Lajme

EULEX-i ndihmon në trajnimin për teknikat e reja për viktimat e rrezikuara

12 dhjetor 2014

Javën e kaluar, EULEX-i në partneritet me Trajnuesit për krime të Policisë së Britanisë së Madhe nga Humberside dhe South Yorkshire, e kanë mbajtur një kurs trajnimi katër ditor për 16 pjesëtarë të PK-së dhe 6 prokurorë kosovarë me fokus në teknikat e reja të intervistimit për viktimat e rrezikuara. 

Qëllimi i përgjithshëm i këtij kursi ishte rritja e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë së Kosovës për menaxhimin dhe intervistimin e viktimave të rrezikuara me theks të veçantë në viktimat e trafikimit të njerëzve. Dëshmitë e viktimave paraqesin një hap të rëndësishëm drejt ndjekjes penale të trafikimit të njerëzve.

Me anë të trajnimit u mësuan teknikat e intervistimit të parapara për marrjen e dëshmive më të mira nga viktimat në mënyrë transparente dhe duke e pasur viktimën në qendër të vëmendjes gjë që do të sigurojë prova materiale më të mira gjatë procedurave gjyqësore. Theksi i teknikave të reja është i përqendruar në tërë rrëfimin e individit, duke e trajtuar palën e dëmtuar me kujdesin dhe mirëkuptimin e duhur, çka më pas sjell dëshmi të cilësisë së lartë gjatë procedurave penale.

Duke e zgjeruar bazën e aftësive dhe shkathtësive të agjencive në Kosovë për t’i trajtuar këto viktima, Kosova do të jetë më efektive në hetimin dhe ndjekjen e atyre që janë të përfshirë në këto veprime kriminale. Mundësia për të bashkëbiseduar me këto viktima të rrezikuara do të ketë ndikim në hetimet e krimit të organizuar dhe do ta zgjerojë procesin e kujdesit të gjithmbarshëm ndaj viktimave.

Sipas Ismet Rhahmanit, prokuror kosovar, ky trajnim katër ditor i ka mundësuar atij që të mësojë nga praktikat më të mira në rastet e ndjekura në Britani, njohuri të vlefshme këto të cilat ai do t’i zbatojë gjatë punës së përditshme të tij për ta bërë punën e tij më të lehtë dhe për t’ua bërë më të lehtë viktimave fazën e intervistimit. 

“Komunikimi ndërmjet EULEX-it dhe institucioneve vendase, veçmas nëpërmjet trajnimeve, sipas mendimit tim është shumë i suksesshëm sepse kështu mësojmë për praktikat më të mira evropiane, për përvojat e reja dhe për mënyrat e veprimit kur bëhet fjalë për aplikimin e metodave të duhura”, theksoi z. Rhahmani.

Agjencitë e zbatimit të ligjit në Britani prijnë sa i përket zhvillimit të procesit të Viktimave të rrezikuara dhe janë në pozitë të mirë për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë të specializuar, tha Karen, njëra prej trajnuesve nga Britani e Madhe.

Ajo shtoi se përvoja e saj prej më shumë se 25 viteve në Britani e ka dëshmuar se kur zbatohet qasja që e vendos viktimën në rend të parë gjatë intervistimit dhe hetimeve, atëherë cilësia e dëshmive të fituara është dukshëm më e madhe.

Xhylijeta Sveqla, hetuese kosovare në Departamentin për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore, po ashtu vlerëson se këto metoda të reja do t’i ndihmojnë asaj gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. “Unë vërtetë shpresoj që EULEX-i do të organizojë trajnime të ngjashme edhe në të ardhmen. Kolegët e mi, sikur edhe unë do të përfitojnë shumë nga to”. 

Ky trajnim është financuar nga Zyra për Punë të Jashtme dhe Komonuelthi i Britanisë së Madhe nëpërmjet Ambasadës së Britanisë së madhe në Prishtinë.