02 gusht 2019
2 gusht 2019
Të pranishëm në seminar ishin edhe Kryetari i Gjykatës Supreme dhe ai i Gjykatës së Apelit, të cilët patën role kyçe për moderimin e seminarit, gjyqtarë të sapoemëruar në departamentet speciale të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit, si dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së.
Qëllimi i seminarit ishte gjetja e mënyrave më të mira për funksionalizimin dhe punën e departamenteve speciale. Kjo u bë përmes shqyrtimit të çështjeve siç është trajtimi i lëndëve të kthyera nga gjykatat e shkallëve më të larta, menaxhimi i sistemit të caktimit të lëndëve, përbërja e trupave gjykues, administrimi i përgjithshëm, si dhe aplikimi i dispozitave juridike që janë specifike për departamentet speciale.
EULEX-i përgëzoi institucionet e vendit për punën e bërë për themelimin dhe funksionalizimin e shpejtë dhe efektiv të departamenteve speciale, dhe theksoi përkushtimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të departamenteve speciale për zgjidhjen e ndonjë çështjeje që mund të dalë përgjatë përpjekjeve për funksionalizimin e tyre të plotë. Misioni theksoi se çështje të tilla të mundshme do të kenë nevojë të zgjidhen me shpejtësi me qëllim të ruajtjes së paanshmërisë dhe integritetit të gjyqësorit dhe për të siguruar funksionimin e papenguar dhe efektiv.
Pjesëmarrësit e seminarit përpiluan një sërë rekomandimesh si udhëzues të punës që i pret, siç është sigurimi i përputhshmërisë së sistemit për caktimin e lëndëve dhe i përbërjes së trupave gjykues me praktikat më të mira evropiane.