Lajme

Diskutime për fuqizimin e grave: “Gratë në institucionet e sigurisë”

25 nëntor 2020

Më 20 nëntor 2020, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) filloi seancën e parë të “Diskutimeve për fuqizimin e grave”, të cilat janë të përqendruara në temën e fuqizimit të grave në institucionet e sigurisë.

Këshilltarja për çështje gjinore në EULEX, Chiara Tagliani, dhe Koordinatorja e Misionit për tranzicion, Alina Laura Matache, ishin nikoqire të një paneli shumë interesant të grave që mbajnë pozita udhëheqëse në sektorin e sigurisë: Zyrafete Imeraj, Kryetare e Shoqatës së grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Elmina Mahmuti, Drejtoreshë rajonale e Policisë së Kosovës, dhe Ritva Hannele Vahakoski, Udhëheqëse e Njësisë korrektuese të EULEX-it. Panelistet diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë për përparësitë dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë gratë të cilat punojnë në institucionet e sigurisë.

“Gratë në pozita vendimmarrëse është sinonim i zhvillimit demokratik të një vendi,” tha Zyrafete Imeraj, duke shtuar: “Një prej përparësive është se tashmë veçse kemi gra të cilat janë të punësuara në institucionet e sigurisë. Megjithatë, përfaqësimi i grave në këtë sektor ende është i ulët dhe kjo është sfidë e vazhdueshme në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe të në gjitha institucionet e sigurisë.” Imeraj po ashtu beson se është jetike të inkurajohen gratë që të aplikojnë dhe të zhvillojnë karrierat e tyre në institucione të sigurisë, ngaqë aktualisht gratë nuk janë të motivuara e as të mbështetura mjaftueshëm për avancim e mëtejmë të karrierave të tyre. 

Sipas Kolonele Elmina Mahmuti, pozita e grave në Policinë e Kosovës është më e mirë meqë numri i grave që punojnë në Policinë e Kosovës ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të kaluara dhe një numër i grave janë avancuar në pozita të ndryshme. Megjithatë, kjo ende nuk ka arritur në nivel të kënaqshëm. “Gratë përfaqësojnë vetëm 15% të ekipit të Policisë së Kosovës. Neve na duhet të vazhdojmë me rritjen e numrit të grave në sektorë të ndryshëm të policisë dhe t’i motivojmë gratë që të zhvillojnë karrierat e tyre,” tha Kolonele Mahmuti. Përfaqësuesja e Policisë së Kosovës ilustroi strategjinë e tyre të suksesshme për punësimin e më shumë femrave përmes aktiviteteve të ndryshme promovuese me komunitetet në Kosovë. Kjo ka rezultuar në një ngritje të numrit të femrave që kanë aplikuar për punësim nga 418 në vitin 2013 në më shumë se 2000 aplikuese në vitin 2018.

Ritva Hannele Vahakoski theksoi nevojën për ndryshim të mentalitetit dhe diversifikim gjinor kur kemi të bëjmë me vendet e punës që janë mbajtur tradicionalisht prej grave dhe burrave. “Sfida është se edhe tani, në vitin 2020, sektori i sigurisë është i dominuar prej meshkujve. Shpesh thuhet se gratë janë fizikisht më të dobëta. Megjithatë, këtu duhet të theksohet se kjo nuk është çështje e përkatësisë gjinore, por çështje e personalitetit, pasi që në sektorin e sigurisë ka gra punëtore ashtu edhe burra punëtorë,” theksoi Vahakoski. 

Por, si munden gratë ta mbështesin dhe ta fuqizojnë njëra-tjetrën dhe të avancojnë pozitën e grave në sektorin e sigurisë? 

Të gjitha panelistet u pajtuan se gratë duhet të qëndrojnë të bashkuara për trasimin e rrugës për njëra-tjetrën, por edhe për gratë që aspirojnë të kenë karrierë në sektorin e sigurisë. Panelistet gjithashtu theksuan rëndësinë e shoqatave të grave në sektorin e sigurisë, si dhe të seminareve dhe trajnimeve që i kanë mbështetur në masë të madhe gratë në rrugëtimet e tyre në karrierë në këtë sektor sfidues. Rëndësia e lobimit në mesin e vajzave të reja për të pasur karrierë në sektorin e sigurisë është parë si thelbësore nga të gjitha panelistet. 

 “Diskutimet për fuqizimin e grave” janë pjesë e aktiviteteve të EULEX-it për shënimin e njëzetvjetorit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1325 dhe fushatës ‘16 Ditë aktivizëm kundër dhunës në bazë gjinore’.