17 dhjetor 2014
Më 16 dhjetor është mbajtur mbledhja e fundit e Komisionit për kërkesa pronësore të Kosovës, KKPK, për ti zgjidhur pjesën e mbetur të kontesteve pronësore të regjistruara. Dy komisionarët ndërkombëtarë dhe një vendas vendosën për 178 lëndët e fundit të mbetura.
Me këtë përfundimisht mbyllet kapitulli i zgjidhjes së lëndëve pronësore të tanishme që kanë dalë si pasojë e konfliktit të vitit 1998/99 në Kosovë, të cilat ishin regjistruar në Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP). Me mbi dyzet e tre mijë lëndë të zgjidhura, shifrat e KKPK-së duken mjaft mbresëlënëse.
Ndaj vendimeve të nxjerra nga KKPK mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Paneli i ankesave i AKP-së përbëhet nga gjyqtarët e EULEX-it dhe vendas.
Sipas Violeta Demaj, Shefe e Zyrës së KKPK-së, zgjidhja e kërkesave pronësore të ndërlidhura me konfliktin është proces i rëndësishëm që ka ndikim të madh në stabilitetin e shoqërisë pas konfliktit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt pajtimit ndërmjet qytetarëve, fqinjëve dhe miqve. Në mënyrë që të zgjidhet një lëndë, ne shpesh herë duhet të shkojmë përtej mbështetjes ligjore. Ne sigurojmë mbështetje teknike dhe transportin për klientët tonë, për të siguruar që lëndët e tyre të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe korrekte.
Sipas Demajt, disa nga armiqësitë ndërmjet disa parashtruesve të kërkesave mund të zgjidhen me lehtësi. E kishim një lëndë ku palët e përfshira në të ishin tejet të tensionuara. Ne morëm njoftime nga zyra për procesim se njëri nga parashtruesit e kërkesës ishte agresiv. Mirëpo, gjatë takimit, kur u panë mes vete parashtruesit e kërkesave doli që ata thjeshtë ishin parë një kohë të gjatë. Ata u gëzuan shumë që u takuan sërish dhe se takimi i tyre ishte shumë i përzemërt. Natyrisht, kjo lëndë pastaj u zgjidh shumë shpejtë, theksoi Demaj.
Po ashtu, KKPK-ja është e përfshirë në zgjidhjen e kontesteve pronësore edhe në pjesën veriore të Kosovës. Demaj thotë se KKPK-ja i trajton të gjitha lëndët në mënyrë të njëjtë, pavarësisht përkatësisë etnike të parashtruesve të kërkesave. Të gjithë i kanë të drejtat e barabarta lidhur me pronën e tyre. Ne kemi parë shumë stres dhe vuajtje. Prandaj, ne gëzohemi sa herë që i ndihmojmë dikujt që tia bëjmë jetën më të mirë. Ne do të vazhdojmë punën deri sa ti zgjidhim të gjitha kërkesat, thotë Demaj.
Rruga drejt ndryshimit dhe bartja e përgjegjësive tani më është duke ndodhur. Demaj shpreson se të gjitha kërkesat për të cilat është vendosur do të zbatohen deri atëherë kur mandati i KKPK-së do ti bartet në tërësi AKVKP gjatë muajve të ardhshëm.
KKPK është një mekanizëm i veçantë për zgjidhjen e kërkesave i cili i përmbahet parimit të shqyrtimit të numrit të madh të kërkesave. Ai është krijuar me qëllim të nxjerrjes së vendimeve për një numër të madh të kontesteve në mënyrë efikase, efektive dhe me kohë. Ky organ vendim-marrës kuazi gjyqësor, i cili funksionon i pavarur nga AKP-ja, e ka përfunduar mandatin e tij në mënyrë të suksesshme me zgjidhjen e të gjitha kërkesave që kanë dalë si pasojë e konfliktit të armatosur që ka ndodhur ndërmjet datës 27 shkurt 1998 dhe 20 qershor 1999 në lidhje me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronat bujqësore dhe komerciale të cilat kanë qenë të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme.
Zgjidhja e kërkesave pronësore të ndërlidhura me konfliktin në mënyrë të drejtë, objektive dhe transparente, duke e respektuar plotësisht sundimin e ligjit, është një nga qëllimet kryesore të stafit të EULEX-it të angazhuar në KKPK. Mbi të gjitha, mbrojtja e pronës i jep secilit të drejtën që ta gëzojë i qetë pronën e tij, duke i obliguar Shtetet që të mos ndërhyjnë apo tua mohojnë personave pronën e tyre, si dhe të njëjtat të mos i vënë nën kontrollin e tyre. Kjo e drejtë është e përfshirë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prej vitit 2008, EULEX-i i ka punësuar gjithsej 11 pjesëtarë të stafit vendas dhe ndërkombëtar për ta mbështetur KKPK-në, duke i përfshirë dy Komisionarë ndërkombëtarë për Kërkesa Pronësore, Shefin e Zyrës së KKPK-së, dy Zyrtarë Ligjorë ndërkombëtarë, tre Këshilltarë Ligjorë vendas, dy përkthyes dhe një Asistent Administrativ.