15 maj 2020
Më 14 maj, Associated Press e botoi një artikull për personat e pagjetur në Kosovë dhe për punën e EULEX-it për ta zbuluar fatin e mbi 1640 personave, të cilët nuk janë gjetur ende në Kosovë.
Në një intervistë për Associated Press, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, tha se pyetjet pa përgjigje të familjeve që kanë të afërm të zhdukur janë "një prej trashëgimive më shkatërruese të konflikteve në ish-Jugosllavi".
"Kërkimi për të zhdukurit pas një konflikti të armatosur është një proces i dhimbshëm, i ndërlikuar dhe që kërkon kohë", tha Wigemark. "Duhet të ketë gatishmëri nga të dyja palët për të shkëmbyer informacione, për të ecur përpara dhe për t’i zgjidhur rastet, përkundër vështirësive".
Javier Naranjo, arkeolog mjeko-ligjor i EULEX-it, tha se gjatë luftës "kryerësit i fshehën kufomat në varre më të vogla klandestine, madje edhe në varreza, për ta bërë më të vështirë kërkimin e personave të pagjetur".
Për ta përcaktuar fatin e të zhdukurve, na duhen informata të besueshme për vendndodhjen e varreve dhe mostrat e gjakut nga familjet e të zhdukurve për analizat e ADN-së. Që prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky Mision i ka kryer 651 operacione në terren që kanë rezultuar në identifikimin e 311 personave të zhdukur.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu (në anglisht):
https://apnews.com/d86d5397215c81f2f695f46d2c905977
“Photo credit: Visar Kryeziu / AP”