovës. Sot me ne kemi gra dhe vajza nga shumica shqiptare e Kosovës, por edhe gra dhe vajza nga komunitetet serbe, ashkalike, rome, egjiptase dhe turke. Të drejtat e grave janë universale dhe nuk njohin përkatësi etnike. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të trajtohen barabartë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Po ashtu, më lejoni të ju uroj mirëseardhje të gjithë juve që jeni të lidhur me këtë konferencë nga largësia.
Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë është i përkushtuar për barazi gjinore dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore ka vazhduar të jetë prioritet përgjatë mandateve të ndryshme të EULEX-it. Misioni organizon shumë aktivitete dhe fushata kundër dhunës në familje dhe dhunës kundër grave, jo vetëm me rastin e fushatës vjetore “16 Ditë aktivizëm për luftimin e dhunës kundër grave”, por edhe përgjatë tërë vitit.
EULEX-i po ashtu monitoron trajtimin nga ana e gjyqësorit të Kosovës të rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me dhunën në familje, dhe ne do të dëshironim të ju sillnim një analizë më të thellë të këtyre rasteve në muajt në vijim. Me ndihmën e ekspertëve tonë forenzik ne i kemi inkurajuar viktimat e dhunës seksuale që të ruajnë provat e akteve kriminale me të cilat janë përballur. Dhe ne jemi krenar me fushatën “Ma thuaj me kohë” e cila është zbatuar së bashku me Institutin e Kosovës për Mjekësi Ligjore.
Siç e dini, fushata që po e lansojmë sot përqendrohet tek mungesa e qasjes së barabartë të grave në të drejtat pronësore këtu në Kosovë. Por le të kujtojmë se si kjo – në shkallë të ndryshme – është fenomen universal. Gratë në mbarë botën kanë qasje të kufizuar në të drejtat pronësore – jo vetëm në Kosovë.
Nëse keni parë ndonjë episodë të serialit të famshëm në Netflix “The Maid/Shërbëtorja” ju menjëherë do të kuptoni se si të drejtat pronësore dhe dhuna në familje janë të lidhura thellësisht dhe se si ky “nexus” është mallkim global edhe në shtete shumë më të zhvilluara se Kosova. Por, përkundër popullaritetit të këtij seriali dramë, a kemi reflektuar mjaft mbi atë se si gjendja me të drejta të kufizuara ekonomike për shumë gra krijon mundësi për dhunë në familje dhe është diskriminuese nga vet natyra?
A kemi menduar mjaft rreth asaj se si mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe e të drejtave ekonomike të barabarta në përgjithësi, promovon një kulturë të cënueshmërisë, ku shumë gra ndihen se nuk kanë alternativa të tjera përveç të qëndruarit në marrëdhënie abuzive dhe të dhunshme?
Guxoj të them se përgjigja është “Jo”. Dhe ne si burra duhet t’i mendojmë pasojat e kësaj jo vetëm për gjysmën tjetër të popullsisë, por edhe për shëndetin dhe të ardhmen e shoqërive tona.
Të mbash gjysmën e popullsisë larg pronësisë mbi pronë nuk është vetëm të parandalosh fuqizimin e grave dhe të pengosh rritjen ekonomike duke mbyllur me mijëra aktereve femra potenciale nga ekonomia. Është edhe pjesë e sëmundjes kulturore dhe sociale që kushton me mjerim të pathënë.
Fakti se shumica e grave në Kosovë nuk i ushtrojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut për pronësi mbi pronë është një prej shkaqeve rrënjësore të dhunës në familje. Ndonëse gratë e Kosovës kanë të drejtë ligjore për të qenë pronare të pronave, traditat patriarkale dhe normat sociale anakroniste i privojnë ato nga ushtrimi i këtyre të drejtave themelore. Faktet dhe statistikat flasin mjaftueshëm: Vetëm 17% e grave në Kosovë janë pronare të pronave, ndërsa vetëm 7% e grave në Kosovë trashëgojnë pronë.
Për t’i përkeqësuar gjërat, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronë duke thelluar kështu pabarazitë aktuale për sa i përket pronësisë së pronës.
Rreth 19% të grave në Kosovë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore apo të trashëgimisë, ndërsa rreth 38% e burrave dhe 33% e grave nuk mendojnë se gratë duhet të kenë mundësinë e trashëgimit të pronës nga familjet në të cilat janë lindur.
Më tej, gratë që nuk kanë pronë shpesh kanë mungesë të burimit të pavarur të të ardhurave jashtë shtëpive të tyre. Vetëm rreth 14% të grave në Kosovë janë zyrtarisht të punësuara dhe kanë burimet e tyre të të ardhurave. Ndërsa shumë gra punojnë me orar të plotë si amvise, ndërsa kontributi i tyre domethënës ekonomik dhe shoqëror nuk materializohet. Thënë shkurt, puna e tyre nuk njihet financiarisht, ato nuk marrin pagë dhe zakonisht iu duhet të mbështeten tek burimet e të hyrave të partnerëve të tyre burra.
