Lajme

EULEX-i shënon tridhjetëvjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve

20 nëntor 2019

Më 20 nëntor, EULEX-i i bashkohet mbarë botës në shënimin e tridhjetëvjetorit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (KKBDF), traktati më i ratifikuar i OKB-së në histori, i cili është drejtpërdrejtë i aplikueshëm në Kosovë.

KKBDF, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 nëntor 1989, garanton se të gjithë fëmijët, pa asnjë diskriminim, janë bartës të plotë të të drejtave. Konventa kërkon që autoritetet të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për mbrojtjen e fëmijëve nga çfarëdo forme e dhunës dhe e keqtrajtimit, përfshirë nga keqtrajtimet seksuale.
Autoritetet duhet të reagojnë me shpejtësi ndaj çdo raportimi për keqtrajtim apo dhunë, me synim që çdo raportim i tillë të hetohet në mënyrën e duhur dhe që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Gjatë shqyrtimit të rasteve të keqtrajtimeve dhe të dhunës, institucionet kompetente duhet të sigurojnë mbrojtje të plotë të të drejtave të fëmijëve, përfshirë të të drejtave për privatësi, siguri dhe ndihmë të duhur.

Bazuar në mandatin aktual, EULEX-i kërkon promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve në Kosovë, duke i mbështetur institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara  për të Drejtat e Fëmijëve. Në kontekstin e procedurave penale, Misioni monitoron mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve që janë viktima dhe dëshmitarë, si dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve që bien ndesh me ligjin.
Misioni po ashtu bënë monitorim e të drejtave të të miturve nëpër institucionet korrektuese, dhe ofron këshilla për Shërbimin Korrektues të Kosovës me qëllim të sigurimit të riintegrimit të tyre dhe konsiderimit primar të interesave të tyre më të mira. Në partneritet me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policinë e Kosovës, EULEX-i është duke e zbatuar fushatën “Ma thuaj me kohë”, për ngritjen e vetëdijes, në veçanti në mesin e fëmijëve, në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, dhe për informim rreth mënyrës së ruajtjes së atyre provave për të ndihmuar që kryerësit e veprave të sillen para drejtësisë.