Lajme

EULEX-i e bashkë-organizoi një punëtori për luftimin e krimeve mjedisore

29 nëntor 2019

Më 26 dhe 27 nëntor 2019, tridhjetë zyrtarë të Policisë së Kosovës e përfunduan një punëtori dy-ditore për Luftimin e Krimeve Mjedisore, të organizuar bashkërisht nga EULEX-i dhe Projekti IPA/2017 – “Luftimi i Krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor".

Kjo punëtori, e cila u mbajt nga ekspertë kundër krimeve mjedisore nga forcat Carabinieri të Italisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe nga Prokurori i Shtetit i Drejtorisë Kombëtare Antimafia të Italisë, u përqendrua në forcimin e kapaciteteve ekzekutive të Policisë së Kosovës dhe aspektet operative të punës të lidhura me krimet mjedisore duke u siguruar atyre mjete efektive hetimore për t’i luftuar këto krime. Fokusi i kësaj punëtorie ishte gjithashtu zhvillimi i bashkëpunimit policor ndërkombëtar në këtë fushë, përkatësisht në marrëveshjet e mundshme bilaterale dhe shkëmbimin efektiv të informatave.

Me këtë rast, Ushtruesi i Detyrës së Zëvendës-shefit të EULEX-it, Sean Kerins, tha se ky Mision e mbështet qëllimin e punëtorisë për ta trajnuar dhe këshilluar Policinë e Kosovës për kërcënimet që i paraqesin krimet mjedisore dhe shtoi: "Në përvojën tonë të deritanishme, nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse e mirëfilltë për t’i luftuar krimet mjedisore, ku agjenci të shumta, organet e zbatimit të ligjit dhe institucionet e tjera duhet të punojnë së bashku ndonjëherë edhe përtej kufijve për ta luftuar siç duhet këtë dukuri”.

Për t’i shtuar njohuritë e marra gjatë kësaj punëtorie, do të organizohet një vizitë studimore në Shtabin e Carabinieri-ve për Mbrojtjen e Mjedisit në Itali nga 19 deri në 20 Dhjetor 2019, e cila do ta pajisë Njësinë së Policisë së Kosovës për Koordinimin Ndërkombëtar të Zbatuesve të Ligjit - ILECU, Akademinë Policisë së Kosovës në Vushtrri dhe përfaqësuesit e Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar nga Policia e Kosovës me njohuri të strukturuar policore në këtë fushë.

Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është që të trajnuarit t’ua kalojnë njohuritë e tyre njësive përkatëse të specializuara dhe Komandantëve Rajonalë të Policisë së Kosovës.