Unë nuk jam marksist, por Karl Marksi e ka pasur me të drejtë kur vërejti para një shekulli e gjysmë se pa të drejta pronësore të barabarta për të gjithë, si gratë ashtu edhe burrat do të mbylleshin në një rol inferior në shoqëri. Pavarësisht gjinisë apo etnisë së tyre, qytetarët pa qasje në të drejtat pronësore mund të shfrytëzohen më lehtë, jo vetëm për nga aspekti ekonomik, por edhe për nga aspekti i ushtrimit të të drejtave të tyre ligjore themelore.
Largimi nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft i rëndë nëse nuk ke pronë, nuk ke vend për të kërkuar strehim dhe mbrojtje. Nëse nuk ke të ardhura tua, ju mund të vendosni të toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie abuzive.
Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme. Por strehimoret nuk janë zgjidhje e përhershme. Në fakt, shumë zgjidhje të tilla të përkohshme janë të disponueshme vetëm për gjashtë muaj. Viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për mbështetje publike më afatgjate për t’u larguar nga rrethi vicioz i të qenit ekonomikisht dhe financiarisht të varura nga keqtrajtuesit e tyre.
Për të qenë konkret, komunat këtu në Prishtinë dhe gjithandej nëpër Kosovë duhet të sigurojnë strehimore publike të subvencionuara për viktimat e dhunës në familje të cilat nuk ka pronë të veten. Kjo do të ishte një prej detyrave të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave, shumica dërrmuese e të cilëve janë burra.
Kosova ka zhvilluar një kornizë ligjore bashkëkohore për sa i përket gëzimit të barabartë të të drejtave pronësore. Ligji për Barazinë Gjinore, Ligji për Trashëgiminë, dhe Ligji për Familjen, të gjithë janë pjesë e një kornize legjislative që synojnë sigurimin e të drejtave të barabarta të grave për pronë.
Më tej, Kushtetuta e Kosovës iu garanton grave të drejta pronësore të barabarta, përmes shpalljes së barazisë gjinore si vlerë e domosdoshme dhe ligjore për zhvillim dhe përparim të shoqërisë. Kushtetuta njeh zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të konventave ndërkombëtare për të drejtat themelore të njeriut, si Konventa kundër Diskriminimit kundër Grave, si e domosdoshme për gratë që të arrijnë pavarësinë ekonomike. Dhe, si më e rëndësishmja, që nga shtatori 2020 Konventa e Stambollit është pjesë e kornizës kushtetuese të Kosovës.
Neni 18 i Konventës së Stambollit kërkon mbrojtje për të gjitha viktimat e dhunës në familje. Ky nen poashtu e bën të obligueshme për çdo palë nënshkruese të Konventës që t’i mbështesin masat për fuqizimin dhe pavarësinë ekonomike të grave që janë viktima të dhunës. Realizimi i qasjes së plotë në të drejtat pronësore duhet të jetë pjesë e këtyre masave mbështetëse nga të gjitha shtetet që kanë nënshkruar Konventën e Stambollit, që përfshijnë edhe Kosovën.
Si Mision i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX-i ka çdo arsye që të angazhohet në monitorim, mentorim dhe këshillim të autoriteteve kosovare për uljen e rasteve të dhunës në familje dhe promovimin e të drejtave të grave për pronë dhe vendim mbi jetën e tyre. Kjo është pjesë esenciale e mandatit të Misionit që është dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Gjithashtu është pjesë e acquis të BE-së dhe zbatimi i Konventës së Stambollit do ta sjellë Kosovën më afër standardeve të Bashkimit Evropian.
Si Shef i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, unë e mirëpres shumë atë se si Ju, Presidente Osmani, në letrën tuaj në qershor të këtij viti drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell Fontelles, keni theksuar nevojën që EULEX-i të punojë së bashku me autoritetet e Kosovës për zbatimin e Konventës së Stambollit. Pak detyra do të mund të ishin më kuptimplote. Dhe Ju mund të qëndroni e sigurtë se Misioni ynë nuk do të kursejë asnjë përpjekje për përmbushjen e kërkesës suaj.
Le të punojmë së bashku për të tejkaluar padrejtësinë e të drejtave pronësore të pabarabarta. Le të punojmë së bashku për t’i tejkaluar rrënjët e dhunës në familje!
Ju faleminderit për vëmendjen.
Shikoni diskutimin (gjuhët e folësve).